“Përpiqu deri në vdekje për të vërtetën”. Deri në frymën tënde të fundit të përpiqesh për të vërtetën, na porosit i urti Sirak, i frymëzuar nga Perëndia në Dhiatën e Vjetër. Dhe atëherë “Zoti Perëndia yt do të luftojë për ty”.
Përpjekje pra për të vërtetën. Këtë gjë kërkon nga ne, Zoti Perëndia. Këtë e kërkon dhe koha jonë, sot kur gënjeshtra përdoret sistematikisht edhe me art, nga të vegjël e të mëdhenj, gazetarë dhe letrarë. Qëllimi i tyre është që ta deformojnë të vërtetën, t’i falsifikojnë ngjarjet, të çkrishtërojnë popullin tonë. Për pasojë indiferenca për të vërtetën është indiferencë ndaj identitetit tonë të krishterë orthodhoks, ndaj edukatës së duhur të të rinjve tanë, ndaj shpëtimit të gjeneratës, të cilën gënjeshtra kërkon ta helmojë.
Obskurantistët e kohës sonë kanë krijuar një konfuzion të tmerrshëm. Një konfuzion që shtrihet në shumë çështje të jetës së përditshme. Madje dhe në çështje të mëdha dhe themelore, siç janë “bindjet” e njeriut dhe mënyra në përputhje me to e jetës.
Rreziku nga gënjeshtra, djallëzia këmbëngulëse dhe shpifja që qarkullon është i madh. Prandaj “Përpiqu deri në vdekje për të vërtetën”. Ti të përpiqesh për të vërtetën dhe Perëndia do të jetë me ty. Dhe ai do t’i forcojë fjalët e tua dhe do të përforcojë argumentet e tua. Pra jo, pasivitet, indiferencë dhe plogështi përpara armiqve të së vërtetës. Jo kompromis me gënjeshtrën. Zoti predikoi se: “Kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim”. Çdokush që aspiron, do dhe respekton të vërtetën, dëgjon Perëndinë e së vërtetës, dhe është mbështetës i zjarrtë si dhe luftëtar i saj.
E vërteta ka fuqi të madhe, ashtu siç shkruan dhe Shën Joan Gojarti: “Nuk ka asgjë më të fuqishme se e vërteta, ashtu siç nuk ka asgjë më të dobët se gënjeshtra, dhe në qoftë se ajo mbulohet me mijëra mbulesa. E vërteta e pastër ju del në pah të gjithë atyre që duan, në çdo orë dhe çast atyre që duan ta shqyrtojnë. As ajo vetë nuk dëshiron t’i shmanget kujdesit të çdokujt, as nuk e ka frikë rrezikun, as nga sulmet e të ligjve nuk trembet, as lavdinë si shumë të tjerë nuk e dëshiron, përpara asnjë njeriu nuk është fajtore dhe përgjegjëse. Por qëndron gjithmonë më lart se të tjerat. Pëson sulme dhe ndikime të panumërta, por mbetet e panënshtruar. Atyre që e duan dhe mbështeten në të, i mbron dhe i ruan me fuqinë e pamposhtur të saj, si në një fortesë të sigurt që nuk merret dot”. Për këtë të vërtetë ia vlen të përpiqemi. Brenda kësaj bote, e cila e ka humbur orientimin, le të ndezim një fener. Fenerin e së drejtës për të gjetur rrugën e shpëtimit. Metoda dhe mënyra e krishterë janë një. Të flasim me guxim dhe të themi të gjithë të vërtetën. T’i gjendemi pranë me dashuri të vërtetë çdo të afërmi tonë. Të predikojmë kudo se vetëm me të vërtetën e Krishtit njeriu do të çlirohet nga hallet e tij. Ta drejtojmë nga pasuria e së vërtetës dhe e dashurisë së Perëndisë, ta shënojmë rrugën e tij, me Ligjin e shenjtë të Perëndisë.
Dhe atje ku do takojmë vështirësi, kundërvënie, shpifje apo dhe përndjekje, le të mendojmë 11.000.000 martirët e tre shekujve të parë, të cilët dhanë gjakun e tyre për të vërtetën e Krishtit, dhe të gjithë martirët e pastajmë të Besimit tonë Orthodhoks. Dhe le të përpiqemi edhe ne “deri në vdekje për të vërtetën”.