EmailFacebookKontakt

Perëndia ju fton t’i shërbeni! – Afron konkurimi për në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”

Perëndiaju fton t’i shërbeni!

– Afron konkurimi për në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit –

Gjatë viteve të persekutimit të egër ateist, regjimi komunist shkatërroi plotësisht edhe infrastrukturën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipënsë. Para persekutimit, asaj i shërbenin më shumë se 440 klerikë. Në vitin 1991 kishin mbijetuar 15 klerikë, dhe këta të thyer në moshë.

Ndaj një nga përparësitë e Kryepiskopit Anastas ishte hapja e Seminarit Teologjik, i cili do të përgatiste kuadrot në shërbim të Kishës. Mësimet e para nisën në vitin 1992 në një hotel të vjetër në plazhin e Durrrësit me 60 studentë.

Në vitin 1996 Seminari u vendos në një kompleks të ri të ndërtuar posaçërisht në territorin e Manastirit të Shën Vlashit. Ky manastir i ka shërbyer komunitetit gjatë gjithë historisë së tij qindravjeçare, duke qenë një ndriçues dhe një vend mrekullibërës për të gjthë besimtarët anembanë Shqipërisë.

Gradualisht Seminari rriti nivelin e tij e sot ka statusin e Akademisë Teologjike për djem dhe vajza.

Kështu, Komuniteti Orthodhoks përgatit kuadrot e tij të larta brenda vendit.

Sot në Akademi përgatiten studentë nga e gjithë Shqipëria. Nga 220 studentë, 139 prej tyre janë dorëzuar klerikë, të tjerë shërbejnë si katekistë, disa punojnë në Kryepiskopatë dhe disa vazhdojnë studimet kualifikuese jashtë vendit.

Misioni i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” është formimi teologjik dhe shpirtëror nëpërmjet studimeve teologjike, jetës liturgjike dhe prak.ikave të ndryshme.

Duke marrë njohuri në teologji, “shkencën e shkencave”, studentët janë në gjendje të ofrojnë dhe shërbejnë brenda Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në organizmat e saj në të gjitha nivelet.

Akademia Teologjike ndodhet në Manastirin e Shën Vlashit, pranë qytetit të Durrësit. I ndërtuar në vitin 1996, ky kompleks përmban një shkollë moderne dhe bashkëkohore, e pajisur me auditorë, bibliotekë, qendër informacioni, sallë kompjuterash, sallë konferencash, kishëz, kënd lojërash dhe konvikt për djemtë dhe për vajzat.

Programi katërvjeçar i Akademisë përfshin lëndët: Dhiatë e Re, Dhiatë e Vjetër, Dogmatikë, Patrologji, Etikë, Liturgjikë, Histori të Krishterimit, Filozof’, Psikologji, të Drejtën Kanonike, Predikim, Fe të Botës, Muzikë Bizantine etj. Të gjithë studentët në vitin e parë akademik zhvillojnë lëndën e gjuhës shqipe dhe dy gjuhë të huaja: anglisht dhe greqisht.

Studentët angazhohen çdo ditë edhe në jetën shpirtërore e liturgjike të Akademisë. Gjithashtu, ata marrin pjesë në një larmi programesh me karakter praktik, ku përfshihen katekizmi, vizita në institucione sociale.

Për veprimtari të tjera zbavitëse, Akademia ofron mjedise sportive, si: fushë volejbolli dhe basketbolli, sallë të mbyllur pingpongu etj.

Në këtë kuadër zhvillohen edhe ekskursione në qendra të rëndësishme arkeologjiko – historike.

Akademia Teologjke “Ngjallja e Krishtit” funksionon nën mbikëqyrjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka për president Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas.

Këshilli pedagogjik përbëhet kryesisht nga pedagogë shqiptarë dhe disa të huaj. Drejtori i Akademisë është Hirësia e Tij Imzot Ilia Ketri.

Në këtë Akademi zhvillohen gjithashtu leksione periodike nga pedagogë të shkollave orthodhokse teologjike nga vende të ndryshme të botës.

Të gjithë kandidatëve që pranohen në Akademi iu jepet bursë vjetore. Kjo bursë përfshin të gjitha shpenzimet për ndjekjen e studimeve.

Studentët duhet të kenë rezultate të kënaqshme çdo vit, në mënyrë që bursa e tyre të rinovohet.

Kërkesat për regjistrim

Çdo kandidat duhet të jetë i krishterë orthodhoks, i pagëzuar.

Të ketë mbaruar shkollën e mesme.

Të ketë një rekomandim nga episkopi i zonës ku banon.

Të jetë nga mosha 18-40 vjeç dhe i pajisur me vërtetim mjeko – ligjor.

Procesi i regjistrimit përfshin një provim në fillim të shtatorit, ku zhvillohet një test me shkrim dhe një intervistë me gojë.

Testi me shkrim bazohet mbi Dhiatën e Re dhe katër vëllimet e Besimit Orthodhoks.