EmailFacebookKontakt

“Personalitet kulmor i Orthodhoksisë”

– Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, theolog, akademik, hierapostull, punonjës ekumenik dhe hierark i Kishës Orthodhokse, u shpall Doktor nderi i Degës së Theologjisë të Universitetit “Aristotel” të Selanikut.

Me këtë rast, fjalën e morën kryetari i Degës së Theologjisë Prof.Dr. I. Petrou dhe dekani i Fakultetit Theologjik Prof.Dr. N. Matsukas, ndërsa Prof. G. Ziakas prezantoi personalitetin dhe veprën e të nderuarit.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Shqipërisë, z.z. Anastas (Janullatos), theksoi Prof. Ziakas, është një korife i Orthodhoksisë dhe i letrave. Veprimtaria e tij në fushën e Kishës, të letrave dhe të shoqërisë është shumëvjeçare dhe e shumanshme dhe kontributi i tij tepër i vyer. Profesor i historisë së besimeve fetare në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës qysh në vitin 1972, me studimet e tij të ndritura theologjike dhe filozofike në Universitetin e Athinës dhe në fakultetet filozofike të Hamburgut dhe të Marburgut, ku punoi edhe si lektor i degës së studimeve neohelenike (1966-1969), u dha shtytje studimeve fetarologjike, me vepra shkencore të rëndësishme dhe origjinale. Vepra e tij e pasur shkencore përfshin një gamë të gjerë kërkimesh fetarologjike dhe problematikash theologjike. Përfshin si punime dhe shkrime shkencore me tematikë të mirëfilltë fetarologjike, ashtu edhe një numër të madh studimesh, shkrimesh dhe omelish, me problematikë më të gjerë theologjike e shoqërore.

Si episkop i Andrusës, që në vitin 1972, pas kontributit dymbëdhjetëvjeçar në punën liturgjike të Kishës dhe në ndërtimin shpirtëror të besimit kristian, ai për shumë vite punoi si drejtor i dhiakonisë apostolike dhe u shqua për frymën e tij organizative dhe për kontributin e tij të çmuar në veprën e saj në përgjithësi, madje dhe në atë botuese. Por, krahas kontributit të tij në arsim dhe në Kishë, ai ushtroi për shumë vite me radhë e me sukses të madh edhe veprën e dashurisë kristiane ndaj popujve të Afrikës.

I frymëzuar nga ideali i ekumenizmit kristian, që përbën elementin thelbësor të Orthodhoksisë dhe i nxitur nga dashuria për njeriun, ai kreu një vepër që e nderon Orthodhoksinë. Patrikana e Kostandinopojës, duke vlerësuar këtë vepër të tij të shumëanshme, e zgjodhi atë në vitin 1992 si Kryepiskop të Shqipërisë, ku kontributi i tij si në organizimin e Kishës Orthodhokse në përgjithësi, ashtu edhe në krijimin e frymës së dashurisë e të komunikimit ndërmjet gjithë popullit të atij vendi, ka një vlerë të paçmuar, përfundoi Prof. Dr. Ziakas. Në fund të ceremonisë, pasi falenderoi gjithë të pranishmit për titullin e lartë, Kryepiskopi Anastas mbajti temën: “Një Kishë që vuajti një persekutim shumëformësh”.