EmailFacebookKontakt

Prifti martir Dhimitër Leka 1910-1944 (me rastin e 60-vjetorit të vrasjes)

Diktatura komuniste qysh në fillim të krijimit të saj, orientoi edhe luftën kundër besimit fetar, me parrullën se feja është opium për popullin, prandaj dhe lufta u bë jo vetëm kundër ndërgjegjes së besimit, por më shumë kundër Kishës e klerikëve të saj, duke i martirizuar shumë prej tyre. Një fat të tillë tragjik pati edhe prifti i fshatit tonë, Kudhës i Himarës, Dhimitër Leka.

Në mes të fshatit, në lagjen e vjetër, afër kishës e shkollës, është ndërtuar një shtëpi e thjeshtë prej guri, e rrethuar me një avlli, ku hyje në oborr nëpërmjet një tholloje. Mbi të ngriheshin dy dhoma të vogla me oxhak e të pasuvatuara. Dyert i mbulonte një shkallë me tjegulla dhe e shtruar poshtë me rasa prej guri. Nga kjo shtëpi, lindën, u rritën e dolën tre breza priftërinjsh, prandaj dhe quhej shtëpia e priftërinjve. Gjyshi i Dhimitrit, me të njëjtin emër, kishte shërbyer shumë herët në kishë, pak të dhëna kemi për të. Më pas i ati i tij, Aristidhi, shërbeu për shumë kohë, qysh nga 1900 deri më 1932 dhe u emërua ikonom një vit para vdekjes, më 1933. Më pas i biri, Dhimitri, ndoqi edhe ai rrugën e Perëndisë, atë të paraardhësve të tij.

Dhimitri lindi në Kudhës, më 13.03.1910. Shkollën fillore e bëri aty, në fillim greqisht e pastaj shqip, pas vitit 1921, kur u hap shkolla e parë shqipe në fshat. Më tej vazhdoi arsimimin në Korfuz të Greqisë. Trashëgimia e të parëve, edukata e besimit te Zoti i kishin rrënjosur dashurinë për Të, prandaj donte edhe ai vetë të bëhej prift. Rasti iu dha të bënte një kurs për prift në Artë të Greqisë, ku kishin studiuar dhe paraardhësit e tij. Më 1934 u hirotonis prift i fshatit nga Episkopata e Gjirokastrës, detyrë që e mbajti për dhjetë vjet me nder e respekt deri në fund të jetës së tij. Ishte i devotshëm, i aftë për shërbesat, i gjallë e i shkathët, i dashur e punëtor.

Përveç shërbesave fetare të ndryshme në fshat, bënte edhe punë bujqësore, se jeta e tij ishte e varfër, si e gjithë fshatarëve të tjerë: me pak rrënjë ullinj e tokë buke që të ushqente e rriste fëmijët. Në vitin 1931 u martua me Jorgjicën, një grua besnike, punëtore, e dashur dhe e respektuar në shoqëri e në marrëdhënie me njerëzit. Rriti dhe edukoi katër fëmijë, të cilët i mbeten jetimë kur u vra i shoqi. Ishte shumë e vështirë të rriste katër fëmijë, të orientohej e të përballonte edhe pasojat e luftës ashpër klasore të diskriminimit, izolimit e persekutimit në kohën e monizmit. I mbeti gjysma e pasurisë dhe e shtëpisë, se gjysmën ia sekuestruan. Këto fatkeqësi kësaj gruaje i erdhën pas datës 25 prill të vitit 1944, kur prifti Dhimitër Leka u martirizua, u vra nga forcat komuniste partizane të Brig.VI.

Ishin ditët e festimit të Ngjalljes së Krishtit, Pashkët. Dhimitri qysh herët në mëngjes veshi uniformën e kishës dhe shkoi të bënte liturgjinë e ditës së bekuar me plot njerëz e besimarë. Pas ceremonisë disa kungoheshin, disa faleshin e të tjerë dilnin, gëzonin ditët e mira.

Por papritur, në të mbaruar të meshës në kulmin e kësaj feste disa partizanë e arrestojnë. E morën dhe e çojnë në shtëpinë pranë kishës së Markajve, mbështetëse e luftës. Në këto rrethana kush nuk u çudit? Kush nuk shtangu? U trondit? Të gjithë u ngurosën! U shpërndanë besimtarët e moshave të ndryshme, por me një ankth e pasiguri, ndoshta dhe me një farë shprese!

Brenda në shtëpi u improvizua një si trup “gjykues”, “gjyq”. Dhe aty për aty jepet vendimi; je i dënuar me vdekje, – “në emër të popullit” armik i tij, filogrek, agjitacion e propagandë. Këto ishin akuzat, krejt të rreme dhe të sajuara. Prifti qëndron kryelartë, i qetë, pasi ishte i ndërgjegjshëm se s’kishte bërë gjë dhe s’kishte pse ta vrisnin. Shumë ditë më parë ishte sinjalizuar a informuar nga ndonjë shok a mik, që edhe mund të pësonte gjë. Orientimet ishin të dhëna nga udhëheqja komuniste se duhet të terrorizohen dy a tri veta në çdo fshat, që të mund të sigurohej mbështetje. Po prifti s’e besonte, se s’kishte bërë gjë. Bile e shoqja, e ëma e ndonjë tjetër mik i patën thënë që të ikte, të arratisej, por ai nuk u largua nga fshati, fëmijët, atdheu.

Pas disa orësh e morën të arrestuar. Rrugës për në Kuç, nga veriu i fshatit dhe dy-tri kilometra atje në përrua të fshatit, i hoqën kapelen dhe e vranë pranë një shkëmbi të palëvizur.

Ndërkohë ishin alarmuar banorët e fshatit, u trondit i madh e i vogël. Dolën duke britur e thirrur: “Na morën priftin, do e vrasin, por të mos e lëmë…”. U mblodhën burrat e fshatit për gjëmën që po ngjante. Zgjodhën katër-pesë burra si të dërguar të fshatit, të cilët shkuan në Kuç, ku ishte komanda e brigadës, tek xha Jahua, komandanti. Morën urdhër që të mos vritej, por ishte vonë. Në të kthyer, aty tek përroi i fshatit, e gjetën të mbuluar me gjak. Të gjithë bashkë e morën trupin pa jetë të priftit dhe e çuan në shtëpi.

Fshati dhe familja i bëri nderet që i përkisnin. Qanin të gjithë, por mëmë Vathia i thotë:
Të vranë, o prift të vranë,
Mbet shtëpia pa komandë,
Edhe kisha pa kambanë…!

Por në kontrast, aty pranë shtëpisë tek shkolla e vjetër, disa partizanë këndonin…

U varros prifti të nesërmen, pa shërbesë, siç u kishte bërë ai të tjerëve. Sot konsiderohet i martirizuar pa faj dhe njeriu me tre varre: vendi që u vra, që familja, njerëzit besimtarë, sa herë që shkojnë qëndrojnë, vendosin një lule a derdhin lot; varri i dytë ishte ai në varrezat e fshatit, kurse i fundit, pas vitit 1990, djemtë që banojnë në Sarandë, e sollën aty dhe e bashkuan me të shoqen Jorgjicën, pas vdekjes më 1997.

Fëmijët, nipër e mbesa, që ka plot, shkojnë e kujtojnë dhe s’e harrojnë!

Pas vdekjes dihen pasojat, por falë qëndrimit e punës së lavdërueshme të gruas së tij, gjithë fëmijët e tij mbijetuan me nder e respekt.

Arsen Kaburi