Gjatë vizitës së tij disaditore në Francë, Patriku Ekumenik Varthollomeu I u prit nga presidenti i Francës Zhak Shirak. Çështjet që mbizotëruan në takimin e tyre, që zgjati përtej çdo parashikimi (1 orë e gjysëm nga 30 minuta që ishte programuar), ishin dimensioni shpirtëror i mesazhit të Kishës Orthodhokse, roli që mund të lozë Kisha në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, zbutja e pasioneve dhe tensioneve nacionaliste etj.
Mjete të ndryshme informacioni bënë të ditur se në takimin e tyre Patriku Varthollomeu dhe Presidenti Shirak diskutuan gjerësisht edhe për çështje të bashkëpunimit dhe integrimit të vendeve të Evropës Lindore me ato të Evropës Perëndimore, në kushtet e reja të pas luftës së ftohtë. Lindja, u theksua gjatë bisedimeve, duhet të integrohet në një mënyrë të re me Perëndimin, mënyrë që do të nxjerrë në pah kontributin pozitiv të të dy anëve dhe që do të përjashtojë çdo përplasje dhe destabilizim.
Vizita e Tërëshenjtërisë së tij Patrikut Ekumenik Varthollomeu I në Francë, e cilësuar nga mjetet e informacionit si shumë e suksesshme, ishte e mbushur me takime dhe bisedime të shumta me autoritete fetare dhe shtetërore të Francës.