Në lidhje me artikullin “Janullatos cënon autoqefalinë e kishës shqiptare”, të Odhise Kote, botuar në gazetën tuaj të datës 17.8.94, duam t’ju bëjmë të njohur sa më poshtë:
1. Kisha e re, e themeluar në Ksamil, nuk do të mbajë emrin e Kryepiskopit, por “Ngjallja e Krishtit”. Këtë emër mbante Kisha e parë e ndërtuar në shekullin e katërt në Jeruzalem pas persekutimit kundër të krishterëve, dhe sot e mbajnë mijëra kisha anembanë botës.
2. Flitet se Fortlumturia e tij Anastasi ka meshuar greqisht në fshatra shqiptare dhe sillet si shembull rasti i fshatit Mursi, ndërkohë që në atë fshat Kryepiskopi vetëm sa ka kaluar dhe nuk ka meshuar fare. Meshë është kryer vetëm në fshatin Shkallë, në gjuhët shqipe dhe vllahe.
3. Thuhet se në ballin e Kishës së Shën Harallambit është shkruar greqisht, në një kohë që asaj kishe sapo po i hidhen themelet dhe përgjithësisht, asnjë kishë shqiptare s’ka mbishkrime të tilla. (Vëmë në dukje edhe se “alfabet cirilik” kanë gjuhët sllave…).
4. Në festën e Fjetjes së Shën Marisë kanë meshuar veçse priftërinj të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (ku përfshihen dhe e njohin vetveten kanonikisht gjithë klerikët orthodhoksë të Shqipërisë). Edhe prifti nga Përmeti, që ka meshuar me këtë rast, ka qenë i dërguar për këtë qëllim me bekimin e Kryepiskopit” Anastas, gjë që iu është bërë e njohur gjithë besimtarëve të pranishëm. Në realitet, kemi të bëjmë me tentativa të dështuara, nga njerëz jashtë KOASH, të urdhëruar për të futur me çdo kusht përçarje në gjirin e saj; përçarje që do të ishte me pasoja të pallogarithme jo vetëm për Kishën, por për vetë kombin.
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Tiranë 19.8.1994
Shënim: Po më 17 gusht, në artikullin “Politikë hermetike e shtetit…” Thuhet se “…është më se e ditur që të gjitha shërbesat fetare tash dy vjet bëhen veçse greqisht. …literatura të jetë greqisht”. Nuk e dimë pse autori shpif dhe ofendon në mënyrë kaq të paskrupullt, por ështe fakt i pamohueshëm që mesha bëhet gjithmonë në shqip, edhe nga Kryepiskopi (veç kishave të minoritetit). Tekstet bazë të përdorur janë Ungjilli i përkthyer nga Kristoforidhi dhe tekstet liturgjikalë të përkthyer nga Hirësia e Tij Theofani (Noli), të cilëve po u shtohen kohët e fundit, nën kujdesin e Kryepiskopit edhe mjaft botime të reja apo përshtatje më gjuhën e sotme letrare shqipe.