EmailFacebookKontakt

Polikarpi i Smirnit (23 shkurt)

Eshtë “At Apostolik”. U lind rreth vitit 70 pas Krishtit. Mësoi pranë Ungjillor Joanit (26 shtator) dhe ishte pasardhës i episkopit të Smirnit, Shën Vukolit (6 shkurt). Ishte mbartës i Traditës Apostolike dhe veprimtaria e prestigji i tij e afirmuan atë si “prijës të të gjithë Azisë”. Theologjikisht u influencua nga Shën Ignat Hyjprurësi (20 dhjetor), të cilin e respektonte së tepërmi, por dhe ky i fundit nga ana e tij e deshte pa masë. Polikarpi (= i shumëfrytshëm) risolli shumë heretikë në grigjën e Krishtit. Pas kthimit nga Roma, ku kishte takim (në v. 155) me papën Anikit, lidhur me çështjen e kremtimit të Pashkës edhe pse ishte në periudhën e pleqërisë së bardhë, gjallëria e tij rinore vazhdoi. Pikërisht, zelli i tij i shumëfrytshëm irritoi idhujtarët. Sipas një letre të kohës së Kishës së tij, ku përshkruhet martirizimi i tij, thuhet se në një ndeshje gladiatorësh me bisha të egra, turma idhujtare kërkoi Polikarpin. Ai u gjet në një arë, ku me vështirësi kishte pranuar të fshihej prej besimtarëve. U kap, edhe pse kishte mundësi të ikte përsëri. Me qëndrueshmëri të paqshme, Shën Polikarpi dha porosi t’u jipnin për të ngrënë ekzekutorëve të ardhur për ta marrë, të cilët kishin shtangur nga figura e tij. Pastaj pasi i adejuan u lut për dy orë, për Kishën e tërë botës. Duke hyrë në arenë dëgjoi një zë hyjnor: “Forcohu, Polikarp, qëndro si burrat.” Disa ditë më parë ai kishte parë në një vegim jastëkun e vet të digjej. “Duhet të digjem së gjalli”, – kishte thënë atëherë. Kështu nuk u bëri flijime idhujve por u hodh në zjarr; flakët e mbështollën, por ato u bënë si mburojë për të dhe ajri u aromatizua.

Sipas Sinaksarit e goditën me shtizë dhe vdiq brenda në zjarr (viti 168). U preferua vdekja e tij me anë të zjarrit, që të mos i mbeteshin eshtrat, se kishin frikë, se të krishterët do të braktisnin dhe vetë të Kryqëzuarin e do adhuronin Polikarpin! Ruhet një letër e tij, me përmbajtje të larmishme, dërguar Filipianëve, e ndryshme nga ajo e Apostull Pavlit në Dhjatën e Re.

At Jiu