EmailFacebookKontakt

Përkujtimoret e shenjta

Besimi ynë te jeta e përjetshme dhe shpresa e pashuar për t’u takuar

Sikundër shpirtrat e të fjeturve luten për ne, ashtu edhe ne lutemi për ta. Që në vitet e para të Krishterimit, Kisha caktoi urata (lutje) të veçanta për prehjen e shpirtrave të besimtarëve. Veç këtyre, caktoi edhe Përkujtimoret, që kryhen në ditë të caktuara. Kisha jonë kryen Përkujtimore në këto ditë: ditën e tretë nga vdekja (të tretat), për nder të Krishtit që u ngjall të tretën ditë; ditën e nëntë (të nëntat), për nder të nëntë rangjeve engjëllore; ditën e dyzetë (të dyzetat), për ngjitjen në Qiej të Shpëtimtarit, që u bë dyzet ditë mbas Ngjalljes, dhe përfundimisht përkujtimoret vjetore.

Gjithashtu, Kisha caktoi dy herë në vit dy ditë të quajtura të Shtunat e Shpirtrave, e shtuna para Lidhjes së Mishit dhe e shtuna para Pendikostisë, në të cilat kryhen Përkujtimore të përbashkëta, edhe për ata që ikën nga jeta pa iu bërë Shërbesa e Varrimit dhe Përkujtimore (në dete, në shkretëtira, në luftëra etj.), dhe na fton të lutemi për prehjen e tyre. Në Përkujtimore ofrohen kolivat, d.m.th. grurë i zier me fruta të tjera të thata. Kolivat kanë një simbolizëm shumë didaktik. Sikurse gruri bie në tokë, kalbet dhe shpërbëhet, por më pas mbin shumë bukur dhe jep fryt, kështu edhe njeriu vdes, trupi i tij varroset në tokë, kalbet dhe shpërbëhet, por një ditë do të ngjallet i bukur dhe do të fitojë një jetë të re të paprishshme dhe të përjetshme.

Dobia nga Përkujtimoret

Por, a ekziston ndonjë dobi për shpirtrat nga Përkujtimoret? Sigurisht, pas vdekjes shpirtrat nuk mund të ndryshojnë gjendje. Megjithatë, Përkujtimoret ofrojnë dobi tek ata. Në Shkrimin e Shenjtë shohim se bëhen urata për njerëz që vdiqën, që të gjejnë mëshirë ditën e Gjykimit (shih 2 Mak.12:40-43, 2 Tim. 1:18). Por edhe Etërit e Kishës mësojnë se lutjet, Përkujtimoret, dhe veçanërisht përkujtimi i të fjeturve në Liturgjinë Hyjnore, u sjell shumë dobi shpirtrave. Deri në çfarë pikë sjellin dobi, këtë nuk e dimë. Edhe veprat bamirëse që bëjmë në kujtim të tyre, u ofrojnë shpirtrave dobi të madhe. Të gjitha ato që bëjmë për shpirtrat e të fjeturve, na sjellin dobi edhe neve, sepse janë vepra dashurie dhe i bekon Perëndia. Gjithashtu, me anë të tyre, theksojmë besimin tonë te jeta e ardhshme dhe mbajnë të pashuar shpresën e takimit me ta.

***

Tropare nga Shërbesa e Përshpirtjes

Bashkë me shpirtrat e të drejtëve që janë përsosur, prehe, o Shpëtimtar, shpirtin e shërbëtorit tënd (shërbëtores sate) dhe ruaje te jeta e lumur që është pranë Teje, o njeridashës.

Te prehja jote, ku prehen gjithë shenjtorët e tu, prehe dhe shpirtin e shërbëtorit tënd (shërbëtores sate), se vetëm Ti je i pavdekshëm.

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë.
Ti je Perëndia që zbrite në Hadh dhe zgjidhe dhembjet e të lidhurve, Ti, pra, o Shpëtimtar, prehe dhe shpirtin e shërbëtorit tënd (shërbëtores sate).

Tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. O Virgjëreshë, e vetmja e kulluar dhe e papërlyer, që linde Perëndinë pa farë, ndërmjeto që të shpëtojë shpirti i shërbëtorit tënd (shërbëtores sate).

Marrë nga libri: “Uratore e Vogël”