EmailFacebookKontakt

Porositë e Perëndisë

Pyetje – Përgjigje

Murgu: Jerond a mund të më thuash me pak fjalë se cilat porosi duhet të ruaj që të mund të shpëtoj?

Jerondi: Vetë Zoti pas Ngjalljes së Tij u tha Apostujve: “Shkoni pra, e mësoni gjithë kombet, dhe i pagëzoni në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë; edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur juve”. (Matth. 28:19).

Rrjedhimisht çdo njeri që u pagëzua në emrin e Perëndisë Triadik dhe jetëdhënës që ka çdo pushtet, duhet të ruajë të gjitha porositë. Për hir të besimit të drejtë Zoti bashkoi ruajtjen e të gjitha porosive, sepse e dinte se është e pamundur të shpëtojë njeriu nëse njëra porosi ndahet nga tjetra. Për këtë arsye Davidi, i cili kishte besim të drejtë i drejtohej Perëndisë: “Me anë të porosive të tua u bëra i zgjuar; prandaj urrejta çdo rrugë të padrejtë”. (Psalm 118)

Shën Maksim Omologjeti

Të gjitha porositë na u dhanë nga Zoti në kundërshtim të çdo udheje të keqe dhe nëse njëra prej tyre braktiset, patjetër sjell të kundërtën, udhën e së keqes.

Murgu: Jerond, kush mund të zbatojë të gjitha porositë kur ato janë kaq të shumta?

Jerondi: Ai që bëhet bashkëshëmbëllenjës i Zotit dhe ecën në gjurmët e tij.

Murgu: Po kush mund të bëhet bashkëshëmbëllenjës i Zotit? Zoti ishte Perëndi, megjithëse u bë edhe njeri. Unë jam njeri mëkatar dhe i nënshtruar në një mijë e një pasione, si mundem unë pra të bëhem bashkëshëmbëllenjës i Zotit?

Jerondi: Askush prej atyre që janë të nënshtruar në materien e botës nuk mund të bëhet bashkëshëmbëllenjës i Zotit. Ata që kanë fuqinë të thonë: “Ja ne tek lamë të gjitha, erdhe të erdhëm pas”, ata marrin fuqinë e tij për t’u bërë bashkëshëmbëllenjës të Tij dhe për të ruajtur të gjitha porositë e Tij.

Murgu: Cilën fuqi?

Jerondi: Dëgjoje Zotin që thotë: “Na tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepa, edhe mbi gjithë fuqinë e armikut dhe asgjë s’ka për t’ju bërë keq juve.” (Luk. 10:9). Apostulli i Shenjtë Pavli pasi mori këtë fuqi dhe pushtet thoshte: “Bëhuni bashkëshëmbëllenjës të mi ashtu si edhe unë i Krishtit” (Fil. 3:17). Dhe përsëri: “Tani s’ka më ndonjë dënim për ata që janë më Iisu Krishtin, që nuk ecin sipas mishit, por sipas shpirtit” (Rom. 8:1). Dhe përsëri: “Dhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pësimet e me dëshirimet”. (Gal. 5:24). Dhe përsëri “Bota është kryqëzuar tek unë dhe unë tek bota”. (Gal 6:14).