Dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër birin tim të parëlindur, Joanin, Mitropolitin e Korçës dhe të gjithë ju për dashurinë dhe ndjenjat tuaja, që më prekin vërtet shumë.
Sa nga ju që keni ndjekur lojëra sportive që kërkojnë një forcë të madhe fizike, si për shembull maratonat, ndoshta e keni parasysh se kilometrat e fundit janë më të vështirat. Dhe disa ngjarje i bëjnë këto akoma më të vështira. Edhe unë, kur sjell në mendje çastin para 29 vitesh, kur më njoftuan për këtë vendim dhe që nuk e pranova menjëherë, sepse kisha shumë ngurrime, kurrë nuk e kisha imagjinuar se kjo vepër do të zgjaste për kaq shumë kohë. Sigurisht, për sa kohë që në kandil ka ende vaj, ai ka detyrimin të japë flakën e tij të vogël. Dhe lavdëroj Perëndinë, që edhe në këtë kohë, pavarësisht vështirësive që ekzistojnë, kemi, me Hirin e Perëndisë, edhe disa nisma të reja shumë të rëndësishme që duhet të marrim. Duhet të ndërtohet përsëri kisha e Shën Prokopit, në qendër të Parkut të bukur të Tiranës, duhet të zgjerohet shkolla “Protagonistët”, duhet të zgjerohet më tej aktiviteti i Klinikës sonë dhe të gjitha këto nënkuptojnë një përpjekje të madhe për t’i realizuar. Për më tepër, duhet të kujdesemi për problemin e madh të veprave hidroenergjetike.
Dua të pohoj se koronavirusi, që na preku edhe ne, nuk na harroi krejtësisht, ka lënë gjurmët e veta. Të gjitha këto kryhen në një atmosferë tensioni dhe problemesh, që do të thotë më shumë lutje, më shumë përpjekje, që të jemi çdo ditë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Dhe, meqenëse jemi në javën e Pentikostisë, urimi dhe përgjërata ime e nxehtë është që të na denjësojë Perëndia të jemi sipas vullnetit të Tij bij drite, bij të Shpirtit të Shenjtë. Siç e dëgjuam para dy ditësh, te pjesa e Apostullit “fryti i Shpirtit është në çdo mirësi, e drejtësi, e të vërtetë”. Se sa vite të tjera Perëndia na ka ruajtur ende dhe sa na jep shtesë, kjo është në dorën e Tij. Por detyra jonë është që të përpiqemi të jemi çdo ditë njerëz të Shpirtit të Shenjtë.
Ju falënderoj të gjithë, sepse e di që lutja juaj më shoqëron në këtë drejtim dhe ju lutem në mënyrë të veçantë të intensifikoni lutjen tuaj, që për sa kohë Perëndia dëshiron të jemi ende në këtë jetë, të jemi njerëz të Tij dhe që fryti i Shpirtit të përcaktojë rrugëtimin tonë. Dhe fryti i Shpirtit të Shenjtë është dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, ëmbëlsia, mirësia, besnikëria, butësia dhe vetëpërmbajtja.
Ju falënderoj me gjithë zemër.
24 Qershor 2021