EmailFacebookKontakt

Përvjetori i 11-të i shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë

Më 1 Qershor 2025, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u krye Liturgjia Hyjnore me rastin e 11-vjetorit të Shërbesës së Shenjtërimit të Katedrales. Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij, imzot Joani. Morën pjesë Mitropolitët: i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla; i Elbasanit, Hirësi Andoni; i Beratit, Hirësi Asti; i Amantias, Hirësi Nathanaili; Episkopi i Krujës, Hirësi Anastasi, si dhe klerikë të Kryepiskopatës së Hirshme. Kryepiskopi Joan u foli besimtarëve të shumtë për rëndësinë e kësaj dite të shënuar.

1 Qershori i vitit 2014, është një përvjetor me domethënie të shumëfishta dhe gjithmonë aktuale. Ai është rikthimi në qendër të kryeqytetit i “syrit” shpirtëror orthodhoks, nga ku ishte shkulur me dhunë nga regjimi ateist.

Kjo ditë është afirmimi përfundimtar dhe më i qartë i rikthimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, si e barabartë mes të barabartëve. Këtë e dëshmoi pa ekuivok pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore, të 1 qershorit të vitit 2014, e të gjitha Kishave Orthodhokse. Shërbesat u kryesuan nga Patriarku Ekumenik, Bartholomeu, në bashkëmeshim me Fortlumturitë e Tyre, Patriarkun e Jerusalemit, Theofilin; të Serbisë, Irineun; të Rumanisë, Danielin; Kryepiskopin e Qipros, Krisostomin; të Greqisë, Jeronimin, Kryepiskopin e ndjerë të Shqipërisë, Anastasin dhe të Polonisë, Savën. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve të Aleksandrisë, Antiokisë, të Rusisë, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë. Gjatë saj, Patriarku Ekumenik do të afirmonte: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri… Për ata që nuk besojnë në Jisu Krishtin, Ngjallja duket si mit. Por ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një dëshmi se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet”.

Kjo ngjarje është dëshmi e gjallë e arritjeve të jashtëzakonshme të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale në këto vite ngjalljeje të mrekullueshme dhe të paprecedentë nga gërmadhat, që i dedikohet veprës së jashtëzakonshme e të lumurit Kryepiskopit Anastas.

Kompleksi i Katedrales është një vepër madhështore arkitektonike dhe artistike, naosi i mbushur me afreske dhe ikona murale në realizim, paraklisi “Lindja e Krishtit”, kambanarja madhështore etj., apo hapësirat e Qendrës Kulturore, si salla e madhe e shfaqjeve, e cila është bërë një ndër zgjedhjet e preferuara për veprimtaritë artistike dhe jo vetëm të kryeqytetit, Qendra Sinodike etj. Kompleksi është bërë edhe një nga pikat e përhershme ku ndalen turistët.

Në këtë ditë, Kryepiskopi Joan ngriti në gradën e Arkimandritit atë Ignat Todrin dhe hierodhjakon Johan Koroveshin në gradën e kryedhjakonit.

Pas Liturgjisë, Kryepiskopi bashkë me Anëtarët e Sinodit të Shenjtë, klerikë dhe besimtarë kryen Shërbesën e Përshpirtjes pranë vendit ku prehet i lumuri Kryepiskopi Anastas.

Atë Grigor Pelushi
Përgjegjësi Radios “Ngjallja”