EmailFacebookKontakt

Perëndia kërkon pendimin tonë

Le ta fillojmë Kreshmën me gëzim… le të agjërojmë prej pasioneve ashtu siç agjërojmë prej të ngrënit, të dëfrehemi në fjalët e mira të Frymës, që të mund të shikojmë pësimin e shenjtë të Krishtit Perëndisë sonë dhe Pashkën e tij të shenjtë, duke u gëzuar shpirtërisht.

Perëndia kërkon pendimin tonë, jo dëshpërimin. Ne ndjejmë keqardhje për mëkatet tona, por ne e bëjmë këtë në gëzimin e mëshirës së Perëndisë. Ne e dobësojmë mishin tonë, por e bëjmë në gëzimin e ngjalljes sënd në jetën e amëshuar. Ne bëjmë gati për ngjalljen, gjatë Kreshmës së Madhe, Ngjalljen e Krishtit dhe ngjalljen tonë.

Diçka e veçantë duhet thënë për kufizimin gjatë Kreshmës së Madhe. Duke folur në përgjithësi, kreshmimi është një element themelor i jetës së krishterë. Krishti agjëroi dhe i mësoi njerëzit të bëjnë këtë. Kreshmimi i bekuar bëhet në sekret, pa e shfaqur dhe pa kritikuar të tjerët (Math. 6:16; Ro.14). Ai ka për qëllim pastrimin e jetëve tona, çlirimin e shpirtrave dhe trupave tanë prej mëkatit, shtimin e fuqive tona njerëzore për të dashur Perëndinë dhe njerëzit, ndriçimin e tërë qenies sonë për Kungimim me Trininë e Bekuar. Kreshmimi e ndihmon dhe e lartëson lutjen tonë.

Mishi nuk lejohet të hahet mbas së Dielës së të Lidhurave të mishit dhe nuk hahen më vezë dhe produktet blegtorale mbas së Dielës së të Lidhurave të Djathit. Këto rregulla nuk janë një “barrë e rëndë për t’u mbajtur”, siç bënin farisejtë (Lluka 11:46), por si një përpjekje drejt një ideali; jo si një qëllim në vetvete, por si një mjet për përsosje shpirtërore, të kurorëzuar në dashuri. Shërbesat e Kreshmës na kujtojnë për këtë.

Le të kreshmojmë me një agjërim të pëlqyeshëm tek Zoti. Ky është agjërimi i vërtetë: largimi nga e liga, frenimi i gjuhës, prerja e zemërimit, ndalimi i epshit, i fjalëve të këqia, gënjeshtrave dhe mallkimere. Ndalimi i tyre është kreshmimi i vërtetë dhe i pranueshëm.
(Mbrëmësorja e të Hënës së Javës së Parë)

Shërbesat e Kreshmës së Madhe na tregojnë gjithashtu, se nuk duhet të mburremi për agjërimin e jashtëm, sepse edhe djalli nuk ha asnjëherë!

Rregullat e Kreshmës së Pashkëve

– Nuk hahet mish, peshk, bulmet, vezë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kreshmimit
– Peshk hahet vetëm më 25 Mars, në ditën e Ungjillëzimit (dhe në të Dielën e Dafinave)
– Lejohet ngrënia e frutave të detit (midhje, oktapodhë, sepje, kallamarë)
– Ushqimet hahen pa vaj dhe nuk pihet verë, përveç të shtunave dhe të dielave
– Kushdo që ka probleme që nuk e lejojnë të zbatojë rregulla të caktuara, duhet të konsultohet me atin shpirtëror.

Fjalët e Kishës për priftërinë

Shën Joan i Kronshtadit: Prift, ti je përfaqësuesi i besës e i Kishës, ti je përfaqësuesi i vetë Zotit Isu Krisht. Prandaj duhet të jesh një shembull përulësie, pastërtie, kurajoje, qëndrueshmërie, durimi e lartësimi shpirtëror. Ti po bën punën e Perëndisë dhe nuk duhet të mungojë kurajoja para askujt; duhet të kujtosh gjithnjë që puna jote është më e lartë se gjithçka njerëzore.

Shën Tikoni i Zadonskut, i drejtohej priftërinjve të tij kështu: “Biri i Perëndisë përuli veten e Tij për ju – a mund të jini krenarë? Biri i Perëndisë mori formën e një shërbëtori – a mund ju të dëshironi të sundoni? Ai erdhi si i varfër – a mund ju të vraponi pas pasurisë? Ai nuk kishte asnjë vend ku të vendoste kokën – a mund të kërkoni ndërtesa të bukura? Ai pranoi çnderimin – a mund ju të përpiqeni për nderë? Ai lau këmbët e nxënësve të Tij – a mund ju të turpëroheni pse po i shërbeni vëllezërve tuaj?

Shën Joan Gojarti: duke folur për priftërinjtë thotë: “Ai (Krishti) na ka lënë ne në tokë, që ne të bëhemi rreze drite dhe mësonjës për të tjerët, të veprojmë siç vepron majaja në brumë, të ecim ndërmjet njerëzve si engjëj, të jemi tek të rriturit si fëmijë dhe si njerëz shpirtërorë tek njerëzit kafshorë, që të mund të fitojmë mbi ata dhe të bëhemi si farë dhe të japim fruta të bollshme. Nuk do të kishte nevojë për predikim, nëse jetët tona do të ndriçonin, nuk do të kishte nevojë për fjalë, nëse dëshmonim me veprat tona. Nuk do të kishte asnjë pagan, nëse ne ishim krishterë të vërtetë.”

Shën Isak Siriani: Ata që nuk i kanë përjetuar tundimet, nuk mund të hyjnë në mbretërinë e Qiejve. Pa ne patur tundime, askush nuk do të mund të shpëtohet.

Shën Andoni i Madh: Atë ditë Perëndia nuk do të na gjykojë pse nuk kemi thënë psalmet, as pse kemi lënë pas dore lutjen, por sepse duke i braktisur ato, ne i kemi hapur derën demonëve.

Shën Joani i Shkallës: Pendimi është ripërtëritja e pagëzimit… është një kontratë me Perëndinë për një jetë të dytë.

Shën Theofani: Gjëja kryesore është të ecësh në praninë e Perëndisë, jo jashtë shikimit të Tij; i vetëdijshëm se Perëndia po të shikon, duke kërkuar shpirtin dhe zemrën tënde, duke parë gjithëçka aty. Kjo vetëdije është leva më e fuqishme në mekanizmin e jetës shpirtërore.