EmailFacebookKontakt

Pjesëmarrja e përhershme e besimit të krishterë në ndërtimin e Evropës

(Vijon nga numri i kaluar)

1.
Në ditët e sotme po jetojmë një zhvillim të mahnitshëm, i cili – për brezin tim që nisi të njihte botën në dyert e Adhit të Luftës së Dytë Botërore – ka qenë një ëndërr e guximshme: bashkimin e popujve evropianë me një vizion të ri të bashkekzistencës paqësore dhe të bashkëpunimit në bazë të vlerave dhe parimeve të pranuara bashkarisht.

Që të lulëzonte dhe të jepte fryte ideja e unitetit evropian, u desh të kapërceheshin shumë paragjykime, mosbesime dhe psikoza të grupit, që i kultivuan rivalitetet shekullore dhe që mundonin popujt evropianë. Në këtë proces, kontribuan iniciativat e personalitete të jetës politike që frymëzoheshin nga besimi i krishterë, por, gjithashtu – në mënyrë direkte apo indirekte – klima që krijoi afrimi i Kishave të krishtera pas Luftës së Dytë Botërore në kuadrin e lëvizjes ekumenike. Subkoshienca e krishterë, madje edhe e shtresave të shekullarizuara të Evropës, u mbështet në parimet bazë, siç janë respektimi i lirisë dhe veçantisë së individëve dhe popujve, i demokracisë, i barazisë, i drejtësisë dhe i solidaritetit shoqëror.

Krahas euforisë për Evropën e Bashkuar, lëviz edhe shqetësimi se ku ecën përfundimisht nga ana kulturore kontinenti ynë. Ndodhemi përsëri në një epokë kritike, në të cilën ka ngjashmëri të shumta me konfrontimin shpirtëror të shek. të 4-t pas Krishtit. Kontradikta e vjetër e mendimit të lashtë grek dhe atij të krishterë vjen përsëri me forma të reja, ndërmjet racionalizmit të shekullarizuar dhe eudemonizmit të sotëm nga njëra anë dhe besimit, jetës së krishterë, nga ana tjetër. Jemi të detyruar që, duke ecur në vijën e Etërve të Shenjtë, të cilët asimiluan dhe transformuan në mënyrë krijuese kulturën greke, të trajtojmë seriozisht preokupimin dhe “edukimin” e të tjerëve. Po kujtoj nxitjen e Shën Grigor Theologut që është bërë përsëri aktuale: “Gjëja e parë që duhet të synojmë është edukimi dhe mësimi me të mirat. Dhe nuk e kam fjalën vetëm me edukimin më fisnik, tonin (atë të krishterë) që… interesohet vetëm për shpëtimin…, por edhe për edukimin tjetër, të jashtmin (të grekëve të lashtë), që shumica e të krishterëve e konsiderojnë të neveritshëm duke e akuzuar se ky edukim është gjoja tinëzar dhe i gabuar dhe na çon larg Perëndisë; dhe i thonë këto sepse i njohin keq gjërat”.

Nuk e injoroj diskutimin e gjerë dhe shpesh intensiv për rreziqet që fsheh rruga evropiane, për kontradiktën ndërmjet teologjisë perëndimore dhe asaj lindore dhe, më gjerë, të krishterimit. Nuk është vendi këtu të përmendim avantazhet dhe dizavatazhet e argumenteve që formulohen. Shumë shqetësohen se do shkatërrojë ndërgjegjen kombëtare. Të tjerë janë të mendimit se, përkundrazi, do mbrojë gjithçka të çmuar kemi trashëguar dhe do të ofrojë mundësi të reja për të zhvilluar çdo gjë më të mirë që fshehim brenda vetes.

Një temë-kritike mbetet, sigurisht, se ç’rol do të luajnë në këtë proces Kishat e krishtera lokale. Pas entuziazmit të parë të pasluftës dhe interesimit për dialog dhe mirëkuptim të ndërsjelltë, gjatë viteve të fundit paraqitet rezerva në rritje nga shumë anë. Madje, u zhvillua dhe një ideologji specifike, e cila këmbëngul në ‘getofikimin’ ose, më mirë, në fortifikimin e Kishës lokale, duke kultivuar frikën nëpër ambiente të ndryshme fetare. Por, do të qe tepër e rrezikshme që, ndërsa forcat politike nxisin unitetin e qytetarëve të Evropës, duke mbështetur kështu paqen dhe sigurinë e kontinentit, komunitetet fetare të tentojnë të ngrejnë perde ndarëse me njëri-tjetrin. Diçka më keq: do të qe skandal. Skandali i dytë i madh pas skandalit të parë të shekullit të kaluar: kur shumë Kisha lokale qëndruan indiferente në luftën për drejtësi shoqërore.

Sigurisht, problemet që shtrohen janë të shumta dhe të rëndësishme. Por, zgjidhjet e drejta ‘orthodhokse’ nuk do të gjenden nëpërmjet kritikave të vazhdueshme të “të tjerëve”, me sulme personale. Por, me një edukim serioz, studim të kujdesshëm të botës që ndryshon, dialog të durueshëm, mendim kritik, preokupim krijues theologjik, vizion dhe guxim; kryesisht me jetë korrekte dhe besim të gjallë.

2.
Pa dyshim, ka shumë rreziqe të mundshme. Konfuzioni i ideve, përzjerja specifike e racionalizmit të egër, e ulitarizmit dhe eudemonizmit ekonomik në fund të fundit e mënjanojnë njeriun dhe e çojnë individin drejt ankthit dhe dhunës. Sigurisht, problemet tona nuk i zgjidhin idetë përgjithësuese dhe gjuha ‘e thatë’, që në mënyrë mekanike përsërit fjalë të shenjta si demokraci, liri, bashkëpunim, shtet social etj. Po kush do të transmetojë ritëm jete, rrënqethje ngjalljeje? Kërkohet besim dhe entuziazëm. Optimizëm për të ardhmen e Evropës, besim tek njeriu. Dhe dashuri e vërtetë. Burim i pashtershëm për të dyja këto mbetet Kisha, “trupi mistik” i Krishtit – Perëndisë së dashurisë.

Do të shtoja dhe diçka për të cilën disa flasin me qesëndi: elementin heroik, sakrifikues, që tregon kapërcimin e limiteve personale, kapërcimin e frikës, pësimin e vullnetshëm – me frymën e Kryqit brenda dritës së Ngjalljes – për t’i shërbyer dhe për të lartësuar të tërën. Edhe dy elemente të tjera për traditën tonë Orthodhokse marrin një aktualitet të jashtazakonshëm gjatë ditëve të sotme: a) Pikëpamja e Etërve për realitetin material që u lartësua dhe u shenjtërua nga Fjala e Perëndisë që u bë njeri. Në kundërshtim me doktrinën e sistemeve fetaro-filozofike indiane që e konsiderojnë botën si një fantazmagori [mirazh], besimi i krishterë e sheh si një realitet që kërkon respektin dhe kujdesin tonë të sinqertë. Eshtë fjala për një qëndrim me rëndësi imediate lidhur me kompleksin e problemeve ambientaliste të epokës së sotme.

b) Morali i krishterë asketik, që është ruajtur në mënyrë më të theksuar në krishterimin lindor, përbën një ledh në përroin e konsumizmit që kërcënon të na sundojë jetën me akumulim gjërash pa vlerë, të cilat reklamohen si të nevojshme dhe inkurajojnë një hedonizëm të pakontrolluar.

Në këtë rast historik, detyra jonë është që me pasurinë e trashëgimisë sonë teologjike dhe shpirtërore të vazhdojmë të marrim pjesë në ndërtimin e Evropës së re. Kontributi i Orthodhoksisë mund të rezultojë më se i dobishëm.

Ndaj, detyra jonë është të ofrojmë, të ndajmë thesarët shpirtërorë të Orthodhoksisë lirisht, pa tendencë imponimi. Nuk ka rëndësi nëse nga ana statistikore jemi pakicë. E vërteta, qoftë dhe kur përfaqësohet nga pakicat, ruan rëndësinë dhe fuqinë e saj. Kisha e Krishtit, si “Trupi mistik i Tij, përmbushja e atij që përmbush çdo gjë në gjithçka” (Efes. 1: 23), si dhe çdo qelizë e saj, çdo anëtar i saj, duhet që të ungjillëzohet me energjinë dhe praninë e gjallë të Perëndinjeriut brenda historisë, të veprojë me fuqinë e Tij, si faktor drejtësie, pajtimi, paqësimi dhe shprese. Njerëzimi ka nostalgji dhe kërkon një shenjtërim, plot butësi, që i bindet përherë porosisë përjetësisht paradoksale të Krishtit “t’i doni armiqtë tuaj” dhe nuk interesohet për goditjet me sigurë të atyre që kanë mendim të kundërt.

Qëndrimi ynë nuk ndodhet në një prapavijë mjerane. Ne kemi një rol të përgjegjshëm në pararojën shpirtërore të Evropës moderne. Të njerëzimit, do të shtoja unë.

Parimet shpirtërore, të cilave iu referuam më parë, kanë rëndësi mbarënjerëzore. Evropa e re nuk ka të drejtë të mbyllet në vetvete ose të veprojë çdo herë në bazë të interesave të saj. Ka patur dhe ka përgjegjësi ekumenike. Ky vizion ekumenik, që përqafon çdo njeri dhe çdo popull, përbën një vlerë të padiskutueshme shpirtërore evropiane. Evropa, që gjatë shekullit të kaluar i ka trajtuar me shumë arrogancë dhe utilitarizëm popujt e kontinenteve të tjera, është koha që të formojë ndërgjegjen dhe mendimin e saj ekumenik, me qëllim që të përmbushë detyrën e saj karshi njerëzimit, sidomos për sa ka të bëjë me garantimin e paqes dhe drejtësisë mbarëbotërore. Por, kërkohet gjithashtu që ajo të jetë në vijë të parë të një mobilizimi të një lloji të ri. Për të vetmen luftë të ligjshme: atë kundër varfërisë në mbarë botën.

Rrënjët e krishtera të vlerave shpirtërore të Evropës së Bashkuar është e drejtë që të pasqyrohen edhe në dokumentet e saj zyrtare, përderisa është e padiskutueshme se një numër i madh genesh të krishtera përcaktojnë ADN-në e qytetërimit evropian.

Referimi ynë i qartë në themelet e krishtera të Evropës nuk është as kundër tolerancës fetare, as kundër bashkekzistencës evropiane me njerëz të traditave të tjera fetare ose me pikëpamje të ndryshme filozofike. Krejt të kundërtën. Fryma e kthjellët kristiane garanton respektin e sinqertë ndaj vlerës së çdo personi njerëzor ose çdo populli. Ajo që kërkohet nuk është të heshtim për traditën tonë të krishterë, por të përjetojmë në mënyrë autentike thelbin e saj, duke theksuar kryesisht vlerat e lirisë dhe të dashurisë.

***
Ecja e re evropiane mund të bëhet pikënisja për një dialog të ri të frytshëm, me mendim dhe veprim krijues. Si element bazë unë shoh harmonizimin dhe sintetizimin e dijes, bukurisë dhe mirësisë: Dije shkencore, krijimtari artistike, me një shtrirje ndjeshmërie dhe respekti ndaj çdo personi njerëzor.

Po huazoj një frazë të prof. Nikos Matsoukas, i cili duke komentuar një tezë të nobelistit Jorgos Seferis, konkludon se poeti i madh “e kuptoi se Teologjia dhe Etërit e Kishës janë të gërshetuar pazgjidhshmërisht me gjërat më të gjalla dhe intime. Këtë thotë teologjia e Orthodhoksisë: të bashkuara janë idetë dhe ndjenjat, e vërteta dhe mirësia, dija dhe veprimi”.

Së fundi, pavarësisht nga formulimet e dokumenteve ligjore, ajo çka kërkohet për Kishat lokale të Evropës është që të vazhdojnë të kontribuojnë esencialisht për të mbështetur dhe për të fuqizuar vlerat shpirtërore që kanë lindur në gjirin e tyre dhe të shprehin mesazhin e tyre më të thellë. a) Respektimin e çdo personi njerëzor, pavarësisht nga prejardhja, gjinia dhe arsimi dhe mbrojtjen e lirisë së tij. b) Detyrën e çdo njeriu për të qenë qytetar i përgjegjshëm i vendit të vet, që të ecë me konsekuencë, ndershmëri dhe krijimtari.

Kështu, ne të krishterët do të kontribuojmë në formimin e shoqërisë së personave, duke luftuar për drejtësinë, barazinë, paqen, solidaritetin dhe dashurinë në rrethe të ndryshme: duke filluar nga populli konkret në të cilin bëjmë pjesë, duke zhvilluar lidhje miqësore me të gjithë popujt e Evropës dhe duke e shtrirë interesin tonë për fuqizimin e këtyre vlerave në mbarë globin.

Pjesëmarrja e besimit të krishterë në formimin e Evropës ka qenë e padiskutueshme. Edhe në të ardhmen do të mbetet e çmuar. Sigurisht, do të kërkohet autokritikë serioze brenda botës së krishterë, njohje e gabimeve dhe përgjegjësive tona dhe çlirim nga ngasja e kërkimit të pushtetit laik, që ka nxitur aq shumë tendenca përçarjeje në të kaluarën. Urgjente është që të rigjejmë thelbin dhe fuqinë e besimit tonë dhe, kryesisht, duhet ta rijetojmë besimin tonë në kushtet e reja.

Trashëgimia e krishterë në Shqipëri është ndër më të hershmet në Evropë.