– U kremtua 150 vjetori i Shkollës Teologjike të Halkit, të Patrikanës Ekumenike –
Të marrësh pjesë në përvjetorin e një shkolle është gjithmonë një bekim Perëndie. Të jesh pjesëmarrës në përvjetorin e një shkolle të mbyllur, është dy herë bekim, sepse është dëshmi shprese dhe besimi për një të ardhme më të mirë.
Kjo ishte dhe ndjenja që përshkonte pjesëmarrësit në 150 vjetorin e Shkollës Teologjikë të Halkit, të Patrikanës Ekumenike, ku morën pjesë Shenjtëria e Tij, Patriku Ekumenik Vartholomeu I; Patriku i Aleksandrisë, Partheni; Patriku i Rumanisë Teoktisti; Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, përfaqësuesi i Patrikut të Moskës, klerikë të lartë nga Evropa, Amerika, Australia, Afrika, ish-mësues dhe nxënës etj.
I themeluar rreth shekullit të IX, Mbi vendin e quajtur “Kodra e shpresës”, Manastiri i Shën Triadhës në ishullin e Halkit, pranë Stambollit, do të merrte një dimension tjetër, po aq të shenjtë, në vitin 1844 – atë të përgatitjes së brezave të ardhshëm të klerikëve, jo vetëm për Patrikanën Ekumenike, por edhe të kishave të tjera, si dëshmi e frymëmarrjes së përbotshme të mesazhit të Ungjillit.
Veprimtaria përkujtimore ishte ndërtuar mbi alternimin e shërbesave liturgjike, diskutimeve përkujtimore dhe hapësirave të lira për biseda njohëse apo për vizitën, gjithmonë emocionuese, në Shën Sofi, në “Burimin jetëdhënës” etj. Mjaft mbresëlënës ishte interesi dhe respekti që tregonin të gjithë kur merrnin vesh se vije nga Shqipëria dhe respekti i veçantë dhe konsideratat për Fortlumturinë e tij Anastasin, nga klerikë e profesorë me emër të të gjitha kontinenteve, të cilët e kishin njohur dhe të flisnin me admirim për faza të ndryshme të veprimtarisë së tij pastorale e shkencore.
Por, sidoqoftë, pika më kulmore ishte mesazhi i shpresës drejtuar qeverisë turke, për lejimin e rihapjes së Shkollës Teologjike, mbyllur prej saj në vitin 1971, i cili u nënshkrua nga gjithë ish-mësuesit e nxënësit e saj, shumë prej të cilëve predikojnë sot si klerikë të lartë në të gjitha anët e globit.
Ditët përkujtimore patën një mbyllje solemne, me pjesëmarrjen e të gjithë të ftuarve, në liturgjinë dhe ceremoninë e nënshkrimit të tomit patriarkal të fillimit të vitit të ri fetar.
Th. Dh.
Në foto: Lart, pamje ballore e Manastirit të Trinisë së Shenjtë, ku ka funksionuar Shkolla Teologjike e Halkit. Poshtë, nga e majta në të djathtë, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi; Patriku i Aleksandrisë, Partheni; Patriku Ekumenik Varthlomeu I; Patriku i Rumanisë Teoktisti dhe episkopi i Transilvanisë, Bartolomi.