EmailFacebookKontakt

Përhapja e Krishterimit në ishujt Britanikë

Në Britaninë e Madhe Kristhërimi u përhap që nga shekulli i dytë pas Krishtit, gjatë pushtimit romak. Në Sinodin e Arelatit, në vitin 314, merrnin pjesë edhe episkopët e Jorkut, Londrës dhe Lineolu. Por, mbas tërheqjes së trupave romakë nga ishulli, në vitin 410, britanikët nuk mundën të mbronin besimin dhe kombin e tyre nga fiset skoceze dhe pikte, që i mësynin herë pas here nga Veriu.

Në vitin 451 ata kërkuan ndihmën e anglosaksonëve, të cilët qenë idhujtarë dhe sapo u bënë zotër të vendit, i përzunë britanikët dhe risollën idhujtarinë. Në këto kushte britanikët u detyruan që të tërhiqen në Uells.

Në Irlandë Krishtërimi qe predikuar edhe më parë se në Britani, por nuk kishte bazë të qëndrueshme. Por, në gjysmën e dytë të shekullit V, merita i taken Shën Patrikut (432 – 461), i cili mundi të përhapte Krishtërimin në Irlandë.

Ai ishte djali i një dhjakoni skocez. Që në moshë të re e kishin rrëmbyer piratët dhe e shpunë si skllav në Irlandë. Ai mundi të arratisej në Gali, ku u dorëzua episkop dhe menjëherë u kthye përsëri në Irlandë, në vitin 432. Së bashku me nxënësit e tij ai filloi punën misionare për kristianizimin e gjithë Irlandës. Aktiviteti i tij misionar zgjati rreth tridhjetë vjet. Shën Patriku themeloi Manastirin Arma, si dhe mjaft manastire të tjerë nëpër të gjithë ishullin, ku murgjit të frymëzuar nga zelli misionar predikonin Krishterimin.

Në Skoci Krishterimi u përhap nga puna misionare e murgut irlandez Kolumban (512 – 597). Aktiviteti misionar i tij zgjati për 34 vjet. Manastiri Jona u bë qendra e rrezatimit të Krishterimit tek skocezët. Britanikët, skocezët dhe irlandezët qenë fise keltësh. Këto fise nuk donin të hynin në lidhje me kishën anglo-saksone. Vetëm në shekullin VII ata ranë në marrëveshje me ata.

Tek anglosaksonët predikoi Krishtërimin murgu Agustin. Ai u dërgua së bashku me 40 murgj të tjerë nga Roma, në vitin 596 prej Papës Grigori i Parë.

Ata kaluan Galinë dhe arritën në brigjet e Kentit, ku u mirëpritën nga mbreti Ethelmbert, i cili u pagëzua dhe shembullin e tij e ndoqi i gjithë populli. Në vitin 597, Agustini u bë kryepiskopi i Kanterbërit, duke u fronëzuar nga kryepiskopi i Francës Elefter. Por, ai që e organizoi kishën anglosaksone qe murgu Theodhor, nga Tarso i Azisë së Vogël. Ai u bë kryepiskop i Kanterbërit në vitin 669, në moshën 67 vjeçare. Ishte njeri i arsimuar e zotëronte greqishten e latinishten. Ai thirri Sinodin e Hertfontit, ku u morën vendime për organizimin e kishës në bazë episkopale.