EmailFacebookKontakt

Pranë njerëzve që në çastet e para

– Intervistë me përgjegjësen e Zyrës të ndihmës sociale dhe zhvillimit, “Diakonia Agapes”, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Penny Delijani. –

– Cilat qenë hapat e Kishës sonë dhe në veçanti, të Zyrës që ju drejtoni, për t’iu përgjigjur situatës së krijuar?

– Muajt e fundit Shqipëria përjetoi një krizë të thellë, e cila solli violencë dhe shkatërrim. Gjithë kjo lindi nevojën për ndihma të ndjeshme emergjente. Ndaj, për t’iu përgjigjur situatës, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën udhëheqjen shpirtërore dhe të vazhdueshme të Fortlumturisë së Tij, Kryeepiskopit Anastas, bëri organizimin e parë të gjerë në Shqipëri për shpërndarjen e këtyre ndihmave.

Që nga mesi i marsit Kisha jonë filloi shpërndarjen e ndihmave emergjente në disa nga zonat më të prekura. Kështu, në Korçë u dërguan ushqime e ilaçe për spitalin dhe jetimoren, në Gjirokastër në spital dhe azile, ndihma të tilla u dërguan edhe në Përmet, Sarandë, Kolonjë etj.

Deri në fund të prillit janë duke u shpërndarë më shumë se 160 tonë ndihma nga Greqia. Dhe, duhet vënë në dukje, se KOASH dhe më pas Kryqi i Kuq, ishin të parat organizma në gjendje të shpërndanin ndihmat në mars.

Në tre muajt e ardhshëm Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shpërndajë edhe rreth 350 tonë të tjera ndihmë emergjente, në të gjithë anët e vendit, me një vlerë mbi 1 milion dollarë.

– A ka burime të tjera?

– DA po punon për një projekt me Këshillin Botëror të kishave dhe IOCC (Organizata Ndërkombëtare Orthodhokse e Bamirësisë), që përmbledh Kishat Orthodhokse të Amerikës së Veriut, të cilat iu përgjigjën apelit të Kryepiskopit Anastas. Në bazë të tij do të shpërndahen ushqime dhe ndihma të tjera, me një vlerë 350 mijë dollarë.

– Ku do të çohen këto ndihma dhe si do të shpërndahen?

– Zonat në të cilat është planifikuar të çohen ato janë: Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Laçi etj. Në këto zona do të përcaktohen 3-4 mijë familje më në nevojë, të cilave, për një periudhë 3-mujore, do t’u jepet një ndihmë e përmuajshme në ushqime.

– Si do të realizohet shpërndarja?

– Po punojmë, në bashkëpunim me Kishat në secilën zonë, për të përcaktuar familjet më të varfra. Kuptohet se, sidomos në disa prej tyre, ekziston gjendje rreziku, që mund të prekë shpërndarjen e ndihmave. Për këtë, do kemi ndihmën e një eksperti të huaj, që ka punuar në Bosnjë gjatë luftës.

– Kjo ndihmë do të jepet vetëm për familje apo edhe për institucione?

– Ndihma e përmendur më lart, e organizuar nga DA, do të jetë specifike për familje të veçanta. Por shumë donacione të tjera, që hyjnë në programin e KOASH, do të përdoren për jetimore, azile, spitale etj. Dhe, dua të përsëris edhe një herë, në mbyllje, se Kryeepiskopi Anastas dhe Kisha jonë, qenë të gatshëm dhe në gjendje për t’iu përgjigjur situatës që në çastet e para, para gjithë organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.