Kurorëzim i përpjekjeve të një qyteti me tradita të thella orthodhokse
Në datën 7 gusht, besimtarët Orthodhoksë të Korçës morën pjesë në përurimin dhe shenjtërimin e Katedrales së tyre, që u bë nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e Mitropolitit të Beratit Ignatit dhe Mitropolitit të Korçës Joanit, në prani edhe të përfaqësive nga të gjitha mitropolitë. Merrte pjesë edhe Mitropoliti i Follorinës Theoklitos, përfaqësues të komuniteteve fetare e autoriteteve lokale etj.
Katedralja e Korçës “Ngjallja e Krishtit” është ndërtuar në formë kryqi, me katër apsida, me një kupolë qendrore, e rrethuar me hajat dhe me dy kambanore të larta. Ajo zë një sipërfaqe prej 1100 m2, ka volum rreth 12500 m3, lartësi 28 m. Në katin e nëndheshëm (970 m2), ka mjedis për pagëzimet, paraklis dhe sallë mbledhjesh. Për ndërtimin e saj u shpenzuan më shumë se 2.5 milion USD.
Më 2 gusht të vitit 1994, u bë bekimi i gurit të themelit të Katedrales së re të Korçës, “Ngjallja e Krishtit”, e cila do të plotësonte boshllëkun e madh që la prishja e shumë kishave në këtë qytet me tradita të shquara orthodhokse. Ai ishte paraprirë nga një odise e zgjatur për vendin ku ajo do ngrihej. Vendimi për sheshin e parë të ndërtimit u anullua nga ndërhyrje keqdashëse dhe ishte protesta e vendosur dhe energjike e besimtarëve korçarë, që detyroi autoritet shtetërore të kohës të jepnin një truall edhe më të përshtatshëm se i pari. Fondet për ndërtimin e saj u siguruan tërësisht nga Kryepiskopi Anastas, i cili do të deklaronte në atë kohë, se “Kur na gjuajnë me gurë, ne i mbledhim ato për të ndërtuar”. Nisën punimet, të cilat patën edhe ato peripeci e ndërprerje në periudhën e krizave të viteve ’97-’98 etj. Punimet mbaruan në vitin 2000 dhe në fillim nisi të shërbejë si kishë mjedisi i poshtëm, ndërkohë që punohej për pajisjen e kishës me të gjitha mjetet e nevojshme.
Paralelisht, në të gjithë vendin punohej për ngritjen nga themelet të 84 kishave të reja, ndërtoheshin mbi 20 godina administrative e ndihmëse, riparoheshin rreth 150 kisha, si dhe restauroheshin më shumë se 75 kisha e manastire monumente kulture.
Për besimtarët dhe tërë Korçën, përurimi dhe shenjtërimi i Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit” ishte jo vetëm një eveniment shpirtëror, por edhe simbolik. Ai shënonte lënien pas një periudhe të errët. Regjimi komunist u përpoq të godiste edhe simbolet e besimit, siç ishin kishat e katedralet madhështore, madje shkatërroi edhe kishën madhështore dhe historike të Shën Gjergjit, ndërsa godinës së “Burimit Jetëdhënës” u përpoq t’i zhdukte çdo gjurmë dalluese dhe e ktheu në muze. Ndaj, ngritja e një katedraleje madhështore shënon përfundimisht “Ngjalljen” e Kishës, duke i rikthyer qytetit atë fizionomi që e dallonte.
Që në mbrëmjen e datës 6 gusht, në Kishën që do të përurohej u sollën lipsanët e shenjtë të martirëve, që do të shenjtëronin tempullin e ri të besimit.
Të nesërmen, kisha u mbush shpejt nga besimtarët korçarë, por edhe përfaqësuesit e dioqezave të tjera, klerikë e laikë. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, kryetari i Bashkisë etj.
(Vijon në faqen 7)
Pas fillimit të shërbesës, Kryepiskopi Anastas i shoqëruar nga Mitropolitët e klerikët e tjerë, nga kori dhe besimtarët, doli me lipsanet e shenjta në duar dhe bënë tre litani rreth kishës së re, me tre ndalesa, në të cilat u lexuan pjesë nga Ungjilli, u thanë lutje e u psalën tropare.
Pastaj u futën përsëri në kishë, ku u vendosën lipsanët në Tryezën e Shenjtë dhe u vulosën sipas një procedure të lashtë me qiromastikë, kompleks aromash dylli dhe rrëshirë, pastaj në të katër qoshet e tryezës vendosën “Ungjillorët” dhe më pas antimisin (cohë e ngjashme me epitafin), pa të cilën nuk mund të bëhet mesha dhe të gjitha bekohen me miro.
Pasi u mbulua tryeza e shenjtë, ku u vendos edhe Ungjilli, Kryepiskopi Anastas bëri me miro dhe qiromastikë të katër anët e kishës. Pastaj, atij i sollën një kandile të re, e cila u mbush me vaj, u ndez dhe e vendosi mbi tryezë.
Pasi u mbyll Shërbesa e Shenjtërimit filloi Liturgjia Hyjnore e parë në kishën e re. Në fund të saj, i pari e mori fjalën Imzot Joani, i cili tha ndër të tjera:
“Eshtë një gëzim i madh për komunitetin orthodhks dhe të gjithë qytetin e Korçës, madje për gjithë Shqipërinë… Në këtë ditë unë do doja të falënderoja në veçanti Kryepiskopin tonë të dashur Anastas, i cili me kontributin e tij, me përpjekjet dhe me dashurinë bëri të mundur ngritjen e kësaj kishe. Kryepiskopi jo vetëm që e ka drejtuar kishën në një periudhë të vështirë me urtësi e dashuri, por për Dioqezën e Korçës ka treguar një dashuri të veçantë që në fillim e ardhjes së tij… Do të doja, në emër të gjithë besimtarëve të Dioqezës së Korçës ta falënderoja me gjithë zemër për këtë dhuratë kaq të madhe. Sepse nëse nuk do të kemi në zemër falënderimin, do të thotë se nuk e kemi njohur Perëndinë… Duke falënderuar Perëndinë ne falënderojmë edhe ata njerëz, që me dashurinë e Perëndisë në zemër bënë të mundur ringjalljen e Kishës sonë.
…Le të shpresojmë se kjo kishë do të jetë një bekim për komunitetin orthodhoks, për qytetin e Korçës dhe për gjithë Shqipërinë. Të gjithë me gjithë zemër e shpirt t’i lutemi Perëndisë, që Kryepiskopit t’i japi jetë të gjatë, urtësi dhe fuqi që ta drejtojë kishën, “Për shumë vjet, o Kryezot”.”
Pastaj e mori fjalën Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili tha:
“…Tashmë, pas kaq vitesh kemi gëzimin të bëjmë përurimin e kësaj kishe. Sigurisht, ka gjëra që mungojnë, si pikturimi i saj, por ngadalë-ngadalë do bëhen të gjitha. Mos harroni përpjekjet e bëra për të mbledhur fondet, që arritën një shumë prej 2.5 milion dollarësh. Me këtë rast, dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuan të njohur dhe të panjohur, ata që bënë të mundur ngritjen e kësaj Kishe. Janë shumë ata që ndihmuan në këtë përpjekje. E dimë se ata u nisën nga dashuria e Perëndisë dhe erdhi bekimi i Tij, që të bëheshin këto gjëra. Dhe sigurisht, tani presim ende shumë kisha që të përurohen. Janë rreth 65 kisha që presin inagurohen. Por, sigurisht, presin që të përurohen edhe mijëra kisha të tjera, brenda vetes sonë, duke pritur me besim Zotin. Nuk mjaftojmë vetëm kishat e bukura, duhet që të kemi edhe kisha besimtare brenda vetes sonë me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Këtu qendron edhe mistika e Orthodhoksisë. Kjo kishë do të jetë një qendër ngushëllimi, lutjeje, vëllazërimi, dashurie, me të vërtetë një qendër kulture, pasi kultura ka të bëjë me gjërat e brendshme, me shpirtrat e kulturuar.”
Pas Liturgjisë mjediset rreth e rrotull kishës së re kishin pamjen e një dite feste me njerëz të gëzuar që uronin njëri-tjetrin.
Më pas, në mjedisin e qendrës “Shën Gjergji”, u shtua dreka e rastit, ku morën pjesë përfaqësuesit e të të gjitha dioqezave, autoritete, medial etj. E veçanta e saj, ishin falënderimet e kujtimet e shumë protagonistëve të viteve të para, si At Ilia Kotnani, Sotir Bambulli, Ilia Zaka, Grigor Mulla, si dhe të pranishmit i përshëndeti edhe Kryepiskopi Anastas.
Korresp. i “Ngjallja”