Gjirokastër
Përjetim shpirtëror i mesazhit të Ngjalljes
Në një atmosferë shpirtërore, plot shkëlqim madhështor, Pashkët 2004 u kremtuan edhe në zonat që përfshin Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës. Kjo atmosferë u ndje jo vetëm në ditën e bekuar të përkujtimit të Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht, por për gjithë periudhën që i parapriu, si dhe në ditët në vazhdim.
Akoluthitë e Javës së Madhe, si vazhdim i një tradite shekullore, ishin edhe një herë tregues të arritjeve shpirtërore të Orthodhoksisë dhe një kontribut i veçantë për thellimin e përjetimit të besimit dhe të përpjekjes për përmirësimin e nivelit të gjithë shoqërisë.
Gjithë ai investim që bëhet për ngritjen e vazhdueshme të punës shpirtërore, në vaçanti me rininë, gjatë periudhës së ringritjes nga hiri të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, nën përkujdesjen e nderuar dhe të drejtpërdrejtë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, kurorëzohet me ditë të tilla, me përcjelljen e atmosferës së Ngjalljes.
Etërit shpirtërorë, që në mënyrë të përhershme ose të përkohshme japin ndihmesën e tyre në veprën e Kryepiskopit Anastas, i cili ka përgjegjësinë për drejtimin baritor edhe të Mitropolisë së Gjirokastrës, gjatë gjithë periudhës para Pashkëve dhe në veçanti në Javën e Madhe, u gjendën, do të thonim, në të gjitha enoritë e pranë të gjitha qelizave katekiste, si për të përcjellë Shërbesat e Kishës sonë, por edhe për t’iu përgjigjur nevojave shpirtërore të besimtarëve për rrëfim, Kungim Hyjnor etj.
Veçanërisht në qendrat e mëdha, si në Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Himarë, Delvinë etj., intensiteti i përjetimit shpirtëror të këtyre ditëve ishte mbresëlënës, më saktë, domethënës: besimtarët orthodhoksë, që në këto zona, gjatë gjithë këtyre viteve, përjetojnë mrekullinë e ringjalljes së Kishës sonë dhe që janë dëshmitarë të një vepre të papërshkrueshme sociale dhe shpirtërore, nën kujdesin atëror të Kryepiskopit Anastas, kanë më shumë arsye për të përjetuar më gjallë dhe drejtpërdrejt atmosferën e Ngjalljes.
Edhe të rinjtë dhe femijët patën rastin gjatë kësaj periudhe, nëpërmjet pjesëmarrjes në psaltir, në ndihmesën në hierore e sidomos në stolisjen e kishave sipas traditës, të tregojnë përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre për përçuarjen e traditës Orthodhokse dhe të përjetimit personal të Besimit tonë.
Pjesëmarrja dhe festimet popullore që vazhduan gjatë Javës së Pashkëve, me vizita në vende të shenjta dhe manastire jashtë qendrave të banuara, nuk janë veçse një tjetër dimension i traditës në enoritë e Mitropolisë së Gjirokastrës.
Kudo besimtarët patën rastin, bashkë me lutjet dhe falënderimet tek Perëndia, të dëgjojnë edhe Mesazhin Paskal të Kryepiskopit Anastas.
Edhe tani që shkruhen këto radhë, urimi vazhdon të psalet “Krishti u ngjall së vdekurish!..”, në të dy gjuhët që fliten në zonat e Gjirokastrës, në Liturgjitë dhe shërbesat që kryhen me të njëjtin zell dhe pjesëmarrje, sikundër ditët e Pashkëve.
Korresp. i “Ngjalljes”