Në 1961 botohej libri i të ndjerit Theofan Popa “Piktorët mesjetarë shqiptarë”. Në të një vend të vecantë zë ikonografia bizantine dhe autorët më në zë të saj, në trajtimin e të cilëve, me gjithë kohët e vështira, ndihet jo vetëm studjuesi, por edhe besimtari i përkushtuar. Dhe duhet kujtuar, se ishte vetë autori që kishte zbuluar shumicën e tyre, ashtu siç ishte po ai, që, pas mbylljes së kishave, bëri të pamundurën për t’i ruajtur.
Ndaj, mendojmë se do të ishte me interes botimi i pjesëve kryesore të tij, të cilat e ruajnë edhe sot të paprekur vlerën e tyre, megjithë kufizimet e imponuara nga regjimi.
Arti i çdo populli lidhet ngushtë me kushtet politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore të vendit në kohën kur është krijuar. Piktura jonë e vjetër lindi në rrethana shoqërore kulturore në shekujt para se të shkelej vendi ynë nga turqit. Kjo kohë mund të quhet periudhë bizantine, mbasi, sikurse dihet, gjatë saj vendi ynë ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Bizantine.
Jeta politike shoqërore ishte nën ndikimin bizantin, aq më tepër që nga pikëpamja kishtare populli ynë varej nga Kisha Lindore, duke u zhvilluar në sferën e kulturës feudalo-kishtare me një botëkuptim kristian bizantin. Për këtë arsye, kultura e krijuar në kohën e Bizantit reflekton tipare të stilit bizantin, por ajo mbetet gjithmonë kulturë e popullit tonë.
Arti bizantin u sanksionua nga Shteti e Kisha dhe u përcaktua me kanone (rregulla) të pacënueshme. Piktorit nuk i lejohej të ndërronte as temën, as tiparet që përshkruheshin në kanonet. Arti bizantin u largua nga ideali i natyralitetit të gjallë, që kishte arti i vjetër, jo për shkak të dobësisë ose për mungesë talentesh, por për arsye se u kthye drejt një stili të ri, drejt botëkuptimit të popujve teokratikë të Lindjes. Në këtë stil, që është kryesisht ornamental, punimi i vizave është një gjë kryesore. Ky stil nuk kërkon të japë format reale të botës, të jetës së ndjeshme, por, duke u nisur nga bota reale, ngrihet në skena imagjinare madhështore, konform disa ligjeve të caktuara për artin. Qëllimi i tij nuk është të parashtrojë jetën e përditëshme të realitetit, por, me mjete të kufizuara, përpiqet të thellohet dhe të shprehë botën shpirtërore, konform botëkuptimit kristian. Nga arti bizantin mungon çdo gjë që mund të krijojë përshtypjen e materies, të plasticitetit, të varësisë logjike, të peshës. Format pikturale në këtë art zëvendësohen me ato vizuale, pozicionet janë më të zgjatura, pikturën e karakterizon moslëvizja. Ngjyrat nuk përdoren për thyerjen e dritës, por si një simfoni dekorative e toneve. Fytyrat e personave marrin më tepër shprehje asketike, sidomos nga shek. XI e XII. Por, në artin bizantin nuk mungon vërejtja ekzakte, realizimi në fytyrë e as shprehja psikologjike. Fytyra të gjalla ekspresive, kompozim i mirë, ritëm në proporcionet karakterizojnë artin e kohës së Paleologëve. Kjo ngjan sepse elementet e artit helen u shkrinë me ato të artit të popujve të lindjes, dhe pikërisht kjo është karakteristika kryesore e artit bizantin.
Njohja e pikturës së stilit bizantin ka për ne një rëndësi të posaçme, mbasi vendi ynë ruan një numër të konsiderueshëm afreskesh e ikonash, prej shek. XII e deri në shek. XV.
Afreske quhen pikturat murale që pikturohen mbi suva të njomë, të freskët, kurse “al seko” me suva të thatë. Tek e para piktori i afreskeve vesh me suva një pjesë muri, aq sa ai mund të pikturjë brenda një dite. Po u tha suvaja, mbi të nuk mund të punohet pikturë në të njomë (a fresko). Teknika e punimit të afreskut është një nga më të vështirat; ajo kërkon dorë shumë të sigurtë, mbasi mbi të nuk mund të korrigjohet më. Mjeshtri italian i madh Mikelangjelo afreskun e quan provën më të vështirë të piktorit.
Ikona (figurë) është fjalë greke dhe vjen nga folja ikonizo (figuroj). Ikonat dallohen nga afresket se pikturohen mbi pëlhurë të shtrirë më parë mbi dërrasë ose pikturohen direkt mbi dërrasë. Teknika e punimit të ikonave është më e lehtë se ajo e afreskut, mbasi mbi to mund të bëhen dhe korrigjime.
Nëpër kishat tona të vjetra ruhen sasira të konsiderueshme afreskesh ose fragmente afreskesh të stilit bizantin, të punuara para se të shkelej vendi ynë prej turkut.
Të shekullit XII kemi dy afreske e apsidës të kishës së Shën Stefanit në Dhërmi me Shën Mitrin dhe Shën Stefanin si dhe ato të apsidës së kishës së Rubikut, me apostujt duke kunguar. Në të dyja apsidat afresket janë zbehur shumë dhe kanë humbur bukurinë e mëparshme, por vlejnë si dokumentet më të vjetra të pikturës sonë dhe për studimin e mënyrës së pikturimit të kohës në të cilën ato janë prodhuar.
Sasia e madhe e afreskeve dhe e ikonave që ruhen nga shek. XIV dëshmon për një zhvillim të gjithanëshëm të vendit tonë në këtë kohë dhe për një nivel të lartë artistik.
Afreske interesante të shek. XIV ruhen në kishën e Shën Marisë në Maligrad të Prespës me data të ndryshme (1345 e 1369), në kishën e Ristozit të Mborjes (1390), në Trapezarinë e manastirit të Shën Marisë në Pojan të Fierit, në kishën e Shën Triadhës në Lavdar, në kishën e Shën Marisë Vllaherna në Berat, mbi kubenë e kishës së Shën Marisë në Malçan, në shpellën e Shën Marenës mbi Bogaz të Delvinës, në kishën e Shën Triadhës në Berat etj. Disa prej tyre janë dëmtuar gjatë shekujve. Ato që ruhen në gjendje të mirë janë ato të Maligradit, të Vllahernës në Berat, të Melçanit dhe të Shën Thanasit në Poliçan.
Eshtë interesant të theksohet këtu se të gjitha pikturat që ruhen në vendin tonë nga shekujt e lashtë të Bizantit (shek. XII, XIII, XIV) janë anonime, sikurse janë anonime gati edhe të gjitha pikturat e krijuara asaj kohe në gjithë Perandorinë e Bizantit. I tillë ishte zakoni i kohës.
Tematika e përdorur në kishat tona me afreske të stilit bizantin është ajo e paraparë në kanonet e Kishës Lindore; Pandokratori, skena nga jeta e Krishtit, ku theksohen më tepër skenat e vuajtjeve dhe Ngjallja. Përveç Apostujve dhe martirëve, në to pikturohen shenjtorë e asketë që kanë qenë respektuar shumë në shekujt e mesjetës.
Shekulli XIV te ne shquhet dhe me një numër relativisht të madh ikonash të stilit bizantin, që ruhen nëpër kishat tona. Shumica më e madhe e tyre janë me temat e Krishtit si Pandokrator, (Gjithëpërmbajtës) dhe Shën Maria si nënë me Krishtin e vogël në prehër. Këto ikona me Shën Marinë janë të tipeve të ndryshme si: Glikofilusa (që puth ëmbël), Eleusa (mëshiruese), Odhigjitria (udhëheqëse) etj.
Gjithë këto tipe ikonash kanë tipare specifike, që të bëjnë t’i dallosh njërën prej tjetrës. Këto ikona me Shën Marinë në stil bizantin karakterizohen me qëndrimin e saj në pozicion pak të kërrusur nga fëmija që mban në prehër. Këto ikona kanë një shprehje virgjiniteti e qashtërsie solemne. Disave prej tyre u vërehet në fytyrë shprehja e dashurisë së madhe amnore, që shpeshherë arrin deri në shprehje pikëllimi, me sa kuptohet, si parandjenjë për pësimet e të Birit të saj në të ardhmen. Në afresket Shën Marinë e gjejmë duke ndenjur mbi fron, me të birin në prehër, në pozicion frontal, si e ngrirë, por gjithashtu në një mënyrë solemne e madhështore.
Krishti si Pandokrator pikturohet deri në brez, në pozicion frontal, duke mbajtur Ungjillin në të majtën dhe duke bekuar me të djathtën. E gjithë mjeshtëria e pikturimit të Pandokratorit (Gjithëpërmbajtësit) në stil bizantin konsiston në dhënien e shprehjes së fytyrës së tij. Shprehja e fytyrës së Krishtit duhet të jetë me përmbajtje dogmatike. Shprehja e tij në fytyrë duhet të prezantojë personin në dorën e të cilit përmbahet gjithësia dhe personin që ushqen një dashuri të pakufishme për njeriun. Vështrimi i Krishtit duhet të arrihet në një mënyrë të tillë që spektatorin ta rrëmbejë dhe ta përqendrojë. Një shprehje të tillë interesante ka sidomos ikona e madhe e Krishtit nga Kisha e Shën Triadhës dhe ajo e ikonostasit të Kishës “Fjetja e Shën Marisë” në Kala të Beratit (e dyta është sjellë nga Kisha e Shën Marisë në Ballsh). Shprehja e Krishtit në këto dy ikona është me të vërtetë objekt për një studim special.
Ikona të këtilla në stil bizantin gjenden mjaft nëpër kishat tona të jugut. Ato janë një kapital i çmueshëm i popullit tonë, me vleftë të rrallë artistike, dhe janë një dëshmi e faktit që populli ynë, gjatë mesjetës, ka pasë mbërritur një nivel të lartë kulturor, duke realizuar të tilla vepra arti të rralla, që sot i japin një kontribut të çmueshëm historisë së artit botëror.