Të dielën, 12 janar 1997, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit u krye një përshpirtje në përvjetorin e parë të fjetjes së theologut Dhimitër Beduli, Sekretar i Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Përshpirtja u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili foli edhe për kontributin e paçmuar të z. Beduli për Kishën tonë Orthodhokse e veçanërisht për ringjalljen e saj pas natës së gjatë ateiste.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore u mbajt edhe predikimi i fundit i përgatitur nga z. Beduli, një ditë para se t’i fillonte sëmundja që e ndau prej nesh, “Irodët”.
Po atë ditë, në librarinë e Kishës dolën në shitje edhe dy libra të përgatitur nga z. Beduli: “Kungata Hyj-nore” dhe “Një vështrim mbi kishat dhe manastiret e Pogonit”.
Korresp. i “Ngjalljes”