Me rastin e 38 vjetorit të fjetjes
Personalitet madhor i Kishës sonë Orthodhokse
Kryehirësia e tij Imzot Kristofor Kisi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, lindi në vitin 1890 në lagjen Kala të Beratit. I prirur për jetën shpirtërore, ai iu kushtua studimeve fetare. Ato i kurorëzoi me mbarimin e shkollës së lartë Theologjike të Halkit (Hejbeli) të Stambollit, më 1908.
Pas mbarimit të studimeve u emërua profesor në gjimnazin e Jovan Bangës në qytetin e Korçës. Para Luftës Ballkanike Kryepiskop Kissi u kthye në Stamboll dhe në vitin 1916 u hirotonis episkop dhe u emërua në selinë episkopale të Makriqojt të Kostandinopojës, duke qëndruar aty deri në vitin 1923. Atë vit u dërgua në Stamboll një komision i posaçëm nga qeveria shqiptare, me autorizimin që të zhvillonte negociata me Patrikanën Ekumenike rreth Autoqefalisë, të cilat dështuan. Pas dështimit të qëllimeve të këtij komisioni, për t’i dhënë fuqi dialogut dhe mbështetje kanonike këtyre përpjekjeve Patrikana Ekumenike ndërhyri duke dërguar një episkop erudit dhe me autoritet, si Imzot Kristofor Kissi. Ai la episkopatën e tij në Stamboll dhe erdhi në Shqipëri dhe po këtë vit (1923) u emërua Episkop i Beratit.
Së bashku me episkop Jerotheun, me origjinë nga Përmeti, i dërguar edhe ky më parë si Eksark nga Patrikana Ekumenike, më 21 nëntor 1923 hirotonisën në episkop At Fan Nolin, në kishën e Shën Gjergjit të Korçës.
Në vitin 1929 tërhiqet në manastir, për të mos marrë pjesë në veprimet antikanonike që po kryheshin. Pas dorëheqjes së Imzot Visarion Xhuvanit, në 29 maj 1936, Imzot Kristofori pranon të vihet në krye të atyre që donin që Autoqefalia e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë të njihej kanonikisht. Në 12 prill 1937 Sinodhi i Shenjtë i Patrikanës dekretonte njohjen e Kishës Autoqefale dhe po atë ditë, Tomosi Patriarkal i dorëzohej Imzot Kristofor Kisit. (Në 16 prill edhe Imzot Visarion Xhuvani kërkoi dhe mori faljen e Patrikanës dhe u tërhoq në Manastirin e Shën Joan Vladimirit).
Për mjaft vjet në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofori dha një kontribut tepër të madh për ruajtjen e zhvillimin e Orthodhoksisë në vendin tonë. Kështu, në vitin 1942 Kryepiskop Kristofor Kisi u thirr në Luogotenencë nga mëkëmbësi i ish-mbretit Viktor Emanuel i III, Jakomoni. Ai i bëri presion që në vendet episkopale, deri atëhere vakante, të emëroheshin në krye të hierarkisë orthodhokse të Shqipërisë episkopë unitë nga Kalabria, të cilët vareshin nga Papa, në përpjekje për ta kthyer gjithë Kishën tonë në unite. Këtë propozim Kryepiskopi Kristofor Kisi nuk e pranoi dhe thirri menjëherë teologun Ilia Banushin, që kishte mbaruar studimet Teologjike në Beograd, i cili pranoi të hirotoniset, duke marrë emrin Irine dhe titullin Episkop i Apollonisë. Hirotonisja e tij Episkop u bë në manastirin e Shën Naunit në rrethin e Pogradecit, i cili në atë kohë ishte nën administrimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në hirotonisjen e tij morën pjesë Episkopi i Korçës Agathangjel dhe Mitrofor At Vasil Marku. Kështu shmangu një rrezik të madh për Kishën tonë, që donte t’ia impononte pushtuesi.
Menjëherë pas çlirimit të vendit, regjimi komunist e mënjanoi Kryepiskop Kristofor Kisin nga Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse nuk mund ta tolerante autoritetin e tij në Komunitetin Orthodhoks dhe e izoloi në kishën e Shën Prokopit, ku qëndroi deri sa ndërroi jetë në, 17 qershor 1958, në rrethana të dyshimta.
Me rastin e 38-vjetorit të vdekjes së Kryepiskopit Kristofor Kisi, më 17 qershor, në Kishën Orthodhokse “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, u zhvillua një shërbesë përshpirtjeje. Përveç klerikëve që drejtonin këtë shërbesë, merrnin pjesë dhe të afërmit, miqtë dhe besimtarë të tjerë, të cilët u bashkuan në lutje që shpirti i tij të prehet i qetë atje ku prehen gjithë të drejtët. Amin.