Më 17 janar 2023 u kujtua 555-vjetori i fjetjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Me këtë rast po botojmë këtë shkrim të 30 viteve mëparë, të teologut Dhimitër Beduli.
Jeta e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) dhe periudha e lavdishme në të cilën ai jetoi e veproi vlen që të vihet vazhdimisht në dukje e të studiohet, sepse ndihmon në plotësimin e kuadrit historik të kësaj periudhe.
Disa të dhëna lidhur me të gjenden dhe në veprën agjiografike orthodhokse: “Jeta dhe veprimtaria e Nifonit, Patriark i Konstandinopojës”, shkruar nga fillimi i shek. XVI. Pjesën që i takon vendit tonë, e kemi nxjerrë nga botimi i fundit i veprës në gjuhën rumune më 1937, nga Tit Simedrea. Përmbajtja e saj është si vijon:
“… Dhe Zaharia me Nifonin, si ndenjën pak kohë atje (në Ohër), deshën të shkojnë në vendin e Askulunit (këtu nënkuptohet: Shqipëria) me ata u bashkuan dhe shumë të tjerë. Dhe u nisën nga Justiniana, disa nga ana e tokës, disa me anije dhe arritën në një qytet të madh me emrin Durrës, i cili është në vendin e Askulunit dhe që andej u ngjitën në qytetin e Krujës, rreth 6 milje larg nga Durrësi. Dhe vanë te Gjergji, prijës i Shqipërisë, i cili quhej Skënderbe dhe i pranoi me gëzim të madh e me dashuri, sepse ky edhe më përpara kish dëgjuar përjetën e tyre, që ta ketë (Zaharinë) atë shpirtëror dhe mësues dhe edukator për të gjithë njerëzit dhe organizator të shpëtimit të të gjithëve, ndërsa Nifonin, me bekimin e kryepriftit të Krujës e bëri prift atje, duke e dorëzuar, si edhe vetë arhiereun (kryepriftin), i del e lumturi patriark Nikolla…
Pas pak kohe u ngritën turqit nga Lindja dhe pushtuan të gjithë viset drejt Perëndimit, pikërisht gjer në detin e Oqeanit dhe në Shqipëri, dhe çdokënd që gjenin e thernin, çdo gjë e plaçkitnin dhe i vinin zjarrin. Njerëzit, pra, iknin nga mundte secili. Dhe etërit e lumur (Zaharia me Nifonin) lanë Shqipërinë dhe erdhën përsëri në qytetin e madh të Ohrit.”
Kjo është përmbajtja sipas variantit të botuar nga Tit Simendrea. Por edhe sipas një varianti tjetër që disponojmë, të botuar në mënyrë përmbledhëse nga N. A. Konstandinesku, del e njëjta përmbajtje. Paraqesim në vijim dhe këtë variant të dytë:
“… Të dy miqtë lanë Artën për një udhëtim më të gjatë, duke u ndalur pak kohë në Justinianë, ku ishte qendra e patriarkut orthodhoks, nga i cili vareshin bullgarët, serbët dhe shqiptarët.
Meqenëse qyteti ishte nën sundimin e turqve, të dy kallogjerët u drejtuan për në Shqipërinë e lirë të Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe: ata arrijnë në vendqëndrimin e tij, në qytetin Krujë, pasi kaluan Durrësin dhe u pritnë shumë mirë në oborrin e tij: Zaharinë e bëri atë shpirtëror të tijin dhe Nifonin – prift…
Por valët e luftës myslimane ua prishën edhe këtu qetësinë; bota ikte e tmerruar prej hordhive turke, duke kërkuar shpëtim në det ose në shpellat e maleve. Nën mbrojtjen e rrobës së kallogjerit, ata u kthyen në Ohër…”
Natyrisht kjo pjesë, në të dyja variantet e saj që njohim deri tani, nuk përmban ndonjë gjë të re dhe të rëndësishme për kohën dhe jetën e Skënderbeut. E reja qëndron, në radhë të parë, në atë që fondit të burimeve historike për këtë periudhë të shkëlqyer të historisë sonë kombëtare, i shtohet dhe një dokument tjetër me prejardhje nga arkivat e pagjurmuara akoma mirë të Ajonorosit, me të cilin familja e Kastriotëve ka pasur, siç dihet, lidhje të vazhdueshme.
Megjithatë, mendojmë se edhe në këtë pjesë ka disa elemente të reja, të konfirmuara edhe nga burime të tjera, rreth gjendjes kishtare të Krujës në kohën e Skënderbeut, të lidhjeve të saj me patriarkinë dhe mobilizimin e popullit në luftën kundër turqve.
Në këtë pjesë përmenden emrat e dy klerikëve orthodhoksë, Zaharisë dhe Nifonit, përjetën e të cilëve Skënderbeu kishte dëgjuar edhe më parë.
Nga të dhënat biografike del se Nifoni ishte shqiptar nga gjaku, në mos edhe Zaharia, duke marrë parasysh faktin se, gjatë qëndrimit të tij në Krujë, u ngarkua me misionin e atit shpirtëror, i cili kërkon që të dish gjuhën e popullit.
Nga teksti nuk del e qartë as koha e ardhjes së tyre në Krujë, dhe as koha e largimit prej saj.
Për sa i përket ardhjes, duke marrë parasysh edhe moshën e Nifonit, i cili ka lindur rreth vitit 1434, ajo duhet të ketë ndodhur nga viti 1458-1460, gjatë apogjeut të fitoreve të popullit tonë, ndërsa largimi duhet të ketë ndodhur gjatë vitit 1466, sepse këtë vit ata gjenden përsëri në Ohër, në manastirin e Shën Marisë, ku gjendej edhe selia e Patriarkanës. Kjo del dhe nga përmendja në tekst e ardhjes së turqve në Shqipëri, në qershor të vitit 1466, me në krye vetë Sulltan Mehmetin II, i cili i shkaktoi vendit dëme të mëdha.
Se ç’i ka shtyrë këta dy klerikë të shkojnë në Krujë, madje “bashkë dhe me shumë të tjerë”, kjo, besojmë se kuptohet nga ngjarjet e kohës.
Pushtimi i Konstandinopojës në maj të vitit 1453, nga Sulltan Mehmeti II, që i dha fund perandorisë mijëvjeçare bizantine, kishte shkaktuar panik dhe dëshpërim të madh si në popujt e Ballkanit, ashtu dhe në të gjithë Evropën.
E vetmja kala e pamposhtur në Ballkan, e vetmja shkëndijë e fortë që ndizte zjarrin e luftës kundër pushtuesit, për të marrë mbrapsht lirinë dhe qytetërimin, ishte Shqipëria dhe populli i saj i vogël, por heroik, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit.
Çdo fitore e popullit tonë kundër turqve pritej me padurim dhe përhapej me shpejtësi të rrufeshme, duke shkaktuar jehonë të madhe dhe admirim në popujt e shtypur, ngjallte shpresa dhe nxiste për luftë çdo njeri, të cilit i dhimbseshin liria, atdheu, traditat.
Pikërisht nga këto shkaqe u nisën dhe Zaharia me Nifonin dhe erdhën në Shqipërinë e lirë të Gjergj Kastriotit, në Krujën kreshnike, për t’i shërbyer edhe ata sadopak kauzës së përbashkët.
Mund të shtojmë se fenomene të tilla në këtë kohë janë të pakta. Një funksion të tillë si vatra që kishin mbetur të lira dhe ku kërkonin strehim dhe mundësinë për të vazhduar veprimtarinë e tyre shumë persona të ikur nga vendet e pushtuara, e loznin dhe principata e Vllahisë dhe ajo e Moldavisë. Edhe kthimi më 1466 nga Kruja në Ohër i dy personave në fjalë nuk mund të ketë qenë pa qëllim, pa ndonjë mision të posaçëm nga ana e Skënderbeut, i cili, në këtë kohë, për t’i bërë ballë gjendjes kritike në të cilën ndodhej vendi, u bëri thirrje të fundit për luftë e bashkëpunim të gjithë aleatëve dhe fqinjëve të tij.
Nuk përjashtohet supozimi se ata të jenë dërguar për t’u lidhur me krerët e Ohrit nëpërmjet kryepiskopit për ndonjë kryengritje, e cila në fakt do të jetë organizuar, por ka dështuar, sepse siç mësojmë nga një kronikë e kohës në gjuhën sllave, Sulltan Mehmeti II, më 1466, kur po kthehej nga Shqipëria, dha urdhër që kryepiskopi i Ohrit, Dhorotheu, bashkë me shumë krerë dhe klerikë të vendit, të internoheshin në Stamboll. Ndërmjet të internuarve kanë qenë dhe Zaharia me Nifonin.
Nga pjesa që u përmend del se, Kruja, në kohën e Skënderbeut, ishte një nga të paktat qendra episkopale orthodhokse në territore të lira, në mos e vetmja, e cila luante edhe rol të rëndësishëm në mobilizimin e popullit në luftën kundër turqve, pavarësisht nga përpjekjet që bënte Roma, duke përfituar nga rrethanat politike, për të tërhequr shqiptarët nën ndikimin e saj.
Këtë aspekt kaq të rëndësishëm për atë periudhë ishte e pamundur të mos e shfrytëzonte Gjergj Kastrioti në favor të mbrojtjes së atdheut, duke përdorur klerikët me influencë në detyra dhe misione të ndryshme, siç ishte rasti i Zaharisë dhe i Nifonit ose i episkopit Stefan në nënshkrimin e traktatit të Gaetës, më 1451, si dhe i të tjerëve për anën orthodhokse, apo i Pal Engjëllit, kur ishte fjala për marrëdhëniet me Romën.