Sipas gojëdhënës, shenjtori u varros në vitin 1015, në kishën që ndërtoi pas ndjekjes së shqiponjës gjatë gjuetisë, pra këtu, në hapësirën e këtij manastiri të shenjtë. Gjatë varrimit të tij u shfaq edhe shqiponja. Gjithashtu, varri i tij, mbi të cilin shfaqej shpesh një dritë qiellore për sa vinin dhe luteshin aty, u bë burim shërimesh”. Lipsanet e tij të nderuara mbetën fillimisht të paprishura dhe lëshonin një aromë të mirë. Kjo ishte dëshmi e jetës së tij të shenjtë.
Një mendim tjetër është se shenjtori, si fillim, u varros te kisha e Shën Marisë, në Krajë, pranë oborrit mbretëror të babait të shën Joan Vladimirit. Më pas u ruajtën në kishën e Manastirit të Shën Sergjit dhe Bakut, pranë Shkodrës, sot rrënoja e kishës gëzon statusin “monument kulture”. Nga viti 1215, lipsani i tij u çua në Durrës, ku sipas historianit Dhori Qiriazi, u ruajtën në Manastirin e Shën Vlashit, aty ku ndodhet sot Manastiri i Ri i Shën Vlashit, i ndërtuar me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas dhe ku strehohet Akademia Teologjike dhe Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës të Kolegjit Universitar “Logos”. Ndërsa lipsani erdhi nga Durrësi në vitin 1383 nga Princi Karl Topia, në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, i cili sapo e kishte rindërtuar atë, dhe u ruajt këtu deri në vitin 1967. Sot ruhet në Kryepiskopatën e Hirshme të Tiranës dhe, si çdo vit, edhe sot vjen në ditën e kremtimit të tij, që të na japë bekime të shumta, të na ruajë nga e keqja dhe nga rreziku dhe të na drejtojë në jetën e shenjtë, ashtu siç e dëshiron Perëndia ynë, për secilin prej nesh. Pjesë të lipsanit të shenjtit ruhen në këtë Manastir të shenjtë, dhe përligjin shpirtërisht dëshirën e shenjtorit, i cili, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk dëshironte të largohej nga manastiri.
Historiku shekullor i Manastirit të Shën Joan Vladimirit së bashku me murgjit, bibliotekën me librat e saj të rrallë në dorëshkrim, fshati Shijon që mban emrin e tij; lipsani mrekullibërës i shenjtit ku besimtarët vijnë dhe e nderojnë, duke marrë bekimin nga shenjti nëpërmjet manjes së pambukut që qëndron për 1 vit në arkën e lipsaneve e tij; historiku i shpëtimeve të lipsanit nga vjedhjet e ndryshme dhe zjarri dhe njëkohësisht lutjet e kushtuara dhe të hartuara si madhështimet për shenjtin që në shekujt e kaluar nga Dhaskal Todri, ose siç njihet ndryshe nga Theodor Haxhifilipi, hartimi i shërbesës së shenjtit, me financimin nga tregtarët elbasanas, dhe varrimi pranë shenjtit të klerikëve dhe figurave të rëndësishme të Kishës sonë Orthodhokse, tregojnë se shenjti ishte dhe mbetet një shenjt i gjallë; “shqiponja” që na lartëson ne te Perëndia.
Përfundimisht, mbledhja e kaq shumë vetave në këtë panair të shenjtë, për nder të shën Joan Vladimirit në ditën dhe në manastirin e tij, këtu në Shijon, është jo vetëm një vlerë e ruajtjes së traditës së pasur shekullore të të krishterëve të Elbasanit dhe zonave përreth, por për mbarë popullin është një shpresë e madhe e ripërtëritjes shpirtërore, sipas një modeli të qëndrueshëm të një shenjti të gjallë, që i kalon përmasat e lokalitetit dhe kapërcen kufijtë e Shqipërisë.
Dashuria e Joan Vladimirit për Kishën dhe popullin me mënyrat që vetë shenjti i kreu kur ishte gjallë, për ne, marrin kuptim dhe formë në sakrificat tona për të tjerët për lavdi të Perëndisë, ashtu siç na i ka lënë ta ruajmë këtë dashuri si amanetin e tij të fundit. Amin!