Të Enjten e Madhe, vëmendja e Kishës sonë kthehet në katër tema qendrore: Larjen e këmbëve të apostujve nga Krishti; Darkën Mistike, domethënë, dorëzimin e mistereve të frikshme të Eukaristisë Hyjnore; Lutjen e Mbinatyrshme të Zotit drejtuar Atit të Tij; dhe tradhtinë e Krishtit nga nxënësi. Në interpretimin e mëposhtëm fokusi i vëmendjes sonë do të përqendrohet në më qendroren e tyre, në Darkën Mistike. Darka Mistike ka thurje të dyfishtë. I referohet Pashkës, që festonin hebrenjtë në përkujtim të daljes së tyre nga robëria e Egjiptit, dhe Pashkës së re, të cilën përuron Krishti me Flijimin dhe Pësimin e tij shpëtimtar, dhe e cila do të kremtohet në të ardhmen me kryerjen e misterit të Eukaristisë Hyjnore: “E dyfishtë Darka; sjell Pashkën e ligjit, dhe Pashkën e re, gjakun dhe trupin e Krishtit.” Zoti Krisht, ndërsa hanin, mori bukën dhe pasi e bekoi, e preu dhe ua dha nxënësve të tij duke thënë: “Merrni hani; ky është trupi im. Pastaj mori kupën dhe si bëri falënderimin, ua dha atyre, duke u thënë: Pini të gjithë prej saj, ky është gjaku im i dhiatës së re i cili derdhet për shumë vetë për ndjesën e mëkateve” (Matth. 26:26-28). Me kalimin e kupës, Zoti kreu një veprim liturgjikal, dhe me fjalën e tij lidhi këtë lëvizje me ngjarjen e madhe që pritet të ndodhë pas pak: Pranimin e vullnetshëm të Kryqit dhe të vdekjes së Tij për shpëtimin e të shumtëve. Me këtë lëvizje solemne, Krishti zbulon se identifikohet me shërbëtorin në vuajtje, gjë që kishte parashikuar profeti Isaia, dhe se vdekja e tij nuk është një dorëzim i thjeshtë në duart e armiqve, por një flijim – falje mëkatesh, që është paralajmëruar prej shekujsh e që do të mbetet boshti qendror i historisë së njerëzimit. Referimi në gjakun e dhiatës çon mendimin tek traktati, dhiata e vjetër e Sinait, që ishte vulosur me theroret e kafshëve, dhe thekson se këtu fjala është për një traktat, dhiata e re, bashkim përfundimtar, të Perëndisë dhe njerëzve, që kryhet dhe vuloset me gjakun e Perëndinjeriut. Marrëdhënia e vjetër, mbështetej në një ligj. Perëndia kishte zgjedhur një popull të caktuar, për të qenë i zgjedhuri i tij. Kushti i domosdoshëm që kjo marrëdhënie të zgjaste, ishte respektimi i ligjit. Me flijimin në Kryq të Krishtit, një marrëdhënie e re hapej për njerëzit, e cila nuk mbështetej më në ligj, por në dashurinë, në flijimin e vullnetshëm dhe të painteres. Qendra e rëndesës nuk do të jetë më aftësia njerëzore në respektimin e urdhrave, por dhurimi i lirë i hirit dhe dashurisë së Perëndisë. Njeriu nuk mbështetet më në fuqitë e tij për përsosjen dhe sigurinë, por dorëzohet në mëshirën dhe në dashurinë e Perëndisë. Në regjimin e mëparshëm të dhiatës, karakteristika bazë qe frika. Me këtë traktat, dhiatë të re, njeriu afrohet tek Perëndia me lehtësi dhe besim, si biri te i ati. “Ky është gjaku im i dhiatës së re, që derdhet për shumë vetë, për ndjesën e mëkateve.”
2. Ashtu si në të kaluarën, ngjarjet me të cilat ishte realizuar çlirimi i Izraelit nga robëria e Egjiptit, duhej të përbënin pandërprerë epiqendrën e mendimit dhe kujtimit të popullit izraelit, ashtu edhe ngjarjet e Pashkës se re, me të cilat faktohet dhiata e re do të duhet të përbëjnë në të ardhmen pikë të qëndrueshme kujtimi dhe referimi të komunitetit të ri të të shpëtuarve të Kishës. Zoti tha: “Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim; këtë ta bëni sa herë të pini për kujtimin tim” (1 Kor. 11:25). Ky veprim që tani e tutje do të aktivizohet në një shërbesë eukaristike. Dhiata do të përtërihet vazhdimisht nga nxënësit e Krishtit. Me blatimin e flijimit të trupit dhe të gjakut të tij, Krishti, jo vetëm që përuroi një dhiatë të re, por bëri Trup të Tij njerëzit që e pranuan. Të gjithë sa kungohen në kë trup dhe gjak të Tij, marrin pjesë në jetën e Tij. Përbëjnë Kishën. Kisha nuk është thjesht një kuvend besimtarësh, por trupi mistik i Krishtit, “që plotëson të gjitha ndër të gjitha”. Të gjitha këto të vërteta të mëdha, që u zbuluan me ngjarjet e Pësimit, të Pashkës së Re, Kisha i rijeton me kujtim të gjallë, duke u përpjekur t’i përjetojë në të tashmen. Midis predikimit të dhiatës së re dhe jetës së besimtarit, qëndron ngjarja e madhe, që mban emrin jetë liturgjike e Kishës sonë. Brenda saj shtrihen dhe aktivizohen ngjarjet e Pësimit. Me kujtimin eukaristik përjetojmë Darkën Mistike, Kryqëzimin, Pashkën e Re; marrim pjesë në to, kungohemi në dashurinë; bashkëtrupëzohemi me Krishtin. Dhiata duhet të përtërihet vazhdimisht në nivelin e lirisë sonë personale.
3. Për të gjitha këto, sigurisht, që nevojitet një pranim i qartë besimi dhe dashurie. Apostull Pavli porosit: “Njeriu, pra, le të provojë vetveten, dhe kështu le të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa. Sepse ai që ha e pi pa e merituar, ha e pi dënim për veten e vet, se nuk e dallon trupin e Zotit.” (I Kor. 11:28-29). Padenjësia, qëndron kryesisht në faktin se njeriu nuk dallon trupin e Zotit.
Kjo mund të thotë se ai që ha dhe pi në mënyrë të padenjë, nuk kupton çfarë janë pikërisht këto të shenjta të cilave u afrohet; nuk ka devocionin, frikën dhe druajtjen që krijon besimi. Kjo frazë veçse, – trupi i Krishtit – shumë shpesh në letrat e Pavlit i referohet Kishës. Pra, gjithkush do të mund, të kuptojë madje se është i padenjë ai njeri, i cili nuk dallon dhe nuk kupton se gjithë Kisha, – kleri dhe populli, e mobilizuar e triumfale, – është trupi i Krishtit. Kush gjendet pra në kundërshti dhe mban antipati e armiqësi për vëllain e tij, “për të cilin vdiq Krishti”, është i padenjë i Krishtit, kur vjen në altarin e Zotit me këtë prirje. Pikërisht, për këtë arsye Kisha në momentin e kungimit hyjnor, fton besimtarët të afrohen “me frikë Perëndie, besim dhe dashuri”. Porosia e apostullit, që i ndalon një njeriu të hajë dhe të pijë në mënyrë të padenjë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, nuk do të thotë se përjashton mëkatarin, i cili ndjen gjendjen e tij. Sepse atëherë, do të duhej të përjashtonte të gjithë njerëzit. Krishti fton pranë tij mëkatarët e pendueshëm. Ngelet “Perëndia e të pendueshmëve”. Kushtin bazë e përbën pendimi i vazhdueshëm, që shprehet me përulësi e prirje pajtimi dhe dashurie për të gjithë njerëzit. Nga ana i tjetër, ndërgjegjja e Kishës sonë, nuk na lejon t’i afrohemi misterit pa ndjenjën se a jemi mëkatarë. Urata që lexojmë para Kungimit Hyjnor, vë në gojën dhe ndërgjegjen e besimtarit këtë pohim “Besoj o Zot, dhe rrëfej se i Ti je në të vërtetë Krishti, i Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë”. Pra, jo mungesa e mëkatit, – kush do të guxonte të imagjinonte për veten e tij se është i pamëkatshëm? – por ndërgjegjësimi i varfërisë sonë shpirtërore, i mëkatësisë, hap rrugën për t’iu afruar misterit të Eukaristisë Hyjnore. Himni që psalet në mënyrë të përsëritur të Enjten e Madhe, përcakton karakterin e besimtarit orthodhoks. Flet për vendimin e besimit, të evitimit të çdo veprimi tradhtar; dhe njëkohësisht për një ndjenjë të thellë të jetës mëkatare, e cila, veçse, dorëzohet në duart e Krishtit, me vështrim të qetë, të ngulur te Mbretëria e Perëndisë, Mbretëria e ndjesës dhe dashurisë. “Në Darkën tënde Mistike, o i Biri i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar. Se armiqve të Tu nuk do t’ua them misterin; dhe as puthje nuk të jap si Juda. Por si kusari po të pohoj, Kujtomë, o Zot kur të vij në Mbretërinë Tënde”.
“Në Darkën tënde Mistike, o i Biri i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar, se nuk do t’ua them armiqve të tu misterin; as do të të jap të puthur si Juda; por si kusari të thërres: Kujtomë, o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde”.
+Anastasi
Botuar në Gazetën “Ngjallja”, prill 1994