EmailFacebookKontakt

Premierë për Krishtlindje në Radio “Ngjallja”

Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, në datën 24 dhjetor, në faqen e Radios “Ngjallja” në Facebook, u transmetua premiera me titull: “Lutje në Lindjen e Krishtit Shpëtimtar”, me pjesëmarrjen e aktorëve Luiza Xhuvani dhe Kristian Koroveshi, në shoqërimin e korit bizantin të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë dhe praninë e Arkimandrit Anastasit. Ky ishte prodhim i Radios “Ngjallja”, i ideuar nga Kristian Koroveshi dhe me regji të Erald Nallbanit.

Ishte një mbrëmje lutjeje në këtë periudhë të vështirë, që është duke kaluar e gjithë bota për shkak të pandemisë Covid-19, por edhe për më shumë shpresë e gëzim në këto ditë festash.

Kjo premierë u mbajt në kishëzën “Lindja e Krishtit”, pjesë e kompleksit të Katedrales. Mbrëmja ishte konceptuar nga artistët si një ndërthurje e tekstit fetar me poezi të Iliriana Zhupës, Timo Fllokos dhe Johan Vupës, duke iu lutur figurës së Shpëtimtarit për Vitin e Ri 2021, për më shumë dashuri e paqe mes njerëzve.

“U bëmë bashkë për t’iu lutur Krishtit, në formë artistike dhe sociale, që në këto ditë festash të bëhen bashkë të gjitha dimensionet e qenies së njeriut, arti, besimi dhe shpirti. Edhe vetë besimi është një akt dashurie, kjo është një dashuri për Zotin, për veten, se njeriu vjen në kishë për të pasur gëzim edhe shpresë. Kjo ishte ideja ime”, tha Koroveshi.

Atë Grigor Pelushi