EmailFacebookKontakt

Pjesëmarrje historike

Krahas rëndësisë së padiskutueshme për botën mbarëorthodhokse dhe atë të krishterë më gjerë, për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kuvendi i Kryetarëve të Kishave Orthodhokse lokale, (autoqefale dhe autonome) ose i përfaqësuesve të tyre në Patmos, përbën një moment të veçantë historik.

Eshtë hera e parë në historinë e saj që KOASH-i ulet e barabartë me kishat e tjera simotra në tavolinën e kuvendeve të nivelit më të lartë. Eshtë hera e parë që zëri i saj zë vendin që meriton, qëndrimi i saj dëgjohet, bëhet i njohur dhe respektohet në të gjithë familjen orthodhokse.

Fakti merr rëndësinë e vet më të plotë i parë në kontekstin historik të jetës së kishës sonë. Ateizmi komunist, ndryshe nga vendet e tjera të ish-kampit socialist ku vepron Kisha Orthodhokse, ku u mjaftua me kufizimin asfiktik të lirisë fetare, në vendin tonë nuk u kënaq as me shkrirjen e institucioneve fetare dhe as me mbylljen e vendeve të lutjes, por për asnjë çast nuk la të qeta as ndjenjat intime të njeriut. Ishim vendi i parë dhe i vetëm konstitucionalisht ateist i botës.

Me ndryshimet demokratike dhe lirinë fetare, u krijuan mundësitë për ushtrimin e besimit fetar dhe gjallërimin e jetës institucionale të saj por vështirësitë dhe mungesat ishin të tilla që shpresa e vetme mund të shihej vetëm në fjalët e Perëndisë: “Këto thotë shenjti, i vërteti, ai që ka kyçin e Davidit, ai që hap edhe askush nuk mbyll; edhe mbyll edhe askush nuk hap'”. (Ap. 3:7-8). Dera e hapur nga Perëndia nuk mund të mbyllej as nga mungesat as nga vështirësitë dhe as nga pengesat.

Brenda kryqit bashkëjeton Ngjallja. Ngjallje e plotë, në të gjitha aspektet, ngjallje e mirëfilltë e cila përligj plotësisht fjalët e Kryepiskopit Anastas që e cilëson “Kisha e Ngjalljes”. 62 klerikë të rinj, kisha të shumta të ngritura nga themelet, të restauruara dhe të riparuara, botime të shumta, gazeta e përmuajshme; Anëtare e Konferencës së Kishave të Evropës, e Këshillit Botëror të Kishave; e barabartë në familjen orthodhokse. Nga mosqënia në lulëzim. Nga mungesa e plotë për dekada të tëra nga arena ndërkombëtare tani plotësisht e integruar. Ditët e fundit edhe Lidhja e Rinisë Orthodhokse Shqiptare u bë anëtare me të drejta të plota e Lidhjes Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos”.

Prania e Kishës Orthodhokse merr një dimension tjetër, shumë më të madh në përfaqësinë e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastas. Autoriteti, vlerësimi dhe respekti që gëzon personaliteti i tij i japin një vend edhe më të nderuar Kishës sonë si në familjen orthodhokse, ashtu edhe në atë mbarëkristiane.