Nga kishat – monumente të vendit del se vëllezërit korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi (Vako), kanë pasur një veprimtari artistike më të madhe nga gjithë piktorët e tjerë mesjetarë shqiptarë. Ata kanë pikturuar katedralen e vjetër të Korçës me emrin “Burimi jetëdhënës” (më 1720), Kishën e Lindjes së Shën Marisë në manastirin e Ardenicës (më 20 shkurt 1744), Kishën e Shën Thanasit në Voskopojë (më 2 tetor 1744), hajatin e Kishës së Shën Thanasit në Voskopojë (më 28 qershor 1745), Kishën e Shën Kozmait dhe Damjanit, që shërbente si qimitër i manastirit të Shën Petrit në Vithkuq (më 18 maj 1750), hajatin e Kishës së Shën Kollit në Voskopojë (më 28 gusht 1750), Kishën e 12 apostujve në Voskopojë (më 20 tetor 1752), e cila është djegur, ikonat e mëdha e të vogla të ikonostasit në kishën katedrale të vjetër “Burimi jetëdhënës” në Korçë (më 1753), në Skitin Lavriot të Shën Anës në malin Athos, Greqi (më 1755), duke punuar vazhdimisht dy vjet, skitin sllav Bogorodica ose Bllagovica (më 1757), Kishën e manastirit të Shën Pjetrit në Vithkuq (më 1764), manastirin e Filotheut në malin Athos (Greqi) (më 1765), ikonën e Tre Hierarkëve në Kishën e Shën Gjergjit në Vithkuq (më 27 mars 1767), ikonat e Kishës së Shën Kollit në katundin Vanaj të Myzeqesë (vetëm Kostandini), më 19 gusht 1781. Gjithashtu Kostandini, pa Athanasin, por me të birin e tij Terpon, kanë pikturuar kishën e Shën Gjergjit në Libofshë të Myzeqesë (më 6 mars 1782), dhe prapë në malin Athos kanë pikturuar Kishën e manastirit Krisopotam (më 1783), Kishën e Anargjirëve, po në Voskopojë, që është shembur.
Data 1720 e pikturimit të kishës katedrale të vjetër të Korçës është e dyshimtë, mbasi është e një mbishkrimi të një “kohe më të vonë” dhe për disa arsye të tjera. Data e fillimit të veprimtarisë artistike të piktorëve do të jenë një datë tjetër, shumë më e vonë. Nga mbishkrimet e mbledhura, data e parë është viti 1744. Megjithkëtë, edhe duke marrë vitin 1744 si datë të fillimit të punës së piktorëve vëllezër korçarë, veprimtaria e Kostandin dhe Athanas Zografit mbetet më e madhe se e çdo piktori tjetër mesjetar shqiptar.
Nga datat e pikturuara që rezultojnë nga literatura e që kemi përmendur më sipër, del se piktorët vëllezër kanë shkuar tri herë në Greqi. Herën e parë prej 1755-1757, herën e dytë prej 1765-1766 dhe për të tretën herë më 1783, mbas së cilës datë nuk del se përmenden më kërrkund. Gjatë viteve kur kanë punuar në malin Athos nuk konstatohen punime të tyre në Shqipëri.
Viti dhe vendi ku kanë vdekur Kostandin dhe Athanas Zografi deri më sot nuk dihen. Ka shumë të ngjarë që vëllezërit korçarë të kenë vdekur jashtë atdheut, në ndonjë nga manastiret e malit Athos, ku edhe kanë ushtruar veprimtarinë gjatë vjetëve të fundit të jetës. Eshtë interesant fakti që kohët e fundit të veprimtarisë së tyre, më 1782, Kostandini punon bashkë me djalin e tij Terpon në Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë dhe jo më me të vëllanë Athanasin. Me sa duket Athanasi gjatë kësaj kohe do të ketë mbetur në malin Athos, duke ushtruar veprimtarinë e tij.
Piktorët tanë Kostandin dhe Athanas Zografi veprimtarinë e tyre artistike e kanë derdhur në godina të mëdha e madhështore të stilit bazilikal prej tre nefesh, me qemere e me kubera hemisferike, i cili stil ka filluar të përdorej në vendin tonë qysh prej shek. XVII e këndej.
Nga literatura rezulton se “Kostandini dhe Athanasi kanë qenë shumë të njohur në Athos (Greqi), si piktorë muresh të shumë kishave…” Kostandini në Greqi nuk i ka nënshkruar punët e veta si në Shqipëri “…Zografi nga Korça”, por “Kostandin shqiptari”.
Tematika që kanë përdorur Kostandin dhe Athanas Zografi
Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas në pikturimet e tyre kanë përdorur tematikën e zakonshme që është krijuar gjatë mesjetës në Athos, skena nga Dhiata e vjetër, festat e mëdha nga Dhiata e re dhe nga jeta e Krishtit, nga historia e Kishës, nga jetët e shenjtorëve me përmbajtje të ndryshme dogmatike (që shprehin botëkuptimin e krishtërimit me një ngjarje nga historia e Kishës, me skena që japin kryerjen e shërbesave të kultit) etj. Vlen të theksohet se këta piktorë kanë përdorur shumë tema nga jeta e martirëve të Kishës, të cilat i kanë ekzekutuar në mënyrë të theksuar dramatike. Rrallë piktorë të tjerë të pikturojnë torturat e martirëve në mënyrë aq të theksuar si Kostandini e Athanasi nëpër kishat ku kanë pikturuar, sidomos në atë të Shën Thanasit në Voskopojë. Po në këtë kishë ata kanë pikturuar dhe “Shkallën” e Joanit të Shkallës, të cilën deri më sot nuk e kemi gjetur të jetë pikturuar prej ndonjë piktori tjetër në Shqipëri. Me shenjtorët e tjerë të Kishës, piktorët korçarë preferojnë të radhisin dhe shenjtorë shqiptarë ose ata që kanë vepruar në Shqipëri, si muzikantin e shquar të shek. XII, durrsakun shën Joan Kukuzelin, shën Nikodhim Vithkuqarin, shën Joan Vladimirin e Elbasanit, shën Naumin e Pogradecit dhe shtatë shenjtorë që kanë përhapur Shkrimin nëpër Sllavët, por që kanë predikuar dhe në vendin tonë kur erdhën si të dëbuar nga Panonia.
Kostandini dhe Athanasi kanë pikturuar dhe skena nga Hymni Akathist dhe skenën e Ardhjes së dytë të Krishtit (që quhet dhe Gjyqi i fundit) me parajsën dhe ferrin. Këtë temë e gjejmë të pikturuar nëpër kishat tona vetëm gjatë sundimit turk, me siguri nga shek. XVI e këndej.
Përveç tematikës që përmendëm, piktorët korçarë kanë pikturuar në dy hajatet e kishave të Voskopojës, si në atë të kishës së Shën Thanasit dhe në atë të Shën Kollit, Apokalipsin e Joanit, temë e cila nuk pikturohet as prej një piktori tjetër në Shqipëri.
Cili mund të jetë shkaku që piktorët tanë korçarë kanë zgjedhur dhe kanë pikturuar këtë temë profetike kaq të vështirë si për të kuptuar ashtu dhe për t’a konkretizuar me piktura? Mendohet se një arsye duhet të jetë, fakti që librat profetike të Biblës për të krishterët në shekujt e mesjetës ishin aktuale dhe këndoheshin shumë sidomos gjatë kohërave të shtrëngatave, të vuajtjeve ose persekutimeve.
Gjatë robërisë shekullore otomane, plot vuajtje e tmerre, një tendencë apokaliptike në popujt e krishterë të Ballkanit psikologjikisht duhet të ketë qenë një gjë e zakonshme. Një tendencë e tillë, ose më mirë të themi, një atmosferë apokaliptike është krijuar e ushqyer edhe nga Kisha dhe literatura e saj. Elita kishtare e Voskopojës në shek. XVIII, kur ky qytet i ynë kishte arritur kulmin e zhvillimit të vet, jetonte me ide dhe tendenca apokaliptike: se si “Qengji i Perëndisë” (popujt e krishterë të Ballkanit), do të mundin “bishën e egër” (shkelësin e urryer turk) dhe do të realizonin “mbretërinë qiellore”, “Jeruzalemin e ri” (d.m.th. lirinë e Ballkanit). Ide të këtilla do t’i kenë shtyrë voskopojarët e atëherëshëm të kërkojnë nga piktorët, bashkatdhetarët e tyre korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, të konkretizojnë në piktura librin profetik Apokalipsin e Joanit.
Po të krahasohet arti i këtyre piktorëve korçarë me piktorët e tjerë të shekullit XVIII, përveç David Selenicës, ata janë piktorët më të talentuar në këtë shekull në vendin tonë. Nga të gjitha veprat e tyre rezulton se Kostandini dhe Athanasi kanë qenë njerëz me dijeni të shumta. Ata nuk kanë njohur vetëm mjeshtërinë e pikturimit, por kanë pasë zotëruar dhe disiplina teologjike, si Dhjatën e vjetër e të renë, dogmatikën, letërsinë e kishës, historinë e kishës, jetën e shenjtorëve, liturgjikën etj., njohja e të cilave pasqyrohet në veprat e tyre.