Mbas vitesh ndërprerjeje, të krishterët e Mbrezhdanit dhe gjithë krahinës së Malëshovës, festuan me madhështi 8 shtatorin, Lindjen e Tërëshenjtës Mari. Që në orët e para të mëngjesit, të mëdhenj dhe të vegjël, burra e gra, zbrisnin nga Mirova, nga Gropa dhe Rrëza, nga fshatrat fqinjë, nga qyteti i Këlcyrës, nga Përmeti dhe shkonin drejt kishës së shenjtë “Lindja e Shën Marisë”, ose siç e quajnë vendasit, Shën Maria e Qelovës. Gëzimin ua shtoi më shumë rindërtimi i kësaj kishe të shenjtë, për të cilën kontribuan edhe vetë banorët e kësaj zone.
Besimtarë të moshave të ndryshme bisedonin me njëri-tjetrin se si festohej kjo ditë para 40 vjetëve dhe i luteshin Perëndisë për jetë të gjatë Fortlumturisë së Tij, Anastasit, i cili me ndihmën e Zotit ka bërë dhe bën ç’është e mundur për rindërtimin e kishave në përgjithësi dhe për lulëzimin e besimit tonë në veçanti.
Simo Toto