EmailFacebookKontakt

Priftëria

Me kuptimin e plotë që ka fjala prift, nuk ekziston tjetër, veçse vetëm një. Nuk ekziston tjetër veçse një prift, i cili, njëkohësisht, “ofron dhe ofrohet”, sipas thënies së Meshës sonë. Ai i vetmi prift është Jisu Krishti, Zoti dhe Shpëtimtari ynë. Kështu, si e përsërit me kaq forcë letra drejtuar Hebrenjve, sakrifica të cilën Jisu Krishti ofroi mbi Kryq, vuri fund në sakrificat dhe në priftëritë e hershme. Sakrifica e Krishtit, që ofroi një herë e përgjithomë tek Ati, zhduk dhe fshin gjithë mëkatet. Ky prift i lartë, Jisui, është i vetmi Ndërmjetues midis Perëndisë dhe njerëzve. Eshtë burimi i vetëm i Hirit.

Por Jisui deshi të bëjë njerëzit kungues në veprën shpëtimtare dhe shenjtëruese të tij. Nuk bëri trashëgimtarë të hirit të tij priftëror vetëm një grup të zgjedhur njerëzish. Apostull Petri u drejtohet të gjithë të krishterëve dhe u thotë: “edhe ju… një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jisu Krishtit… ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore”. (1 Petr, 2:5,9). Pra mundemi të flasim me një kuptim realist për priftërinë ekumenike. Çdo njeri është me të vërtetë prift, me kuptimin se mund të bashkohet me ofertën priftërore dhe me ndërmjetimin e Jisu Krishtit.

Çdo pjesëtar i Trupit Mistik të Krishtit me të qënurit direkt i bashkuar me kreun e Trupit d.m.th. me personin e Jisuit, merr pjesë në jetën priftërore dhe në sakrificën e vdekjes së Shpëtimtarit. Çdo besimtar mund të ofrojë një Meshë të brendshme dhe të padukshme, përderisa merr pjesë në ofertën që Jisui nisi të ofrojë në tokë dhe e vazhdon përjetësisht në qiell. Sa do të ripërtërihej dhe do të forcohej shpresëtaria e besimtarëve, nëse do të llogarisnin me të vërtetë se në misteret e shenjta nuk janë thjesht “prezent” ose “spektatorë”, por dhe pjesëtarë!

Por disa njerëz janë meshtarë të mistereve me një kuptim të veçantë. Në vitet e para të Kishës episkopët, priftërinjtë dhe dhjakonët u caktuan për të vazhduar veprën e apostujve. Ishin të ngarkuar me paraqitjen, nëse ishte e mundur, pa ndërprerë traditën e besimit apostolik, të derejtojnë Kishat vendore, të jenë mbartës dhe të mjeteve të jashtme dhe të dukshme të këtij Hiri të padukshëm priftëror, administrues i të cilit është gjithë Kisha, laikë dhe klerikë. Ata mbeten të zgjedhurit e Kishës, që të realizojnë në emrin e Tij, veprat e shenjta. Janë transmetues të Fjalës dhe të mistereve. Priftëria e tyre nuk është e ndryshme në thelb nga priftëria e gjithë besimtarëve, por kanë marrë një mision të veçantë të Kishës, që të shprehin dhe të plotësojnë me atë, priftërinë e përgjithshme. Pranojnë një hir të veçantë me të cilin është lidhur me atë vepra e hapur.

Priftëria e përgjithshme si dhe priftëria e veçantë e të zgjedhurve burojnë që të dyja nga priftëria e vetme e Krishtit. Episkopi dhe prifti nuk bëjnë gjë tjetër, veçse vendosin në një vend të caktuar të rruzullit dhe në një moment të caktuar të kohës Ndërmjetimin e Përjetshëm të Jisuit. Sa më shumë është bashkuar me personin dhe veprën e Shpëtimtarit aq më shumë është prift. Eshtë e vërtetë se funksioni priftëror mund të realizohet shpejt nga një prift i padenjë. Por, sa largohet ky prift nga dëshira e Jisuit! Pra fillimi i çdo mendimi në lidhje me priftërinë duhet të jetë ky: Nuk mund të jetë asnjë prift “sipas zemrës” së Perëndisë, veçse vetëm kur bëhet NJË me Jisuin, priftin e vetëm.

Zot, pohoj se nuk vlej të jem një nga meshtarët e tu, të ngarkuar me ushtrimin e dukshëm të priftërisë së përgjithshme të Kishës. Një i porositur i tillë detyrohet më mirë nga të tjerët, të cilët përfaqëson. Në të kundërt, jam më fajtor nga ata, sepse më janë ofruar drita dhe dhurata më të mëdha. Këto dhurata shpesh i kam nënvleftësuar, shpesh i kam përlyer. Nuk jam prift, veçse një pjesëmarrës në priftërinë tënde absolute të shenjtë. Të them se kaq shpesh gjendem larg Teje, duke dashur atë që Ti nuk do, largohem nga ajo që Ti do, duke plagosur shpirtrat me atë dorë që Ti caktove të bekojë dhe të shërojë.

Zot, pohoj fatkeqësinë time të madhe. Bëj ose ribëj nga unë një prift, duke e tërhequr drejt vetes sate, Priftit të vetëm, Episkopit më të lartë të shpirtrave tanë.

Përktheu: Dhjakon Jani Terziu