NGA JETA E KISHËS
Prezantohet volumi i parë i Enciklopedisë Orthodhokse
Në kuadrin e 2000-vjetorit të Krishterimit, Patrikana e Moskës ka nisur publikimin e një Enciklopedie mjaft të gjerë Orthodhokse, në 25 volume.
Ceremonia e prezantimit në publik të volumit të parë u realizua në prani të Patrikut Aleksej, në Bazilikën e Krishtit Shpëtimtar, në Moskë. Në të merrnin pjesë shumë personalitete politike dhe religjioze, të botës së shkencës e artit etj.
Në fjalën e tij, Patriku Aleksej theksoi, se botimi kishte dy qëllime: nga një anë të bëntë një përmbledhje të dijeve për teologjinë, historinë e kulturën e Krishterimit Orthodhoks dhe, nga ana tjetër, t’ia transmetojë ato brezave të ardhshëm.
Volumi i parë i Enciklopedisë i dedikohet tërësisht historisë së Kishës Orthodhokse Ruse. Ai përmban qindra artikuj dhe të dhëna për të gjithë shenjtorët rusë dhe figura të shquara të historisë së Kishës.
Kapituj të veçantë i janë rezervuar historisë së dokumenteve kishtare, artit të shenjtë, marëdhënieve Kishë-Shtet etj. Volumi përmban edhe rreth 700 ilustrime.
Volumi i dytë, i pari që ndjek rendin alfabetik, eshtë tashmë në procesin e botimit dhe duhet të dalë në qarkullim në tetor të këtij viti. Ai do ketë 12500 zëra, më shumë se një e treta i kushtuar Krishterimit të vjetër dhe periudhës bizantine; një e treta orthodhoksisë ruse dhe pjesa tjetër kishave territoriale të Ballkanit dhe historisë së krishterimit perëndimor.
Vendosur nën patronazhin e Patrikut Aleksej dhe kryetarit të Bashkisë së Moskës, Enciklopedia Orthodhokse po realizohet nga Qendra shkencore e Kishës, që ka botuar tashmë një Histori të gjerë të Kishës Orthodhokse Ruse, në nëntë volume. Ajo ishte parashikuar të botohej me financime private, por kur u pa gjerësia dhe rëndësia e projektit Presidenti Putin vuri në dispozicion 18 milionë rubla nga buxheti i shtetit, ndërsa bashkia e Moskës dhuroi 2 milion rubla dhe ofroi lehtësira në infrastukturë.
Botimi i një enciklopedie të tillë kishte nisur në fillim të shekullit, por ishte ndalur në vitin 1911, tek gërma K.