Në datën 19 shkurt 2024, gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit, Presidenti i Republikës z. Bajram Begaj i kushtoi një rëndësi të veçantë kulturës së dialogut dhe respektit ndërfetar duke u takuar me drejtuesit e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, e cila njihet për veprimtari të përbashkët në çështjet e komunitetit dhe shkëmbimit të vlerave fetare.
Një ndër shumë veprimtaritë e kësaj Qendre është dhe Marshimi i Paqes, një aktivitet ky simbol i ndërveprimit qytetar të të gjithë besimeve fetare.
Presidenti Begaj e cilësoi këtë si një model të harmonisë ndërfetare mes shqiptarëve.
“Jam i gëzuar që keni këtë harmoni ndërfetare dhe ndani së bashku vlerat fetare: besimin dhe vëllazërinë, respektin ndaj njeri-tjetrit. Faleminderit për këtë që bëni, për vlerat që përcillni. Të promovosh vlerën kundrejt antivlerës është mision i vështirë, por i shenjtë edhe pse i kushtueshëm. Ne jemi njerëz të ndryshëm, me bindje fetare të ndryshme, por kjo nuk mund, e nuk duhet të na ndalojë të ulemi së bashku, të dialogojmë. Unë e shoh këtë organizim tuajin si model të përcjelljes së vlerave, në ndihmë e dobi të njerëzve. Përshëndes shumë Marshimin e çdo fillim viti që ju organizoni, që është i jashtëzakonshëm, është modeli i paqes dhe respektit ndërfetar.”
Th. Dh.
Në datë 19.2.2024, gjatë vizitës së Presidentit, Sh.t.Z. Bajram Begaj në qytetin e Elbasanit, ndër të tjera vizitoi edhe Manastirin historik të Shën Joan Vladimirit, në fshatin Shijon. Presidenti dhe Zonja e Parë ishin të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja dhe nga Prefektja, zj. Majlinda Perriu.
Presidenti dhe të pranishmit u pritën ngrohtësisht nga prifti përgjegjës i manastirit, atë Irine Gega, i cili u foli edhe për historinë e tij. Më pas, ata ndezën një qiri dhe panë dhe nderuan lipsanet e Shën Joan Vladimirit.