EmailFacebookKontakt

Përgënjeshtrim Seksionit Shqiptar të Radios “Zëri i Amerikës”

Në datën 8 gusht prej radios suaj u transmetua një korrespondencë rreth “Ndalimit nga autoritetet shqiptare të një ekspedite greke të vetdeklaruar arkeologjike në rrethin e Fierit”. Shprehim keqardhjen tonë që nga radioja juaj sërish transmetohen shpifje kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke i dhënë hapësirë, pa i verifikuar më parë me realitetin, pozicioneve antiorthodhokse të disa personave të njohur për qëndrimet e tyre tendencioze kundër Komunitetit Orthodhoks. Në lidhje me korrespondencën, sqarojmë sa më poshtë:

1. Në territorin e manastirit të Shën Kozmait nuk ka pasur asnjë “ekspeditë arkeologjike greke”, por, me lejen e forcave të rendit dhe ndihmën e autoriteteve lokale, ishte i ngritur për dy javë një kamping fetar i të rinjve orthodhoksë të KOASH, të cilët nuk janë “shqipfolës”, por po aq shqiptarë, në mos më tepër, se zotërinjtë Baze e Myrtaj, që shfrytëzojnë pozicionin zyrtar për të shprehur opinionet e tyre personale.

2. Nuk është bërë asnjë veprim, asnjë ndërhyrje në objekt, që cënon Kishën e Shën Kozmait, monument kulture i popullit tonë, por janë pastruar dhe sistemuar territori rreth kishës, i mbuluar nga aluvionet dhe harresa. Kjo i shërben përfundimit të studimit për rikonstruksionin e objektit, që do të bëhet në bashkëpunim dhe me dijeninë e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Aktiviteti përfundoi rregullisht në bashkëpunim të ngushtë me besimtarët e shumtë të komunës së Libofshës të cilët dhanë kontributin e tyre.

3. Në kamping merrnin pjesë krahas 37 të rinjve orthodhoksë shqiptarë nga i gjithë vendi edhe disa të rinj grekë, në kuadrin e binjakëzimit midis kampesh të ngjashme, gjë për të cilën ka qenë në dijeni edhe Ambasada jonë në Athinë, e cila u dha vizat e hyrjes. Së shpejti, në këmbim të vizitës, do të shkojnë në një kamping në Greqi një grup të rinjsh shqiptarë.

4. Në kamping nuk kishte “priftërinj grekë”, por priftërinjtë shqiptarë të zonës, si dhe vetëm një murg nga Mali i Shenjtë, me profesion arkitekt i specializuar për kishat, i cili ka tre vjet që kontribuon në vendin tonë për ringritjen e kishave të shkatërruara nga komunizmi.

5. Sa për konsideratat rreth Shën Kozmait, nuk u takon disa personave që nuk besojnë, ose i përkasin besimeve të tjera, të vendosin cilët janë shenjtorët e Kishës Orthodhokse. Megjithatë, për kulturë, u kujtojmë se manastirin e Shën Kozmait, i cili u martirizua në fshatin Kolkondas nga pushtuesit osmanllinj, e ngriti Ali Pashë Tepelena, i cili kishte një nderim të thellë për Shenjtorin. Nderim dhe respekt për veprën e Shën Kozmait kanë shprehur edhe Imzot Noli, Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kristofor Kisi, intelektuali ynë i shquar Faik Konica dhe figura të tjera të njohura të kombit tonë. Këtë respekt e dëshmojnë edhe ata mijëra e mijëra besimtarë nga Myzeqeja dhe e gjithë Shqipëria, që marrin pjesë në çdo kremtim kushtuar Shenjtit.

Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse
Autoqefale të Shqipërisë

Dt. 10.8.1995