Plagët e Krishtit më shumë rrodhën gjak në Shqipëri
Kur diktatura mbylli brutalisht tempujt e fesë shumë misionarë të saj u burgosën, u pushkatuan, me akuza prej Kaini.
Ndërsa tempujt e fesë diktatura paturpërisht i ktheu në salla kinemash apo depo drithi, misionarët e fesë i bëri punëtorë fermash, i varfëroi, i konsideroi armiq.
“Feja s’është në kartë shkruar, por brenda në krahëruar”, u tha kolegëve të vet këto vargje të Naimit të madh prifti Sotir Moni, kur një nga të policisë dha urdhër të rruheshin e të qetheshin. Që t’u përgjysmohej autoriteti. Që të ç’shenjtëroheshin. Që të binin viktima si Samsoni.
Megjithatë, në emër të të gjithëve, për të sfiduar diktaturën dhe ateizmin, për të thënë që ishte prift dhe asgjë tjetër, At Kostandin Lluka Kola refuzoi të heqë leshrat dhe mjekrrën, i mbajti ato si një tufan mistik rreth e rrotull fytyrës.
Si? A ishte e mundur? Prifti Kostandin Lluka Kola mori anën e të persekutuarve ekstremë, ai bëri një gjest të çuditshëm, unikal në tërë vendin: u vetëburgos. Nuk doli më nga shtëpia. Dhe mbeti prift. Me besim të patundur tek Zoti dhe e ardhmja që Ai do të sillte.
Sy zhbirues me butësi, ballë krenar, fytyrë e skalitur në dru të shenjtë plot rudha si brazda. Sepse fshatar ishte Kostandin Kola, nga një familje e mesme e Kamçishtit të Lushnjës. U lind më 1888. Babai i tij pretendonte për më tepër kulturë, e zbriti në qytet. Dhe djalin e madh e çoi të shkollohej në Manastir. Të bëhej mësues. Dhe aty nga fillimet e shekullit XX në Vanaj të Fierit dhe në Karavasta ishte Kostandini që hapi shkollat e para shqipe. Mbase si fetar do t’u shërbente më shumë njerëzve. Do të besohej. Do të besohej dhe më shumë. Me ndihmën e dhespotit të Beratit shkon në Stamboll dhe Athinë, ku studioi letrat e shenjta të orthodhoksisë. Dhe kështu shugurohet prift. Dhe kërkon të shërbejë vetëm në Shqipëri. Edhe pse tani ka kulturë të gjerë dhe flet turqishten dhe greqishten, serbishten dhe rumanishten. Ka parë kishat e Sofies, Bukureshtit e deri në Kiev.
U kthye të shërbejë si prift në Goriçaj të Lushnjës. Pas ofertave që i bënë kishat e Fierit, Durrësit, Kavajës, ai preferoi atë të Lushnjës, ku shërbeu deri në vitin djall 1967. Shërbesat i bënte në shqip, sipas librave të përkthyera nga Noli. Ditën e Ujit të Bekuar shkonte shtëpi më shtëpi me atë kovën e argjendtë e me një degë borziloku spërkaste në ballë edhe myslimanët.
Shumë nga miqtë e tij ishin të feve të tjera. Vinin nga fshatrat e tjerë fukarenjtë dhe i kërkonin At Kostandinit të mirë para për të blerë një lopë apo thjesht për të shtyrë javën me bukë. Dhe ai u gjendej, dhe e digjte fletoren me emrat e borxhlinjve, që shpesh i vinin në shtëpi edhe për të thyer urinë.
Meshë merrnin dhe myslimanët. Me kamillaf të zi dhe mjekërr të bardhë, me kryq argjendi në qafë, kapelen karakteristike, i ngadaltë, trupmbushur, që veç një rrugë bënte: shtëpi-kishë, kishë-shtëpi. Akoma dhe sot e mbajnë mend zërin e tij melodioz, sikur të vinte nga kubetë e qiellit, dhe bisedat e urta ku përmendte shpesh Solomonin.
Aq mirë ishte i intonuar në psallme, saqë gjithmonë shpërndante qetësi hyjnore.
Dhe me qetësi kundërshtoi prishjen e tempujve të fesë. “Mosni, tha, se do të duhen!” Dorëzoi çelësat e Shën e Premtes dhe i preku e dinjitoz u mbyll përjetë brenda mureve të shtëpisë, u mbërthye te kryqi i revoltës pasive.
“Revolucioni prishi kishat e xhamitë. Fukarallëk – maskarallëk!”, rënkoi. Dhe këto dy fjalë i hodhi në ditar.
Shtëpia e tij fshehurazi u bë një kishë e vogël ai vazhdonte të ishte prift ilegal në vendin e vetëm ateist të botës. Besimtarët i vinin, kungime bëheshin, ikonat ruheshin. Librat e fesë, Dhiata shqip, Kristoforidhi gjendeshin aty. Dhe kur u ndaluan qirinjtë, përdorte fitila me vaj ulliri.
Merrej edhe me kopshtin e tij. Mbillte e çapiste vetë. Para buke bënte kryq dhe gjithmonë lutej para gjumit. Nipit që studionte në Shkollën e Arteve i mësonte: “Ati ynë që je në qiell!” Nëse hynte dikush në burg, aty në shtëpinë e tij linin amanetet apo sendet e shtrenjta familjarët. Vinte dhe e vizitonte myftiu i Lushnjës apo muzikanti i madh F. Filipeu, apo prifti i burgosur shoku i Migjenit, I. Banushi etj. E atij s’guxonte t’i afrohej ndonjë pushtetar, aq autoritar ishte, por familjarëve u sugjeronin që t’i thoshin Kostandinit ta hiqte atë mjekër. S’ka më priftërinj tek ne (?!)
– S’ka gjë, – përgjigjej me qetësi olimpike At Kostandini. – U pa puna ime tani!
Vetëm kaq. Po ç’donte të thoshte me këtë gjuhë Ezopi? “U pa puna ime tani, s’ndryshoj dot?”, apo “lufta ime e heshtur s’mbaron, unë kështu do të rri, dhe i vdekur nën dhe, mjekërosh si bir i Zotit!”
Aty nga viti 1972 verbohet. Librat e tij ku ishte dhe Gorki tani ndjehen të braktisur. Kështu ai e braktisi komplet realitetin, preferoi errësirën shplodhëse e mistike. Dy vjet më vonë i vdes e shoqja. Me duart e dridhura i ledhatonte trupin e ftohur. Dhe ashtu i verbër ia bëri të gjitha shërbesat fetare si një prift i lirë.
Po ndiente vdekjen e vet. Porositi që t’i jepnin me vete për në varr një ikonë të Iisu Krishtit, Kryqin dhe Librat e Shenjtë. Dhe ashtu u bë. Librat e Shenjta ia vunë sipër trupit.
Edhe pse ishte viti 1976, kur diktatura ishte në kulmin e marrëzisë dhe të krimit, funerali i priftit Kostandin Lluka Kola ishte i madh, me njerëz të të gjitha besimeve dhe atyre që s’besonin. Asgjë s’u lexua për t’i dhënë lamtumirën, veç u tha: – “I paharruar qoftë kujtimi i tij”. Mbi dheun e varrit s’u ngul kryqi, por kryqi ishte nën dhe, bashkë me të. Dhe pritej ringjallja e të dyve.
“Martir të kishës shqiptare”, do e quanin tani nëpër ceremonitë e hapjes së tempujve të fesë.
Nëse Krishti s’ishte shqiptar, plagët e tij të përgjakura më shumë se kudo kulluan në Shqipëri. Dhe jo vetëm të Krishtit.
Visar Zhiti
Shënim: Për të përkujtuar At Kostandin Lluka Kolën, më 10 janar u krye një Liturgji Hyjnore, ku morën pjesë klerikë të rrethit të Lushnjës dhe Protopresviter At Jani Trebicka, Përfaqësues i përgjithshëm Hieratik i KOASH.