Më 16 nëntor, në prani të shumë besimtarëve orthodhoksë, Kryepiskopi Anastas i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastas inaguroi klinikën e parë shëndetësore orthodhokse “Shën Llukai”, në Tiranë, në një ceremoni që u krye me këtë rast.
Ngjarja historike, që u konkretizua me hapjen e klinikës së parë shëndetësore orthodhokse, u arrit në sajë të përpjekjeve organizative të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilat zgjatën rreth 8 muaj.
ICCO-Organizatë Ndërkishtare për Bashkëpunim dhe Kooperim, që është një agjensi ndërkombëtare e zhvillimit, financoi punimet fillestare të klinikës. Komiteti mjekësor përbëhet nga 5 anëtarë dhe drejtohet nga doktor Naum Theodhosi.
Në këtë klinikë jepet ndihma e parë mjekësore, si p.sh ekzaminimet fizike, diagnostikimet, trajtimi i infeksioneve, mjekimi i plagëve të vogla, dhënie barnash të ndryshme, si dhe shërbimi në shtëpi, në raste të veçanta.
9 mjekë të specializuar në kardiologji, pediatri dhe kirurgji shërbejnë në klinikë me baza vullnetare. Funksionimi i klinikës bëhet i mundur nga një ekip, i cili punon me orar të plotë pune.
Klinika është e hapur nga hëna deri shtunë prej orës 8.00 – 14.00. Klinika shëndetësore “Shën Llukai” ndodhet në rrugën “Gjon Buzuku” Nr 139, Tiranë.
Nga Penny Deligianni