Festivali III kombëtar i rinisë Orthodhokse
Përpjekje që bazohen te Dashuria dhe Ngjallja
– Pjesëmarrje më e madhe se çdo herë tjetër, me 26 grupe nga e gjithë Shqipëria, me 350 konkurues –
Kisha jonë ka krijuar në këto vite një traditë të pasur veprimtarish me rininë. Ndër to vend të veçantë ka edhe konkurimi midis grupeve artistike të Mitropolive e enorive, nga i gjithë vendi.
Kështu, nga datat 25-26 qershor, në mjediset e Qendrës kulturore të fëmijëve, në Tiranë, u zhvillua Festivali III i Rinisë Orthodhokse. Merrnin pjesë 26 grupe, që nga Shkodra e deri në Mursi. Por e veçanta ishte në numrin e pjesëmarrësve, që ishte më i madh se çdo herë tjetër – 350 vetë.
Të gjitha grupet ishin përpjekur që të vinin me repertor serioz dhe të përgatitura sa më mirë. Gjithashtu edhe juria ishte e një niveli të lartë; ajo kryesohej nga Prof. Milto Vako, i cili drejton katedrën e Dirizhimit në Akademinë e Arteve dhe kishte në përbërje Dr Vasil Tole, muzikolog, Drita Papajanin, ish-soliste e Ansamblit të Këngëve e valleve Popullore, Xhorxhi Doçin, korist në Opera, M. Roberts nga Britania e Madhe, i cili jep mësim në Akademinë tonë Teologjike.
Të shtunën, 25 qershor, u bë konkurimi paraprak, nga i cili u seleksionuan 10 grupet më të mira. Të nesërmen, salla kishte marrë vërtet një pamje festive. Ajo u mbush plot, megjithëse në kohë veprimtaria përkonte me ndeshjet e Kampionatit Evropian të futbollit. Kishte klerikë, besimtarë, të rinj e të reja, familjarë të konkurentëve etj. Gëzimin e të pranishmëve e rriti veçanërisht ardhja për t’i ndjekur e Fortlumturisë së Tij Anastasit, i cili jo vetëm i ka mbështetur vazhdimisht këto veprimtari, por edhe ka siguruar fondet për realizimin e tyre.
Para se të ndaheshin çmimet, Kryepiskopi iu drejtua të pranishmëve me fjalë të ngrohta e nxitëse, duke theksuar, se pavarësisht nga rezultatet, në konkurim fitoi e gjithë rinia orthodhokse.
“…Fillova të numëroja fjalët që dëgjoheshin më dendur gjatë gjithë zgjatjes së kësaj feste: Më të rëndësishmet ishin dashuri dhe ngjallje. Gjithë ky mundim, që ju keni bërë për muaj me radhë, bazohet në këta elementë. Prandaj unë e ndjej dhe ju them, se të gjithë ju jeni fitues. Sepse punuat me inisiativë krijuese, me disiplinë, me përmbajtje, me një bashkëpunim të ngushtë, me dashuri dhe me besim tek Krishti i Ngjallur.” – tha ndër të tjera Fortlumturia e Tij.
Pas konkurimit, juria dha dy çmime të dyta: Korçës dhe Beratit dhe një të tretë, për grupin e Kavajës. Gjithashtu, këtu duhet të vlerësohet edhe paraqitja e mirë të grupeve të Shkodrës, Selenicës, Mursisë a Vithkuqit.
Në fund, nuk mund të leipë pa përmendur në mënyrë të veçantë, barrën e madhe që përballoi grupi organizator, i drejtuar nga At Luka Veroni, për pritjen dhe sistemimin e kaq shumë pjesëmarrësve.
Korresp. i “Ngjalljes”