AT LUKA VERONI
Shumë njerëz në gjithë botën lexojnë çdo ditë horoskopin nëpër gazeta. Në fakt disa prej tyre i besojnë atyre që shkruhen, të tjerë i besojnë pjesërisht, ndërsa disa e lexojnë horoskopin për argëtim. Por, çfarë është astrologjia?
Thonë se astrologjia është studimi i yjeve dhe planeteve për të treguar ndikimin e tyre në jetën e njerëzve. Thotë se astrologjia është e aftë për të përshkruar të ardhmen tonë në bazë të vendndodhjes së disa yjeve në kohën e lindjes sonë. Thonë se vendndodhja e yjeve dhe e planeteve në kohën e lindjes sonë do të përcaktojë karakterin tonë dhe do të ndikojë fuqishëm në jetën tonë të përditëshme. Madje kështu, astrologët, parathonë ngjarje dhe mundësi që mund të ndodhin në të ardhmen në jetën tonë. Për astrologjinë, vullneti i lirë i individit është i pavlefshëm. Jeta dhe gjithë ekzistenca jonë janë kryesisht të përcaktuara nga yjet dhe planetet.
Megjithatë është e rëndësishme të kuptojmë se astrologjia nuk është shkencë. Kohët e fundit, një grup prej 186 shkencëtarësh të njohur të Shteteve të Bashkuara botoi një deklaratë shumë të gjatë, që thotë: “ata që duan t’i besojnë astrologjisë duhet të dinë se nuk ka themel shkencor për ato që beson ajo… Eshtë gabim të imagjinosh se forca të vëna në veprim nga yjet dhe planetet në momentin e lindjes mund t’i japin formë në ndonjëfarë mënyre të ardhmes sonë. Po ashtu nuk është e vërtetë se vendndodhja e disa trupave qiellorë në largësi i bënë disa ditë më të favorshme për disa veprime apo përcakton marrëdhëniet e dikujt me të tjerët, sipas shenjave të cilat presupozohet se kanë lindur”.
Kisha gjithmonë ka mbajtur një qëndrim të rreptë kundër astrologjisë, sepse ajo beson se astrologjia jep mësime që janë në kundërshtim me mendimin e krishterë për lirinë njerëzore, për vetëvendosje dhe për fuqinë e Perëndisë, për të ndryshuar njerëzit. Që në shek. II, Kisha ka predikuar se astrologjia është një lloj idhujtarie.
Shumë njerëz që lexojnë horoskopin dhe libra për astrologjinë besojnë se është diçka e padëmshme. Ata mendojnë se ka një pjesë të vërtete në të dhe nuk ka asgjë të keqe t’i lexosh. Madje, disa njerëz tregojnë edhe raste kur parashikimet e astrologëve kanë qenë të sakta ose kur horoskopi na thotë diçka që ka ndodhur me të vërtetë në jetën tonë në një ditë të caktuar. Duhet të kemi kujdes. Megjithëse ndonjëherë horoskopët apo astrologjia parathonë diçka saktësisht, ne duhet të kuptojmë se kjo fuqi vjen nga Satanai. Djalli ka aftësi që ndonjë herë t’i japë disa njohuri astrologëve, por sigurisht ai nuk di gjithçka. Vetëm Perëndia i di të gjitha, përfshi edhe atë që do të ndodhë në të ardhmen.
Kisha e thotë qartë se astrologjia është nga djalli. Bibla thotë: “Duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjëravë dhe t’u shërbesh gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë; por Zoti iu mori dhe iu nxorri nga furra e hekurt, nga Egjipti, për të qenë populli i tij, trashëgimia e tij, ashtu siç jeni sot” (Ligji i përtërirë 4:19-20). Një nga kanonet e Kishës (Kanoni 36 i Laodicesë) shkishëron (përzë nga kisha) një person që bën, shet, blen ose mban shenja të horoskopit (shenja zodiake si p.sh. peshqit, shigjetari etj). Kur ne besojmë se yjet mund të drejtojnë veprimet tona, ne mohojmë besimin themelor të besës së krishterë në Perëndinë e dashur, e cila kujdeset për ne dhe dëshiron të na ndihmojë. Ne kemi një Perëndi që na do aq shumë, sa dërgoi Birin e Tij Jisu Krishtin në tokë, për të na marrë për dore dhe për të na drejtuar nëpër rrugën e parajsës.
Nëqoftëse do të kërkojmë ndihmë, udhëheqje ose drejtim për një ditë të caktuar, nuk duhet të lexojmë horoskopin, por të lexojmë fjalën e Perëndisë, Biblën. Le të kthehemi tek Krijuesi i universit me lutje, me dashuri dhe përulësi dhe të kërkojmë vullnetin e Tij. A nuk është turp që disa të krishterë e gjejnë kohën për të lexuar horoskopin nëpër gazeta çdo ditë, por nuk mund të gjejnë kohë për të lexuar Biblën e shenjtë të Perëndisë? A nuk është ky mashtrimi i Satanit?
Fuqia përtej universit nuk është ndonjë forcë e panjohur misterioze që kontrollon yjet; por është Vetë Biri i Perëndisë. Ai kontrollon gjithë gjallesat dhe jo gjallesat, edhe yjet edhe planetet. Astrologjia është idhujtari kur ajo i jep yjeve dhe planeteve fuqinë që i përket vetëm Perëndisë.
Shën Joan Gojarti thotë: “Nëse ne do të drejtoheshim prej fuqisë së yjeve, atëherë nuk do të kishte gjëra të tilla, si e mira dhe e keqja, sepse ne i bëjmë ato që bëjmë nën drejtimin e yjeve. Kjo do të thotë që urdhërimet e Perëndisë për të mos mëkatuar dhe për të bërë të mirën nuk janë asgjë, veçse një marrëzi.”
Shën Grigori i Nisës shkruan: “Nëse ne jemi nën kontrollin e rrotullimit qiellor, atëherë ne nuk kemi vullnet të lirë, dhe kur njeriu humbet lirinë, ai humbet gjithçka.”
Shën Grigori i Madh shkruan: “Njeriu nuk u bë për yjet, por yjet për njeriun. Nëse një yll mund të quhet sunduesi i njeriut, atëherë njeriu duhet të konsiderohet skllav i shërbëtorit të tij. Perëndia nuk i krijoi planetet dhe yjet që ata të dominonin mbi njeriun, por që ata të ishin si krijesa të tjera, që i binden dhe i shërbejnë njeriut.”
Disa njerëz përpiqen të mbrojnë astrologët, duke thënë se magët që erdhën të vizitojnë Krishtin, pas lindjes së tij studjuan yjet. Por, Perëndia e lajmëroi lindjen e Birit të Tij nëpërmjet yjeve. E gjithë krijesa e lajmëroi ardhjen e Perëndisë në trup. Megjithatë qëllimi i kësaj ishte që këta njerëz të besimeve të rreme të zbulonin Perëndinë e vërtetë. Dhe ja se ç’ndodhi me magët. Kur ata takuan Jisuin i dhanë dhurata dhe e adhuruan. Madje, përlëshorja e Krishtlindjeve thotë: “Lindja jote, o Krisht Perëndia ynë, i lindi botës dritën e diturisë, SE ME TE ATA, QE ADHURONIN YJET PREJ YLLIT MESOHESHIN QE TE TE FALEN TY, Diellit të Drejtësisë dhe të të njohin si Lindjen që lartazi, o Zot, lavdi më Ty.” Pas ardhjes së Krishtit, magët nuk adhuronin dhe nuk studjonin më yjet, por filluan të adhurojnë dhe studjojnë Krishtin.
Si përfundim, këshilla e Shën Kirilit të Jerusalemit për besimtarët e sapo pagëzuar është e vlefshme edhe për ne sot: “Ashtu siç i kthen kurrizin të gjithë atyre që i shërbejnë Satanit, kështu duhet t’i kthesh kurrizin me tmerr gjithçkaje të lidhur me adhurimin pagan, siç është praktika e astrologjisë, studimi i vendndodhjes së diellit, hënës dhe yjeve dhe të imagjinosh se lëvizjet e tyre mund të sjellin fat të mirë ose të keq. I krishteri duhet të largohet nga çdo gjë e tillë, duke drejtuar sytë vetëm tek Perëndia dhe të mbështetet në përkujdesjen e Tij… I krishteri i pret gjithë të mirat nga Perëndia. Nuk duhet të ketë shpresë në asgjë tjetër, përveçse në Të.”
I krishteri i pret gjithë të mirat nga Perëndia. Nuk duhet të ketë shpresë në asgjë tjetër, përveçse në Të.