EmailFacebookKontakt

Përmet – Vidhet Kisha e Leusës

Të shtunën, 12 shkurt, u vodh Kisha Fjetja e Shën Marisë, në Leusë të Përmetit. Grabitësit vepruan aty natën, duke marrë 7 pjesë të ikonostasit, me vlera të veçanta fetare, artistike dhe historike. Megjithë rëndësinë që iu kushtua ngjarjes nga policia lokale, deri tani ende nuk ka rezultate konkrete.

Kjo ngjarje e shëmtuar është në vazhdën e mjaft grabitjeve e dhunimeve të tjera në kisha në anë të ndryshme të vendit. Ato janë denoncuar rregullisht, por në asnjë rast nuk janë zbuluar a dënuar autorët. Kështu, ata kanë marrë zemër për të vazhduar të pacënuar këtë aktivitet të turpshëm dhe shkatërrues, i cili godet jo vetëm vlera shpirtërore orthodhokse të krijuara në shekuj, por është edhe një sulm rrënues kundër monumenteve kulturore shumë të rëndësishme, me vlera mbarëkombëtare dhe unike.

Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti, se kisha e Leusës, e ndërtuar në fillim të shek. XIX. dallohet për vlera të rralla artistike e arkitekturore, që e vendosin mes monumenteve më të rëndësishëm të vendit dhe më gjerë. Ajo ndodhej në çastin e grabitjes në një proces të plotë restaurimi, mbi bazën e një bashkëpunimi midis Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Zyrës Teknike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Projekti po realizohet nën kujdesin dhe me financimin e Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit.