Nga data 9-14 dhjetor në vendin tonë bënë një vizitë dy të dërguarit e Këshillit Botëror të Kishave zoti Hubert Van Beek, nga zyra e Kishës dhe marrëdhënieve ekumenike (nga Hollanda) dhe dr. Peter Lodberg, anëtar i Këshillit Qendror të KBK (nga Danimarka). Ata zhvilluan takime me këshillat kishtarë të KOASh, asistuan në meshën në Kishën e Shën Spiridhonit në Berat dhe në një meshë në Kishën katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë etj. Gjithashtu ata zhvilluan edhe takime me personalitete zyrtare të vendit. Për t’u njohur me qëllimin e vizitës dhe përshtypjet që përftuan u morën një intervistë para largimit nga vendi ynë:
Ngjallja: Zotërinj, do të dëshironim të na jepnit për lexuesit tanë një sinopsi për KBK, parimet dhe qëllimet kryesore të tij.
Van Beek: KBK është një organizatë e Kishave në të gjitha vendet e botës. Qëllimi kryesor i tij është t’i japë shtysë unitetit të kishave dhe bashkëpunimit të tyre. Anëtare të KBK janë kisha Orthodhokse, kisha Protestante dhe kisha Anglikane, gjithsej me shumë se 320 kisha, nga më shumë se 100 vende, të cilat përfaqësojnë rreth 400 milionë kristianë në të gjithë botën.
Ngjallja: Ç’mund të na thoni për marrëdhëniet e KOASh me KBK për historinë e këtyre marrëdhënieve, kjo e lidhur edhe me qëllimin e vizitës suaj në Shqipëri?
Van Beek: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte shumë e angazhuar në fillimet e KBK. Në fakt, para se ai të krijohej (KBK u krijua me 1948), që gjatë viteve ’30, Kisha e Shqipërisë ishte shumë e angazhuar në takimet dhe diskutimet rreth unitetit të kishave, të cilat ishin edhe takimet që përfundimisht rezultuan në krijimin e KBK në 1948. Që nga ajo kohë u bë e pamundur për KOASh të anëtarësohet me të vërtetë dhe të vazhdojë anëtarësinë në KBK. Por ne gjithmonë e kemi konsideruar KOASH si pjesë të KBK dhe do të sigurojmë që përsëri të anëtarësohet zyrtarisht, me shpresë, që vitin tjetër. E kemi diskutuar këtë me Fort Lumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas dhe do të punojmë për ta realizuar. Për rrjedhojë, është shumë e rëndësishme për ne që tani KOASh po kthehet përsëri në familje.
Ngjallja: Cilat ishin takimet që patët me personalitetet fetare dhe qeveritare dhe çfarë përshtypjesh ju lanë ato?
Van Beek: Para se të gjithash, vizita jonë qe në Kishën Orthodhokse Autoqefale, por ne patëm gjithashtu disa kontakte me autoritetet. U takuam me 3 sekretarët e sekretariatit të feve; me një këshilltar të kryeministrit dhe gjithashtu me udhëheqësin shpirtëror të komunitetit Bektashian. Këto ishin disa nga kontaktet jashtë KOASH.
Dr. Lodberg: U takuam gjithashtu me Komitetin shqiptar të Helsinkit të të drejtave të njeriut dhe patëm një bisedim të gjatë me nënkryetarin e Komunitetit. Kjo ishte shumë ndihmuese për të kuptuar gjithë situatën në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, problemin e ish të burgosurve politikë dhe probleme të tjera, që kanë të bëjnë me situatën juridike e mjetet e informacionit dhe gjithashtu me gjithë çështjen e fesë.
Ngjallja: Patët mundësinë të njihni nga afër KOASH. Cilat janë përshtypjet tuaja dhe cilat janë mundësitë tuaja për të ndihmuar KOASH dhe në çfarë aspektesh mund të afrohet kjo ndihmë?
Van Beek: Mendoj se gjëja e parë që kam për të thënë është se sa të impresionuar, e sa të lumtur jemi që pamë që KOASH po vjen përsëri në jetë. Një vit e gjysëm më parë një përfaqësi nga KBK ishte këtu, delegacioni i parë që vizitoi Shqipërinë. Në atë kohë mund të themi se nuk kishte kishë, ose pak prej saj kishte ngelur. Tani ne e dimë se më shumë se 50 kisha janë hapur, funksionon një seminar me 80 studentë, kemi parë shumë njerëz që vijnë në meshë, pamë se objekte kulti që ishin shndërruar në kinema ose në bar tani janë ribërë kisha dhe mendojmë se kjo përbën një tregues të madh të jetës së re në KOASH, dhe është shumë e rëndësishme për ne, që t’u tregojmë njerëzve në Evropën Perëndimore se kjo po ndodh.
Dua të them tani pak fjalë rreth ndihmës shpirtërore. Mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme për KOASH të fillojë të marrë pjesë përsëri në aktivitetet e Këshillit Botëror, me qëllim që delegatët nga KOASh të kenë mundësi të vijnë në takimet dhe të marrin pjesë në punën që po bën KBK, sepse në këtë mënyrë do të kenë mundësi të takojnë njerëz të kishave të tjera dhe të pasurohen shpirtërisht dhe gjithashtu duhet t’u ofrojmë më shumë raste për njerëz nga kisha të tjera të vijnë në Shqipëri dhe në këtë mënyrë do të ketë kontribut shpirtëror në jetën dhe dëshminë e Kishës këtu.
Dr. Lodberg: Mendoj se ajo që më ka lënë më shumë mbresa është fakti se shumë të rinj dhe fëmijë marrin pjesë në meshë dhe kjo edhe shumë e nevojshme në shumë nga kishat e Evropës Perëndimore, që të rinjtë të vijnë të marrin pjesë në lutje. Kështu që në këtë drejtim mund të thoni se KOASH është pothuaj shembull për t’u pasur nga Kisha të Evropës perëndimore. Kjo është shumë e rëndësishme, se KOA në Shqipëri, është e qartë për rolin e vet dhe për atë që mund t’i japë lëvizjes ekumenike. Dhe jo ta konsiderojë veten e saj vetëm si pranuese e ndihmës dhe e njerëzve nga jashtë, por të jetë e qartë se KOA e Shqipërisë ka diçka për t’i thënë Lëvizjes Ekumenike.
Van Beek: Sigurisht, ne dëgjuam dhe pamë për nevojat e shumta materiale në kishë dhe dëshirojmë që të raportojmë kur të kthehemi për këto gjëra, dhe të shohim cilat janë mundësitë e ofrimit të asistencës në ndërtimin e zyrave, p.sh. për mjete transporti, për ndërtimin e kishave dhe besoj se ekzistojnë mundësi në të ardhmen të mundësohet një mbështetje e tillë nga kishat në Evropën Perëndimore dhe gjithashtu në SHBA. Jam shumë i bindur se kjo lloj mbështetjeje do të vazhdojë, bile dhe do të rritet. Gjithashtu, planifikojmë për vitin e ardhshëm të organizojmë këtu në Shqipëri një takim me përfaqësues nga Këshilli Botëror dhe nga disa Kisha në Danimarkë dhe në Hollandë, mbase edhe nga vende të tjera, të cilët do të vijnë të ulen në Kishën Orthodhokse (me drejtuesit e saj) të shohin të gjitha nevojat këtu dhe si në planifikim afatgjatë kishat anëtare të KBK mund të ndihmojnë në këtë situatë.
Ngjallja: Duke pasur konsideratë konkluzionet e vizitës suaj në Shqipëri, mendoni se ngjallja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri do të arrijë përmasat e saj të plota në një të ardhme imediate apo do të duhet më shumë kohë?
Van Beek: Personalisht mendoj të dyja. Ajo që shikoni tani është entuziazmi i shumtë nga populli për të ardhur e për të marrë pjesë përsëri në festimin e Meshës hyjnore dhe në jetën e Kishës dhe gjithashtu të ndjekin doktrinën. Kjo është ajo që ndodh tani, në entuziazmin imediat. Mendoj gjithashtu, dhe si i jashtëm nuk më është e lehtë ta them, se do të ketë një detyrë shumë më të madhe e më të gjatë për të edukuar njerëzit në besim. Mendoj se 40-50 vjet ateizmi nuk mund të prisni të zhduken për një ose dy vjet. Është diçka që shkon shumë thellë në mendjet e njerëzve. Kemi dëgjuar p.sh. se studentët këtu janë shumë të ethshëm të mësojnë për besimin, por mendoj se kërkon shumë kohë të ndihmosh ata të kuptojnë dhe të përvetësojnë këtë besim, ta bëjnë besimin e tyre.
Dr. Lodberg: Përshtatem plotësisht me z. Van Beek dhe me ato që ai tha. Vetëm dua të vë në dukje një fakt që mund të jetë i dobishëm për të ardhmen. Po e kini vënë re, jam impresionuar shumë duke parë disa burra dhe gra të moshuara që ishin besimtare dhe para gjithë ndryshimeve që solli ateizmi dhe tani po kthehen përsëri në Kishë, që tani janë pjesë e jetës së kishës. Për mua ata janë shembuj se sa të thella janë rrënjët shpirtërore dhe sa e rëndësishme është ta ruash këtë. Ata janë shembuj të domosdoshmërisë së ruajtjes së besimit dhe nëse është shumë e vështirë.
Van Beek: Dëshiroj të përsëris, në njëfarë mënyre, çfarë thashë edhe në kishën e Ungjillëzimit. Mendoj se është shumë e rëndësishme për kristianët në Shqipëri dhe gjithashtu për gjithë popullin tjetër, të dinë se Kisha Orthodhokse në Shqipëri nuk është e vetme, se ajo është pjesë e një familjeje shumë të madhe e të gjerë, një familje kristiane shumë të gjerë kishash, që kanë organizatën e tyre që janë gati dhe kanë dëshirën të ndihmojnë dhe të mbështesin Kishën Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në situatën e sotme, me gjithë vështirësitë, vështirësi materiale, vështirësi të ndërtimit të shtetit të ri, dhe gjithashtu vështirësi që lidhen me raportet me fetë tjera në Shqipëri, është e rëndësishme të nënvizohet se KOA në Shqipëri nuk është një ishull i vogël, por është një pjesë e një familjeje të gjerë kristiane anembanë botës.