Jam përsëri pranë detit. E, teksa një tingull kaltërosh prej tij, feks në dorën time të kupëzuar, me vete më rrëmben çasti mendimendjellës…
Dikur, i Ligu endej nëpër ujëra e në to çelnin veç korale të pikëlluara, që shkeleshin mizorisht prej qenieve tmerrmbjellëse me bishtra, gjuhëra, koka gjarpërinjsh. Dikur, prej ujërave, e Keqja hynte në damarët e tokës, ajrit, në gjithë Krijimin! Në të gjithë Krijimin!!! E Keqja – kudo prej ujit! Rruzulli verbërohej në muzgun e errët, pranë një humnere.
Befas, mes smogut të zi, me shtatin e së Vërtetës, me sytë e Dashurisë, me fjalët e Jetës, u shfaq mbi dhe’ Ai, që në duar mbante Trëndafilin me aromë Jetëdhënëse. Preku me të natën e vrazhdtë dhe shkëlqeu pranë Jordanit duke shenjtëruar me Pamëkatshmërinë e Tij të kristaltë. U trondit Bisha e Lashtë, kur pa mes ujit, Arin e Panjollshëm tek zhdukte Ligatën me stërhollimet e saj.
U zgjua njerëzimi prej letargjisë së tij dhe pa një Pëllumb, Që lajmëronte Shpëtimin, dëgjoi Zërin Hyjnor dhe ndjeu rendjen e gjithkundshme të Bekimit. Prej ujit – kudo Bekimi! Prej Tij!
Sot, në ditën e vazhdimësisë, kur me anën e Kryqit të Shenjtë, zbret Bekimi në ujë, në shpirtra… munda të dëgjoj një fëshfërimë të ëmbël Drite!
Qetësia e detit ma ngujon shikimin në horizontin e tejshëm. Duke parë qiellin, tek bashkohet me detin, ndiej çapin e lehtë të një simboli. Horizonti fton për përmasa madhështore. Me detin, me ujin, me tokën bashkohet Qielli! Profeci e lindur me natyrën.
E ngazëllyer prej buqetave qiellore, e flladitur prej këngës së këmbanave, kapërcej kufirin e skajshëm dhe lotoj… “Në fillim Perëndia krijoi tokën dhe qiellin.” (Zanafilla 1:1).
Efrosina Noti