Në lidhje me shkrimin “Vazhdon sherri midis Kishës Orthodhokse dhe administratës së pikës turistike Manastiri i Ardenicës”, të datës 8 shtator 1994, vëmë në dukje se:
1. Nuk dimë që në vitin 1948, (kur manastiri i Ardenicës u shkëput dhunshëm nga Kisha jonë), në Shqipëri të sundonte një regjim demokratik. As që persekutimi ndaj besimit të ketë filluar pas 1967-s. Regjimi i Enver Hoxhës në fillim shkatërroi ose bëri të papërdorshme për funksionet fetare, qendrat kryesore të besimit, sepse dihet, që një kishë orthodhokse nuk mund të ekzistojë dhe të rigjenerohet pa manastiret e saj. Pa to ajo rrezikon të tkurret e vyshket, ndaj nuk do të pranojmë kurrë të trajtohemi edhe sot me të njëjtat mënyra e qëllime finale.
2. Manastiri i Ardenicës prej qindra vjetësh është një qendër themelore shpirtërore dhe klerikale për Komunitetin Orthodhoks të vendit tonë. Disa dekada uzurpimi ateist nuk mund ta ndryshojnë atë çka ai është realisht, pra “Manastiri orthodhoks i Fjetjes së Hyjlindëses”. Ai ka shërbyer (dhe është e domosdoshme ta rimarrë këtë funksion), si qendër e përgatitjes dhe mbruajtjes shpirtërore të brezave të rinj të klerikëve dhe episkopëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Eshtë e pakonceptueshme për një vend demokratik që Shkolla jonë Teologjike të funksionojë, mes mijëra vështirësish, në një hotel dhe i vetmi manastir ekzistues, nga dhjetëra e dhjetëra që kishim, të na mohohet me kokëfortësi të verbër.
Sa për turistët, funksionimi i manastirit do t’i tërhiqte shumë më tepër në Shqipëri, sepse ata sot nuk vizitojnë një qendër shpirtërore, por njihen me krijesën e ateizmit komunist, të administruar nga njerëz, me po të njejtin mentalitet.
Ndaj, askush të mos shpresojë se sulmet demagogjike dhe manipulimet flagrante të realitetit (si p.sh. për figurën e nderuar të Imzot Nolit, përkthimet në shqip të teksteve liturgjikale të të cilit përdoren çdo ditë në kishat tona etj.), do ta detyrojnë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të heqë dorë nga ato të drejta që ia njohin dhe ia garantojnë të gjitha dokumentet e konventat e nënshkruara apo organizmat ndërkombëtare ku bën pjesë vendi ynë. Shpresojmë se këto të drejta do të na njihen nga qeveria e sotme demokratike e atdheut tonë, po jemi të gatshëm, nëse do të jetë e nevojshme, të ringremë vazhdimisht zërin brenda vendit apo të kërkojmë mbështetjen e organizatave fetare ndërkombëtare ku bëjmë pjesë me të drejta të barabarta dhe më gjerë.
3. Nuk është z. Kadri dhe askush pas tij, që vendosin se çfarë është e mirë dhe si duhet të veprojë Komuniteti Orthodhoks i Shqipërisë. Besimtarët orthodhoksë e kanë shprehur, në mënyrë të përsëritur, mbështetjen dhe besimin e tyre ndaj Kryepiskopit Anastas dhe s’kanë ndërmend t’u marin leje për ushtrimin e të drejtave të tyre personave e forcave që qëndrojnë jashtë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as do frikësohen nga presionet e hapura apo të fshehura. Ata s’kanë për të pranuar kurrë të trajtohen si shqiptarë të “kategorisë së dytë” apo si “të dyshimtë” nga këshilltarë të tipit Gega, apo prej atyre të cilëve ai u ka marrë “hua” opinionet e shprehura në shkrim.
Tiranë, 10 Shtator 1994
Zyra e Shtypit e KOASH