EmailFacebookKontakt

Polikroni, hierodëshmor (7 tetor)

Shkëlqeu në shek. IV. I ati i tij bujk, Vardhami, e shkolloi me shumë dëshirë në Shkrimet e Shenjta. Qysh në fëmijëri e karakterizonte mençuria dhe vetëpërmbajtja në një shkallë të lartë. Atëherë tërhoqi hirin hyjnor dhe si tregues i gjallë i tij bëri mrekulli të mëdha. Meqë uji ishte larg dhe mundoheshin për ta siguruar atë ai vetë dhe bashkatdhetarët e tij, u lut dhe gurgulloi papritur burimi afër shtëpisë prindërore të tij.

Mungesa e gjërave të nevojshme e detyroi, tashmë burrë, të bashkohet me grupin “e bashkëfshatarëve dhe më pas bashkëmartirë të tij: Parmerit, Politelit, Elimait, Mokiut, Krisotelit, Maksimit, Lukait, Avdhiut, Semnit dhe Olimpiadhit”. U shpërngulën nga e panjohura për ne, Gamfanitidha për në Bizant dhe kultivonin vreshta.

Pronari e respektoi Polikronin, sepse megjithëse punonte pa u lodhur hante një herë në dy ose tri ditë. Pra e ktheu në vendin e vet, pasi i dha para dhe i kërkoi që të lutej për të. Madje mbajti çapën e shenjtit, gjë e nderuar që bënte shumë mrekulli. Në atdheun e tij shenjti frekuentonte kishën që ngriti vetë me dhuratën që i bëri punëdhënësi zemërmirë. U bë klerik i ulët, anagnost dhe më vonë u dorëzua dhjak dhe prift. Thuhet se u ngrit në episkop, gjë që harmonizohet shkëlqyeshëm me informacionin që e përmend si anëtar të Sinodit të Parë Ekumenik në Nikea (325) kundër arianëve dhe si përluftëtar i fuqishëm i vendimeve të Sinodit.

Heretikët e mësipërm, që natyrisht e urrenin për vdekje dhe të cilët pas fjetjes së Konstandinit të Madh (21 maj) në vitin 337 u ndihmuan nga shteti, e therrën mizorisht. E sulmuan papritur ndërsa meshonte, e masakruan dhe gjakun e tij e përzien me Gjakun e Eukaristisë Hyjnore të Perëndinjeriut. Kështu ia ofruan padashur si flijim Zotit, të cilit i kishte shërbyer “besnik deri në vdekje” (Apok. 2.10).