EmailFacebookKontakt

Përpara qorrsokakeve të sotme

Një nga ditët më të lumtura në jetën e njeriut është ajo e martesës së tij. Të sapomartuarit shkëlqejnë nga lumturia. Një jetë e re u hapet përpara. Por, ku ta dinin, se pikërisht ajo është edhe fillimi i një beteje të përjetshme me gëzime, por dhe me shumë vështirësi e shpesh, me qorrsokake të tmerrshme. Le të përpiqemi të qëndrojmë tek disa.

Steriliteti. Nuk janë të pakta çiftet që e përjetojnë. Statistikat tregojnë se në 100, janë 15-20 që mbeten pa fëmijë, por edhe shumë të tjerë kanë vështirësi. Vallë, a e kemi menduar dramën e tyre? Shpeshherë, dëshira për të patur fëmijë i drejton ata në ekstreme. Mbërrijnë deri në divorce. Por edhe kur martesa duron, ditët u mbushen me hidhërime. Më të guximshmit ia vënë fajin vetes, se diçka nuk shkon mirë tek ata, se janë vetë fajtorë. Por, më pak të guximshmit, ia vënë fajin të tjerëve e fillon sherri për diagnozën e sipërfaqshme të mjekut “sterilitet për arsye të paditura”. Dashuria e tyre kalon provë të fuqishme e të dhimbshme.

Fatkeqësitë e barrës. Ekziston dhe ana tjetër; gruaja mbetet shtatzanë, shpresa rritet. Duket se ëndrra për fëmijë realizohet. Të gjithë parashijojnë lumturinë. Përgatitjet fillojnë e “paja” e fëmijës mbush valixhet. Por, në çastin e fundit, vijnë zhgënjimet; kthehen në shtëpi me valixhen plot e me duart bosh… Por, të rinj janë, do bëjnë tjetër. Sërish rilind shpresa, por… harrojnë të konsultohen me mjekun. Një grua shkoi në maternitet për të lindur 9 herë dhe vetëm të fundit doli me fëmijë. E imagjinoni qorrsokakun që krijohet midis çiftit? Një qorrsokak i mbushur me dhimbje, ankth e plagosje shpirti.

Fëmija i veçantë. Sa nëna të përlotura, sa shikime të dëshpëruara burrash më dalin përpara kur i përmend. Nëna e shtrëngon kurdoherë fëmijën e saj problematik, me gjithë fuqinë e saj. Babai vuan kaq shumë, sa shpesh as e përqafon. Në pyetjen sa fëmijë keni, ai përgjgjet: Një. Ndërsa ka dy e kur kthehet në shtëpi, gjunjëzohet në shtratin e fëmijës tjetër e qan me dënesë. Një qorrsokak ky, që shpesh prek kufinjtë e martirizimit. Një dhimbje e heshtur, e fshehtë, e mbushur me shumë pyetje për të ardhmen, që shpesh shoqëria njerëzore e bën më të ashpër.

Vdekja. Vdekja e shokut të jetës sonë, të fëmijës, të vëllait…. Në çaste të tilla një tërmet i fuqishëm na lëkund qenien. Aksidentet automobilistike e vrasjet. Vitet e fundit, vrasjet e aksidentet kanë sjellë humbjen e shumë jetëve, sidomos të rinjsh. Jemi të ndërgjegjshëm për numrin e madh të viktimave. Janë të gjithë të rinj, filizat e familjeve të ardhshme, që papritur i zhytën familjet e tyre në pikëllim.

Narkotikët. Shekulli ynë, që i premtoi njeriut të munduar lumturi, shtroi para rinisë së sotme çarçafin e bardhë të vdekjes. Privilegj i kobshëm i epokës sonë. I riu, që para se të shijojë gëzimet, gjen tek vdekja shpëtimin nga një jetë e dhimbshme me pak pluhur të bardhë. Njoh një nënë që përballonte vdekjen e birit të saj të vetëm pikërisht kështu, si shpëtim: “Tani ai shpëtoi, – më tha dhe unë jetoj hidhërimin e vetmisë, por ankthi mbaroi”.

A mund ta kuptojmë këtë dhimbje të padurueshme?

Papunësia. Kamzhiku i papunësisë kërcënon sot gjithë njerëzimin. Kjo dukuri shqetësuese godet veçanërisht çiftet e reja.

Le të mos neglizhojmë pasojat që mund të sjellë në fillimet e jetës së re. Ky qorrsokak familjar çon në një presion, që jo të gjithë e durojnë lehtë. Shpesh krijohen retë e para e dëgjon gruan e re të protestojë: “Po të ishte se do kaloja më keq se në shtëpinë time, më mirë mos martohesha”. Fjalë të hidhura, që plagosin personalitetin burrëror e tronditin “themelet” e martesës.

Qorrsokaket morale. Shpesh janë edhe më të dhimbshmet. Ato sot, janë dhe më të shpeshta, me “lirinë” që mbisundon.

Ndodhi që zjarri dogji shtëpinë e bashkë me të u dogj dhe çifti i ri e vajza e tyre e vogël. Lajm tronditës. Nuk kishim guximin të shkonim të takonim prindrit. Kur vendosëm, shqetësoheshim se ç’do t’u thonim. I gjetëm shumë të pikëlluar, por të qetë. Një besim i fortë tek Zoti i jetës dhe i vdekjes u jepte fuqi. Në një çast, kur mbaja dorën e nënës në dorën time e i thosha fjalë ngushëlluese, më pëshpëriti: “Bija ime, ekzistojnë dhimbje më të këqia se vdekja. Që s’mund t’i besosh e të gjesh ngushëllim”. E pashë me habi, pa mundur ta pyes. Më vonë mësova se vajza tjetër kishte braktisur burrin e dy fëmijët dhe kish ikur me një tjetër.

Qorrsokaket subjektive. Sa të tilla krijohen! Shpesh nga mendjelehtësia, nga vlerësimi i keq i gjërave, nga egocentrizmi ynë. Nga zgjidhja e gabuar që u japin problemeve. Kështu, bëhet shpesh i pamundur mirëkuptimi e komunikimi me shokun, fëmijët, vëllezërit, të afërmit e miqtë. Sa familje gjenden në qorrsokak nga një zemërim a shkëmbim fjalësh, nga mungesa e mirëkuptimit dhe e gadishmërisë për ta gjetur atë.

Fëmijët e prindërve të divorcuar. E kam jetuar dramën e këtyre fëmijëve, gjakosjen e zemrës së tyre, që nga kopshti e deri tek studentja.

“Nuk dua as këtë, as atë”, – thotë i dëshpëruar fëmija i kopshtit, kur i japin të vizatojë temën: “Kë dua më shumë”. Edhe studentja 20-vjeçare thotë: “Nuk mjafton divorci i tyre, por na detyrojnë edhe ne fëmijët të jetojmë të veçuar…”. Ç’ti them kësaj të reje. Ku ta bazojë ajo besimin tek martesa apo lumturia familjare?

A ka antihelm për gjithë këto? Sigurisht, po. Për çdo shqetësim njerëzor ka zgjidhje. Pas Golgothasë vjen NGJALLJA. Problemi është, nëse kemi fuqinë e duhur për t’i përballuar, nëse mund të ndeshemi, me problemet dhe me vetveten.

Rol të rëndësishëm, për të përballuar vështirësitë ka karakteri ynë. Një karakter i fortë mund të ketë rezultate të mira. Por mundet që edhe një karakter i dobët, që ka shumë dashuri dhe mirësi, të arrijë rezultate më të mira. Siguria e madhe tek vetja mund të na çojë në rrugë të gabuar, ndaj është e mira, që t’u drejtohemi disa njerëzve të veçantë, të ndriçuar dhe me përvojë e të kërkojmë këshillën e tyre.

Gjithashtu, nuk harrojmë edukatën që ka marrë secili dhe mjedisin familjar. Ndryshe e përballon qorrsokakun ekonomik një vajzë që jetoi në një familje nikoqire, që u edukua nga prindërit, veçanërisht nga e ëma dhe ndryshe ajo që nuk mësoi kurrë çdo të thotë familje.

Por, shpesh qorrsokaket krijohen edhe nga qëllimet “e larta” që i vëmë vetes, të cilat tejkalojnë mundësitë tona. Brenda këtyre vështirësive, provohet dashuria, sidomos e çiftit, nëse është e vërtetë, nëse besojnë në të, nëse duron.

Siç e pamë edhe në këto qorrsokake ekziston zgjidhje, të paktën në shumicën e atyre subjektive dhe në ato morale. Mjaft të kemi fuqinë që duhet, mjaft të duam e të përpiqemi për këtë. Edhe kur s’mund të bëjmë asgjë, kur të gjitha rrugët duken të mbyllura – edhe atëherë ka zgjidhje.

Le të gjunjëzohemi para Dashurisë së Kryqëzuar. Na e kërkoi vetë KRISHTI: “Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar” (Mat. 11:28), dhe na premton: “Edhe unë do t’iu çlodh juve”. Edhe nëse nuk është e mundur të gjejmë rrugëdalje, dashuria e Tij do ëmbëlsojë dhimbjen tonë e pesha do duket më e lehtë.

Ne, sa besojmë, a nuk kemi parë edhe mrekulli? Historia e Krishterimit është histori mrekullish: Të paralizuar ecin, të verbër shohin, të vdekur ngjallen. Edhe atëherë, edhe tani, edhe kurdoherë. Vallë a do na nxjerrë edhe ne Perëndia nga qorrsokaku që përballojmë, i cili helmon jetën tonë? Sigurisht, për mrekullinë duhet një kusht: Besimi. Ai është vërtet i plotfuqishëm, edhe kur është “sa një farë sinapi”. Po e kemi, egziston kushti. Nëse na mungon – le të lutemi: “Shto besimin tek unë, o Zot…! Më ndihmo në mosbesimin tim”. Dhe do dëgjojmë zërin e Tij të ëmbël të na sigurojë: “Ja, jam pranë teje”.

V. Papavasiliu

Përktheu: N. Melo