EmailFacebookKontakt

Predikues të ruajtjes së besimit të krishterë orthodhoks

…Vala intensive e islamizimit nuk kishte se si të mos shqetësonte klerikë dhe murgj orthodhoksë, të cilët me veprimtarinë e tyre morën përsipër riskun për të frenuar ose të paktën për të ngadalësuar këtë valë. Gjatë fundit të shek. XVII dhe fillimit të shek. XVIII, i pari që veproi për të bindur besimtarët orthodhoks të Drinopojës që të mos braktisnin besimin e tyre ishte Episkopi Sofiano.

Koha dhe vendi i lindjes së Sofianoit mbeten të panjohura, siç nuk dihet as edhe viti kur u ngjit në fronin e Drinopojës. Dëshmia e parë historike për të del në vitin 1672 kur ndërton një shkollë në manastirin e Shën Athanasit në fshatin Poliçan. Për veprimtarinë e tij si Episkop i Drinopojës nuk kemi të dhëna, megjithatë dimë se heq dorë prej fronit episkopal dhe vendoset në Manastirin e Shën Athanasit, ku jeton si murg me Skimë të Madhe deri në vdekjen e tij në vitin 1711. Ky Manastir shërbeu edhe si qendra e veprimtarisë së tij. Prej andej ai predikonte tek të krishterët e zonës me qëllim forcimin e tyre në besim dhe shmangien e konvertimit në islam. Nga ana tjetër ai ia doli që të përqendronte të gjithë myslimanët e zonës së Zagorisë në fshatin Malshovë, duke ruajtur homogjenitetin fetar të fshatrave të tjerë dhe eliminuar prej tyre çdo ndikim mysliman. Aq e fuqishme ishte fjala e tij saqë edhe pas vdekjes ishte ende e rrënjosur tek të krishterët e Zagorisë dhe Rëzës gjatë viteve 1730-1735, kur ata përballuan me sukses presionin e madh për islamizimin, që vinte prej të konvertuarve të zonave përreth. Sofianoi, përveçse një hierark i denjë për grigjën e tij ishte dhe një personalitet i respektuar edhe për myslimanët e zonës, të cilët e konsideronin si shenjtor. Po aq i respektuar ishte edhe për të krishterët, të cilët duke çmuar veprimtarinë e tij e konsiderojnë atë si shenjtor lokal, duke nderuar kujtimin e tij çdo 26 nëntor. Prej shumë studiuesve Sofianoi konsiderohet si pararendës i Shën Kozmait të Etolisë apo të Kollkondasit, i cili sikurse Sofianoi veproi për frenimin e islamizimit jo vetëm në zonën e Drinopojës, por në të gjithë hapësirën e Shqipërisë së Jugut deri në Shqipërinë e Mesme.

Vlen që të përmendim shkurtimisht edhe disa aspekte nga biografia dhe veprimtaria e Nektar Terpos, hieromonakut nga Voskopoja, i cili sikurse Sofianoi konsiderohet si pararendës i Shën Kozmait. …Mendojmë se është e rëndësishme që të hedhim pakëz dritë mbi figurën e tij, e cila është trajtuar fare pak prej historiografisë shqiptare. Me fjalën e tij të zjarrtë, të mbushur plot hir dhe dashuri për Krishtin dhe të afërmin, ai shpëtoi shumë shpirtra orthodhoksësh prej tundimit të apostazisë.

Lindi në Voskopojë në vitin 1690, në një familje të pasur. Shkronjat e para i mësoi në shkollat e vendlindjes dhe i plotësoi studimet e tij në Akademinë e Re. Në vitin 1709 gjendet në Skitin e Shën Anës në Malin e Shenjtë, ku përmendet si Nektar Hieromonaku, Voskopojari. Pasi largohet nga Mali i Shenjtë vendoset në Manastirin e Shën Naumit në Ohër dhe prej andej zhvendoset në Manastirin e Ardenicës në Myzeqe. Aty jetoi dhe veproi për një periudhë të madhe kohore si murg, atë shpirtëror dhe igumen. Si igumen Nektari u interesua për mbarëvajtjen e punëve të Manastirit.

Gjatë periudhës ku ai ishte igumen, Manastiri i Ardenicës njohu një zhvillim të madh dhe u bë një qendër shpirtërore e zonës me një veprimtari të gjerë sociale, arsimore dhe filantropike. Nga ky Manastir filloi edhe veprimtarinë e tij fetare midis viteve 1720-1730, kur një pjesë e mirë e shqiptarëve, veçanërisht ata të Shqipërisë së mesme, ishin islamizuar.

Vështirësitë që Nektari hasi gjatë gjithë udhëtimeve të tij hierapostolike ishin të mëdha. Madje shumë herë rrezikoi edhe jetën. Në këtë pikë vlen për t’u përmendur episodi i tij në fshatin Dragot, të cilin e përmendëm më sipër. Në vitin 1730, Nektari shkon në Venedik, ku dy vite më vonë boton librin e famshëm “Pistis” (Besimi). Siç vetë ai shkruan, këtë libër nuk e shkroi për “njerëzit e ditur dhe të arsimuar, por për fshatarët dhe të paarsimuarit, pasi në ato vende të Turqisë gjenden të krishterë, të cilët mashtrohen dhe mohojnë Krishtin për t’u lehtësuar nga taksat dhe në këtë mënyrë jepen tek duart e djallit”.

Interesante janë këshillat e Nektarit për popullin orthodhoks: “Unë do të të tregoj një mënyrë për të nxjerrë lehtësisht haraçin dhe të mos bëhesh turk dhe apostat i Perëndisë dhe i huaj për Kishën e Shenjtë të Krishtit. Së pari, puno më shumë nga zakonisht dhe së dyti përmbahu ndaj të ngrënave dhe të pirave. Dhe nëse mendon të blesh një okë peshk, mish, apo vaj, të marrësh vetëm gjysmën, për të mirën e shpirtit tënd…”.

Përveç veprës “Besimi”, Nektari shkroi edhe librin “Çështje të ndryshme teologjike me pyetje-përgjigje, të mbledhura prej shkrimeve të Athanasit të Madh dhe prej etërve të tjerë”, të cilin e botoi po në Venedik në vitin 1732. Pas botimit të këtyre dy veprave, nuk kemi shumë informacion për Nektar Terpon. Nuk e dimë nëse u kthye apo jo nga Venediku, ashtu siç nuk dimë as vendin dhe as kohën kur ndërroi jetë. Megjithatë vlen për t’u theksuar se vepra e tij e bëri atë të pavdekshëm. Ai luftoi me zell për besimin orthodhoks në një kohë kur ai rrezikonte të zhdukej prej zemrave dhe ndërgjegjes së orthodhoksëve shqiptarë. Përdori gjuhën e popullit, për t’i shpjeguar atij mesazhet e teologjisë dhe për të mbajtur Krishtin në shpirtin e tij.

Të dy këta predikues, Sofianoi e Nektari, kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për mbrojtjen e Krishterimit orthodhoks në hapësirën e Shqipërisë Jugore, megjithatë ai që do të linte më shumë gjurmë do të ishte Shën Kozmai…

Fragment studimi nga Pandeli Zeneli