– 19 vjet mëparë Fortlumturia e Tij Anastasi u zgjodh në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë –
Korriku i këtij viti, do shënojë një përvjetor shumë të veçantë. 20-vje- torin e ardhjes në Shqipëri të Eksarkut Patriarkal, Episkopit të Andrusës, Anastasit. Në fakt, ky vit ishte i gjithi një përvjetor, sepse ardhja e Fortlumturisë së Tij përkoi me rihapjen e kishave pas persekutimit ateist dhe me rifitimin e lirisë së besimit, kur të gjithë shqiptarët kishin mundësi përsëri t’i luteshin pa frikë Perëndisë. Dhe farat e një besimi 2-mijëvjeçar, që kishin mbijetuar nën hirin qe kërkoi të digjte çdo gjë që kishte të bënte me Zotin e ngjallur, në tempujt dhe në zemrat e njerëzve, shpërthyen e lulëzuan me një fuqi të paparë nën kujdesin e “kopshtarit” të rrallë dhe të njohur mbarëbotërisht, që me aq përkujdesje dhe dashuri na e dërgoi Patriarkana Ekumenike, si Kisha mëmë që na kishte dhënë Autoqefalinë.
Që kur erdhi Episkopi (i hirotonisur si i tillë më 1972), i ishte shfaqur përpara një imazh apokaliptik i besimit: Pa kisha, pa objekte administrative, pa klerikë, me disa breza njerëzish të mbajtur me dhunë larg besimit dhe të edukuar që të mohonin Perëndinë. Shumëkush do të ishte dekurajuar, por jo veprimtari i dalluar apostullor i ditëve tona, që kishte kaluar më përpara vështirësitë e Afrikës dhe të Lëvizjes Ekumenike botërore.
Ai e nisi punën pikërisht atje ku kishte ndalur, te formimi i klerit dhe ringritja e tempujve, për ta shtrirë gjithmonë e më tepër edhe në fushat e tjera dhe sidomos në atë të ndihmës sociale.
Ishte pikërisht kjo këmbëngulje, përkushtim dhe aftësi e rrallë, e cila
bëri që besimtarët orthodhoksë të vlerësonin se ai ishte personi i përshtatshëm për ta vazhduar veprën e saponisur. Ky vlerësim iu shpreh Patriarkanës Ekumenike në mars 1992, nga një delegacion i gjerë zyrtar kleriko-laik i Kishës sonë, që bëri një vizitë pranë saj. Më pas, më 30 maj 1992, Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i drejtohej me një kërkesë zyrtare në emër të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Vartholomeut. Në të, pasi lavdërohej e vlerësohej lart puna e jashtë- zakonshme e Eksarkut, theksohej, se, që Kisha t’u përgjigjej nevojave të shumta, që të shpejtohej riorganizimi i saj mbi baza kanonike, që të rikthehej e barabartë në gjirin e kishave motra, ishte nevoja që të ngrihej sa më shpejt një hierarki e aftë për të përballuar këto detyra. Ndaj, si Kisha mëmë, që kishte dhënë Autoqefalinë, i takonte Patriarkanës Ekumenike të përdorte të drejtat dhe detyrat e saj për plotësimin kanonik të strukturave të Kishës sonë, duke nisur nga Kryepiskopi, ku vlerësohej se Prof. Dr. Anastasi ishte personi më i përshtatshëm për të marrë këtë detyrë.
Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, pasi shqyrtoi këtë kërkesë, duke pasur parasysh se nuk kishte mbetur i gjallë asnjë episkop me origjinë shqiptare, duke marrë në konsideratë punën e shkëlqyer të Imzot Anastasit, vendosi më 24 qershor 1992 zgjedhjen e Tij Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.