Konferenca e Kishave Europiane (KEK) ka deklaruar se dy nga udhëheqësit më të rëndësishëm të kishave Orthodhokse botërore – Patriku Vartholome i Kostandinopojës dhe Patriku Aleks i Rusisë – do të marrin pjesë në Asamblenë e Dytë Ekumenike Europiane (A2EE) e cila do të mbahet në qytetin austriak të Graz-it nga 23-29 qershor.
Asambleja e Graz-it, e cila do të jetë ngjarja më e rëndësishme ekumenike në Europë deri në fundin e shekullit, është sponsorizuar nga KEK (anëtarët e së cilës përfshijnë 119 Kisha Europiane Orthodhokse, Anglikane, Katolike e Vjetër dhe degët më të rëndësishme të kishave Protestante) dhe nga Konferenca e Këshillit Europian të Episkopëve të Kishës Katolike. Të pranishëm në këtë Asamble do të jenë rreth 8000 persona, duke përfshirë 700 delegatë zyrtarë.
Në një deklaratë të komunikuar në 24 prill, KKE njoftoi se Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Vartholomeu dhe Patriku Aleks, i Moskës dhe gjithë Rusisë, do të marrin pjesë në Graz. Në shërbesën e adhurimit gjatë ceremonisë hapëse, në 23 qershor, në qendrën e Grazit, Patriku Vartholome do të mbajë një ligjëratë dhe do të bekojë Asamblenë Ekumenike. Më pas, Patriku Aleks dhe Kardinali Karlo Maria Martini, Kryepiskop i Milanos, do të mbajnë ligjëratën e sesionit plenar hapës të asamblesë.
Të dy Patrikët janë figura të rëndësishme në botën e Krishterë. Patriku Vartholome, rezidenca e të cilit gjendet në Fanar, Stamboll, si pasues i patrikëve të Kostandinopojës, ka titullin “primus inter pares” (i parë mes të barabartëve). Juridiksioni i tij përfshin shumicën e diasporës Orthodhokse, midis të cilave kishat më të mëdha Orthodhokse të Amerikës Veriore, Europës Perëndimore dhe Australisë. Aleksi, Patriku i Moskës, është udhëheqësi i Kishës Orthodhokse më të madhe në botë – në terma numerike – dhe gëzon influencë të madhe personale në jetën publike Ruse. Ai përgjithësisht është i pranishëm në ngjarjet e rëndësishme politike në Moskë.
Të dy patrikët kanë një interes të madh tek ekumenizmi, të cilin e kanë mbështetur gjatë periudhës së tyre si udhëheqës ashtu dhe më parë. Si Patrikana Ekumenike ashtu dhe Kisha Orthodhokse Ruse janë anëtarë të Këshillit Botëror të Kishave dhe të Konferencës së Kishave Europiane.
Në omelinë e tij të Pashkës, Patriku Ekumenik ftoi të krishterët orthodhoksë të ndjekin asamblenë e Graz-it dhe theksoi se “Të gjithë të Krishterët Orthodhoksë le ta dëshirojnë këtë të jetë dëshmi e patundur e besimit tonë më Krishtin e Ngjallur.”
Në një letër të fundit referuar A2EE dhe asamblesë së 11 të KKE, e cila do të zhvillohet gjithashtu në Graz menjëherë pas së parës, Patriku Aleks tha: “Asambletë që do të mbahen në Graz na japin të gjithëve mundësinë të shqyrtojmë së bashku potencialin e lëvizjes për unitetin e krishterë në kushtet e reja historike mbizotëruese. Dhe për këtë arsye unë jam i lumtur që tema e të dyja asambleve do të jetë Pajtimi.”