Kremtohet 65 vjetori i Kishës Orthodhokse Shqiptare të Shën Joan Gojartit në Filadelfia, SHBA.
Në vjeshtë të vitit 1931 shqiptarët e qytetit të Filadelfias (SHBA) morën nismën dhe themeluan Kishën e Shën Joan Gojartit. I pari që shërbeu e udhëhoqi këtë faltore ka qenë at Marko Kondili, i ndihmuar nga zoti Mite Zalli, kryetar i këshillit kishtar në atë kohë. Kisha u bë vendi ku shqiptarët orthodhoksë të Filadelfias, që shtoheshin me kalimin e kohës, mblidheshin rregullisht në ditët e kremte dhe kryenin ritet fetare, po edhe takoheshin me njëri tjetrin. Të gjithë ata ndihmuan në paraqitjen e saj sa më dinjitoze. Kjo Kishë plotësonte përherë dhe më mirë funksionet e saj. Brenda një kohe të shkurtër gjeti mbështetje dhe jehonë tek të gjithë shqiptarët e Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli) celebroi shumë herë Liturgjinë Hyjnore në të.
Në ditët e sotme, me rritjen e fluksit të ardhjes së shqiptarëve në Filadelfia, si në shumë qytete të tjera të Amerikës, Kisha e Shën Joan Gojartit jo vetëm ka shtuar aktivitetin e saj në shërbimet fetare, por brenda mundësive të saj, u jep ndihmë shqiptarëve të ardhur në Filadelfia në drejtim të mësimit të gjuhës angleze, për punësim e tyre nëpërmjet besimtarëve të saj, për ndihmë mjekësore, për të ndihmuar financiarisht familjeje e persona të veçantë etj. I gjithë ky aktivitet drejtohet me përkushtim nga at Dennis Rhodes dhe personal që e ndihmojnë atë.
Kështu, më 9 nëntor, të gjithë së bashku, besimtarët e hershëm dhe të ata ardhur kohët e fundit, festuan me gëzim të madh 65-vjetorin e Kishës dhe uruan për shumë vjet të gëzuar në përvjetorët e ardhshëm të faltores së tyre, që përherë e më shumë luan një rol të veçantë në edukimin fetar dhe në përmbushjen e nevojave të tyre shpirtërore. Me këtë rast u organizua një mbrëmje përkujtimore në një nga lokalet më të bukura periferi të Filadelfias, ku pjesëmarrësit i përshëndeti at Dennisi.
Të nesërmen, 10 nëntor, në Kishë u bë një Liturgji e veçantë, në shqip e anglisht, në të cilën morën pjesë shumë më tepër besimtarë se zakonisht. Meshimi u krye nga at Dennisi, nga at Gjergj Grigori dhe at Mihail Kovaç, të ndihmuar nga studenti i teologjisë Andrea Rubis. Kryetari i këshillit të Kishës, zoti Kastori Noçka, falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë kremtim jubilar. Ai, gjithashtu falenderoi dhe ata që kontribuan në organizimin e këtij përvjetori.
Festa u mbyll me një pritje që u organizua në mjediset e Kishës.