EmailFacebookKontakt

Po kryhen punime në konakët e Manastirit “Fjetja e Hyjlindëses”, në ishullin e Zvërnecit, Laguna e Nartës

Pas një periudhe 25 vjeçare, që nga koha kur u ringritën dhe u restauruan konakët e manastirit “Fjetja Hyjlindëses Mari”, në ishullin e Zvërnecit, në janar 2023 filluan punime intensive mirëmbajtje në këto struktura.

Punimet u kryen me projekt të hartuar nga DRTK Vlorë dhe të miratuar në KKTKM, me vendim nr. 284, të datës 08.06.2021. Njësoj si për ndërhyrjet dhe restaurimet e mëparshme në manastir, fondet për realizimin e tyre u siguruan nga Kryepiskopi Anastas. Në kuadrin e këtij financimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Bërthama e Trashëgimisë Kulturore e saj po realizon dhe ndjek punimet, si dhe po koordinon bashkëpunimin me Drejtorinë Rajonale te Kulturës Kombëtare Vlorë dhe IKTK.

Në vitet 1997-1998 u restauruan konakët e manastirit me fondet e Kishës sonë. Ndërsa gjatë vitit 2003, përsëri me fondet e Kishës, u bë restaurimi i plotë i kishës së manastirit.

Punimet që po kryhen konsistojnë në ribërjen e plotë të suvasë, pastrimin dhe meremetimin e çatisë, përforcimin e elementeve prej druri etj. Ky monument, për shkak të vendndodhjes dhe pozicionit, është gjithmonë nën ndikimin e lagështirës dhe ujit të kripur të lagunës së Nartës. Për këtë arsye, dëmtimet e rifiniturës dhe të elementeve janë më të shumta e të shpeshta. Ndaj, për restaurimin e konakëve po përdoren solucione përkatëse në formë aditivi, për eliminimin e lagështirës dhe ujit të kripur brenda strukturës së elementëve.

MANASTIRI I FJETJES SË HYJLINDËSES

Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses Mari ngrihet në një ishull të vogël, në lagunën e Nartës, përballë fshatit Zvërnec. Peizazhi mjaft piktoresk, si dhe selvitë e larta që mbulojnë kodrën e ulët të ishullit, i japin manastirit edhe vlera mjedisore.

Kisha është një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës bizantine dhe, së bashku me kishën e Marmiroit, janë të vetmit shembuj të tipit në formë kryqi të lirë me kupolë të njohura deri më sot në Shqipëri. Përbëhet nga naosi, që i përket fazës fillestare, narteksi në anën perëndimore dhe hajati nga veriu, të cilat i janë shtuar në një fazë të mëvonshme, gjatë shekujve XVIII-XIX.

Bërthama qendrore e Naosit është mjaft e theksuar. Ajo mbulohet me kupolë mbi tambur të lartë, i cili, nëpërmjet trekëndëshave sferikë ngrihet mbi qemerët cilindrikë të krahëve të kryqit. Hapësira e narteksit, e mbuluar me qemer cilindrik, unifikohet me naosin.

Ky element, si dhe madhësia jo e barabartë e krahëve të kryqit, nga të cilat krahu lindor dhe ai perëndimor janë më të gjatë se ato verior dhe jugor, i kanë dhënë kishës një aks të dallueshëm gjatësor.

Naosi përmban pak piktura murale, që ndodhen në ambientin e altarit dhe pjesërisht në kupolë, e cila nuk është e njëkohshme me ndërtimin e kishës. Në pjesë të caktuara, sidomos në shpatullat e dritareve, vërehet një nënshtresë e pikturës së vjetër. Ikonostasi i kishës, ndonëse nuk ruhet i plotë, dëshmon për një cilësi të lartë artistike. Pjesët e gdhendura janë të praruara dhe evidentohen bukur nga sfondi i lyer me ngjyrë të kuqe të thellë dhe blu të errët.

Në pamjen e jashtme, forma e kryqit nuk është po aq e theksuar sa në brendësi. Në kompozimin vëllimor mbizotëron vëllimi i tamburit të kupolës, i cili ngrihet mbi çatitë dyujëse të krahëve të kryqit.

Frontonet e tyre janë të gjallëruara me arkada të verbëta, të përbëra nga një hark qendror më i lartë dhe dy harqe më të vegjël anësorë.

Në krahasim me kishën e Marmiroit, kisha e Zvërnecit ka forma më të hedhura e më të zhvilluara. Ndërtimi është më i vonshëm dhe i një mjeshtërie më të lartë.

Sipas studimit të kryer nga prof. dr. A. Meksi, në revistën “Monumente 1975” Nr. 10, ajo daton në shek. XIII – XIV. Si bazë për këtë datim u mor trajtimi i fasadave në arkada, si dhe analogjitë e kësaj kishe me atë të Shën Nikollës në Kurjan të Fierit. Ndërsa në Simpoziumin “2000 vjet Krishterim”, prof. dr. P. Vokotopoullos, pohoi se kisha i përket shek. X.

Në mbishkrimin në gur tek porta kryesore e hajatit shkruhet viti i ndërtimit të tij: 1884. Kjo kohë i takon fazës së dytë të ndërtimit, në të cilën përfshihen hajati, eksonarteksi dhe kambanorja.

Për Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore:
Ark. Rest. Joan Stratobërdha