Përfaqësues të lidhjeve rinore orthodhokse bashkuan zërin me besimtarët orthodhoksë, duke protestuar së bashku me grupin e të ngujuarve në Përmet. Brenda vitit 2003 u zhvillua për herë të dytë protestë kundër vendimit të padrejtë të Gjykatës së Lartë të datës 14 tetor 2003. Protesta shprehej në formën e një lutjeje intensive dhe kreshmeje absolute. Besimtarët e ngujuar brenda kishës, kërkonin që Perëndia t’i ndriçonte personat kompetentë që të mos përsëritnin gabimin fatal të vitit 1967, që e shpalli Shqipërinë si vend jo vetëm ateist, por e bëri të njohur në arenën ndërkombëtare si një shtet me një nga format e diktaturave më të egra që ka njohur historia.
Për këtë arsye si edhe për arsyen e zvarritjes në kohë të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së kishës në Përmet, dhjetëra të rinj orthodhoksë zbarkuan në Përmet duke bërë të ditur se protestuesit e Përmetit nuk ishin vetëm. Të rinjtë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Lushnja, Fieri, Vlora, Kavaja, Gjirokastra do të përqendroheshin në sheshin para kishës së Shën Marisë së Pazarit, për të kryer lutjen e Paraklisit të Hyjlindëses, ashtu si historikisht, orthodhoksët i ishin drejtuar Virgjëreshës Mari sa herë që përballonin fushata përndjekjeje dhe martirizimi. Vihej re zhgënjimi në fytyrat dhe bisedat tona, pasi siç shpreheshin të gjithë të rinjtë, ishte i pakonceptueshëm fakti që në kohët moderne të vihej re akoma tendenca për shpronësimin e komuniteteve fetare, për rikthim të kishave në prona shtetërore si edhe për konfiskim dhe shkatërrim të objekteve të shenjta.
Pas lutjes u organizua një marshim rreth kishës, marshim, i cili do të kujtonte strategjinë e popullit të Izraelit për marrjen e tokës së premtuar. Në vend të pankartave të rinjtë mbanin ikona dhe vendin e thirrjeve me zë të lartë do ta zinin disa thirrje më të fuqishme në formën e lutjeve të heshtura të shpirtit.
Në vazhdim, si grup i të rinjve përfaqësues do të vizitonim në ambientet e kopshtit të fëmijëve grupin e besimtarëve të ngujuar, ku do të zhvillohej edhe një bisedë e ngrohtë. Duke i pyetur besimtarët mbi historikun e kësaj kishe, biseda udhëtoi në të kaluarën dhe u ndal në ditën famëkeqe të goditjes komuniste ndaj kësaj kishe. Nga besimtarët më të moshuar dëgjuam të mrekulluar se si ideuesit edhe zbatuesit e urdhrit shkatërrues, u goditën nga dora e Perëndisë. Sekretari i Komitetit të atëhershëm, do të pësonte brenda së njëjtës ditë disa atake në zemër, gjë që do t’i shkaktonte vdekjen. Dëshmitë e ndryshme, duke mbështetur njëra – tjetrën tregonin për njerëz që u goditën nga paraliza, fatkeqësi të ndryshme në familje, vdekje të papritura etj. Interesant ishte edhe fakti se kur u montua një kavo për të rrëzuar një nga pjesët që do të tjetërsohej, arritja e qëllimit dukej për shumë orë gati e pamundur, pasi kavoja tërhiqte një sërë tullash dhe pjesa tjetër binte mbi bazamentin duke mos u rrëzuar.
Në të gjitha ngjarjet e ditës, u shoqëruam nga Ikonom Vasil Thomollari, famulltari i kësaj kishe, i cili prej vitesh kryeson përpjekjen e komunitetit orthodhoks për të rivënë në vend padrejtësinë 40 – vjeçare që nuk po duket të mbarojë. Nga biseda me të, dëgjuam se sa e egër ishte përpjekja e antikishtarëve për të arritur qëllimin e tyre. Ekzekutimi i këtij vendimi do të përbënte një nga përdhosjet më të rënda shtetërore kundër një vendi të shenjtë, pasi do të keqtrajtoheshin dhe flakeshin objektet më të shenjta si ikonat, enët e shenjta, altari etj. Dhe në bazë të ligjit, nëse vendimi do të ekzekutohej të gjitha këto veprime të dhunshme do të duhej t’i kryente Policia e Shtetit. Kjo do të përbënte një skandal dhe incident ndërkombëtar dhe do të dëmtonte seriozisht dhe në mënyrë të pariparueshme imazhin e vendit.
Sipas At Vasilit, drejtuesit e qendrës kulturore të mbështetur dhe financuar edhe nga organet e pushtetit lokal, kanë ndërmarrë një kundërfushatë që nga kërcënimet e shpifjet, që nga fyerjet e figurës klerikale apo të doktrinave ku orthodhoksët besojnë, deri te thirrjet për ngritje turmash dhe përndjekje duke mbjellë urrejtje ndaj orthodhoksëve. Rasti më flagrant, do të shpjegonte prifti i enorisë, u shënua kur nga zbukurimi i qytetit për festat e fundvitit, do të mungonin urimet për festën e madhe të Krishtlindjeve. “Është qyteti unikal në botë, – theksoi At Vasili, – i cili nuk u uron Krishtlindjet orthodhoksëve, që përbëjnë gjysmën e qytetarëve të tij”.
At Vasil Thomollari, na tregoi se së fundi qe gjetur një provë e re, një hartë e vjetër e vitit 1945, e cila vërteton katërcipërisht mashtrimin e bërë nga akti i ekspertizës, që në kundërshtim me ligjin është marrë parasysh nga Gjykata e Lartë, gjykatë e cila kishte harruar se pak vjet më parë, e mbështetur mbi një ekspertizë tjetër, i ktheu godinën kishës. “Mbi bazën e kësaj prove të re ne kemi rihapur një proces gjyqësor pranë Gjykatë së Faktit, Përmet, – shtoi At Vasili, – pasi nuk mund të lejojmë që provat fallso të paraqitura nga kulturorët të kundërshtojnë atë që shihet haptazi nga të gjithë. Jam shumë i sigurt që çdo ekip ekspertësh kombëtarë apo ndërkombëtarë do të hedhë poshtë letrat që datohen në epokën e diktaturës. Në fakt ne jemi të vendosur, – përfundoi ai, – që nëse çështja nuk zgjidhet brenda sistemit tonë të drejtësisë, do të detyrohemi ta denoncojmë përndjekjen dhe sekuestrimin e kishës në gjykatat evropiane”.
Të rinjtë orthodhoksë, përfaqësues të lidhjeve rinore të shumë rretheve të vendit, u larguan nga qyteti i Përmetit, duke shprehur edhe njëherë vendosmërinë se do të gjendeshin pranë jo vetëm me lutje, por edhe fizikisht për të përshkallëzuar protestën në mbrojtje të së drejtës së ushtrimit të lirë të besimit dhe administrimit të pavarur të pronave, e drejtë që mbrohet si nga kushtetuta e vendit, por edhe nga dispozitat ndërkombëtare.
Protesta që do të ndiqte në radhë atë të marsit 2003 do të shtrihej në harkun kohor 16 dhjetor deri më 1 janar 2004. Kjo protestë u ndërpre pas premtimit të organeve më të larta shtetërore se do ta studiojnë me përgjegjësi problemin për t’i dhënë një zgjidhje në përputhje edhe me respektimin e të drejtës së pronave të komuniteteve fetare nën kuadrin ligjor që garanton kthimin e pronave, si edhe me faktin se orthodhoksët e Përmetit nuk do të pranonin të lëviznin që aty pasi vendndodhja e një kishe përbën një vend të shenjtë dhe absolutisht të patjetërsueshëm.
Aleks Çuri