Në dt. 28 Nëntor – 1 Dhjetor 2024, në Selanik u zhvillua Konferenca IX Ndërkombëtare e Institutit të Muzikologjisë Bizantine të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, me temë: “Teoria dhe Praktika e Artit Psaltik; Shkollat, Programet dhe Mësimdhënia e Muzikës Bizantine”.
Me lejen e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, z. Jeronim, dhe nën kujdesin e Mitropolitit të Selanikut, z. Filothe, u organizua konferencës nga Instituti i Muzikologjisë Bizantine të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, nën drejtimin e prof. asoc. z. Grigori Anastasiou, të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistriak të Athinës, në bashkëpunim me Mitropolinë e Shenjtë të Selanikut. Ky event mblodhi qindra muzikologë, studiues, psaltë dhe studentë të muzikës bizantine, të cilët ndoqën punimet e konferencës, që u zhvilluan në Qendrën e Konferencave të Institutit Arsimor dhe Kulturor “Shën Grigor Pallamai”, si dhe në kishat historike të qytetit, me aktivitete muzikore nga kore të ndryshme.
Gjatë çelje të konferencës u lexua fjala përshëndetëse e Patriarkut Ekumenik të Konstandinopojës, z. Bartholome, si dhe ajo e Kryepiskopit të Athinës dhe të Gjithë Greqisë, z. Jeronim. Pjesëmarrja ishte mjaft e gjerë, me përfaqësues të Patriarkanave (të Konstandinopojës, të Antiokisë, Rumanisë dhe Serbisë), të Kishave Autoqefale (të Shqipërisë), të Kryepiskopatave dhe Mitropolive (të Amerikës, Ukrainës, Austrisë etj.), si dhe mbi tridhjetë Mitropoli të Kishës së Greqisë, qoftë si referues apo delegatë. Përgjatë tri ditëve të konferencës u mbajtën 68 referate në 18 seanca, duke mbuluar një gamë të gjerë temash. Ndër temat kryesore ishin: Historia e mësimdhënies së psaltikës, pedagogjia moderne dhe mësimi i Artit Psaltik, mësimdhënia për nevoja të veçanta, teknologjitë moderne dhe aplikimi i tyre në muzikë, shkollat dhe traditat lokale të muzikës bizantine, si dhe repertori psaltik.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga drejtori dhe pedagogu i Shkollës së Muzikës Bizantine, muzikologu bizantin Ph.D.c Theodhor Peci. Ai u prit nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me një mikpritje dhe një vlerësim të veçantë për veprën muzikore dhe liturgjike që kryet në Kishën tonë. Gjatë bisedave të shumta mes pjesëmarrësve u shpalos admirimi dhe vlerësimi i madh kundrejt figurës së jashtëzakonshme të Forlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në tërësi, por edhe për nismat dhe rezultatet e arritura të Artit muzikor bizantin, të cilat kanë bërë jehonë të madhe në arenën orthodhokse ndërkombëtare.
Z. Theodhor Peci mbajti referim në dt. 29 nëntor, gjatë sesionit të 5-të të konferencës, me temë: “Edukimi novator i Psaltëve të hirshëm në Kishën e Shqipërisë: Ndërlidhja e Traditës me Vizionin”. Interesi i veçantë i dëgjuesve për temën në fjalë u dëshmua nga pyetjet e shumta nga auditori në fund të sesionit, në lidhje me kurrikulën e shkollës, përgatitjen e psaltëve, përkthimin dhe kompozimin e repertorit psaltik në gjuhën shqipe dhe me vizionin e këtij arti muzikor në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj teme u evidentuan tri vlerat themelore të Orthodhoksisë, ashtu siç thekson vazhdimisht Kryepiskopi Anastas:
• E Vërteta, që shprehet përmes saktësisë teologjike dhe mësimeve të Kishës.
• Dashuria, që realizohet përmes bamirësisë dhe solidaritetit ndaj tjetrit.
• E bukura, që shfaqet përmes artit, arkitekturës, pikturës dhe sidomos përmes muzikës bizantine, e cila përbën një traditë të gjallë dhe një urë shpirtërore drejt hyjnores.
Th. P.