EmailFacebookKontakt

Pranë atyre që kaluan kalvarin e luftës

Në mars 1999, në Kosovë shpërtheu kriza më e madhe që kishte parë Ballkani i pasluftës, që preku të gjitha vendet e rajonit. Por, mbi të gjitha ajo ra mbi supet e shqiptarëve. Dhuna solli në vendin tonë rreth 500 mijë kosovarë, kryesisht të moshuar, gra e sidomos fëmijë. Më një solidaritet të admirueshëm atyre iu hapën dyert e shtëpive dhe iu ofrua çdo ndihmë, megjithëse mundësitë e njerëzve dhe të vendit ishin të kufizuara…

Menjëherë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nëpërmjet personit të Kryepiskopit Anastas, apeloi për ndihmë imediate pranë gjithë organizatave e kishave të krishtera, me të cilat e lidhte një praktikë e gjatë pune në krizat që edhe më parë kishte kaluar vendi. Punë e përbashkët që kishte bërë të njohur botërisht aftësitë e Kishës sonë për të kontribuar me efikasitet në kapërcimin e tyre. Kështu, që në mars filloi ngritja e strukturave dhe u hartuan projektet e programet, që u bënë plotësisht operative ditët e para të prillit 1999. Për të drejtuar aktivitetin u krijua një njësi e posaçme nga Zyra “Shërbimi i Dashurisë” (Diakonia Agapis) e Kishës sonë dhe ACT, Zyra që mbulon emergjencat në Këshillin Botëror të Kishave. Ajo pati një personel prej 87 vetësh, shqiptarë dhe miq nga Danimarka, Anglia, Finlanda, Gjermania, Greqia, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.

Duke punuar me përkushtim, por edhe me një ndjenjë të thellë humanizmi të krishterë, u arrit që të plotësoheshin nevojat e një numri të madh të ardhurish, por edhe t’u qëndrohej atyre afër shpirtërisht, për t’i ndihmuar në kapërcimin e traumave të shkaktuara nga lufta. Një bilanc i përmbledhur i këtij aktiviteti të DA/ACT është:

– U shpërndanë 220 tonë ushqime, në zona të ndryshme të vendit, ku ishin vendosur të ardhurit.

– U bë mbështetja humanitare me ushqime, veshje etj., për rreth 20 mijë kosovarë të strehuar nëpër familje.

– U ngrit një kamp plotësisht funksional, me kushte për dimërim, për 1332 të ardhur dhe ishin në proces, për t’u vënë në punë nëse kriza do vazhdonte edhe disa kampe të tjera, me kapacitet 15 mijë vende.

– Në kampin e Ndroqit, në bashkëpunim me një grup mjekësh polakë e mjekë vendas u ngrit një spital i vogël, ku u trajtuan rreth 6 mijë persona etj.

– U bë kujdes për rreth 300 nëna të reja dhe fëmijët e tyre.

– Grupet e grave dhe rinisë orthodhokse të Kishës sonë, si dhe studentët e Akademisë Teologjike kontribuan vullnetarisht në paketimin e shpërndarjen e ushqimeve dhe gjërave të tjera të nevojshme, si në kampet ashtu edhe nëpër shtëpitë.

– Me kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre, programi vazhdoi edhe në Kosovë, duke çuar atje mbi 1500 tonë ndihma humanitare, 500 shtëpi të parafabrikuara prej druri të përshtatshme për stinën e ftohtë dhe mjaft projekte të tjera, kontribut që vazhdon edhe këto çaste.

– Kisha jonë ka në administrim edhe kampin me kushte më të mira strehimi në vend, atë Olimpia në Tiranë, ku janë të vendosur ende një numër të ardhurish, që e kishin të pamundur kthimin në shtëpitë e shkatërruara etj.

Programi vazhdon edhe sot, duke asistuar rreth 6000 persona të mbetur ende në Shqipëri, kryesisht në familjet pritëse dhe duke bërë reabilitimin e disa objekteve sociale.

Korresp. i “Ngjalljes”

Projektet e “vogla”

Krahas me ndihmën për të ardhurit, DA/ACT realizoi edhe një numër projektesh ndihme në zonat ku ata u vendosën. Kjo si për reabilitime në mjediset e strehimit në shkollat ku u arsimuan fëmijët kosovarë etj., ashtu edhe ndihmë për organizata e institucione të ndryshme. Këto projekte arrinin deri në shumën 8 mijë dollarë, duke shkuar në total mbi 150 mijë dollarë investim.

Kështu, ndër projektet më të rëndësishme ishin sponsorizimi në Shkodër i festivalit kombëtar të fëmijëve, ku kënduan edhe fëmijë nga Kosova dhe mbështetja për jetimoren e qytetit; ndihma për azilin dhe shtëpinë e njerëzve me probleme mendore në Gjirokastër; ndihma për jetimoren e Sarandës; për reabilitimin dhe pajisjen e klasave të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë; pajisje për Universitetin e Elbasanit; për shoqatën e grave me paaftësi fizike në Durrës; Shoqatën për luftën kundër tumoreve në Tiranë; shkollën 8-vjeçare të Qesaratit në Tepelenë; Shoqatën e jetimëve në Tiranë; Shkollën e fëmijëve me zhvillim të vonuar mendor në Durrës; ndihmë për spitali Pediatrik, shërbimin neurologjik etj., në Tiranë; shkollën 8-vjeçare M. Camaj në Shkodër; shkollër 8-vjeçare të Shtërmenit (Elbasan), qendrën sportive dhe shoqatën e Jetimëve në Elbasan etj.